Përvjetori i Besëlidhjes – Vazhdim i denjë i vlerave civilizuese

Pjetër Dreshaj –

Robëria shekullore nën thundrën e pushtuesve të huaj, padrejtësia e Fuqive të Mëdha për copëtimin e saj dhe ndarjen nga shteti amë, mungesa e institucioneve autoktone shqiptare, analfabetizmi, vëllavrasja dhe hakmarrja shkaktojnë dobësimin ekonomik të Malësisë e malësorit.
Dihet se pushtuesi otoman lejonte që shqiptarët
në raste mosmarrëveshjesh mes vete të zbatojnë
ligjet e veta dokesore, të njohura dhe të përmbledhura
më vonë nga Shtjefën Gjeçovi në
veprën “Kanuni i Lekë Dukagjinit”. Por, në
rastet kur shqiptari i “binte në faj” pushtuesit,
atëherë ai e ndëshkonte sipas ligjeve të veta
Vlen të përmendet se në një periudhë kohore
gjatë sundimit otoman në Shkodër vepronte
“Xhibali” si Këshill i Pleqve i ngarkuar prej
qeverisë turke për të zbatuar Kanunin e Maleve.
Xhibali punonte në mënyrë thuajse të pavarur
prej Prefekturës së Vilajetit. Prandaj, mund të
thuhet se në kohën e sundimit otoman në
Shqipëri, Kanuni i Lekë Dukagjinit kishte vlerë
juridike dhe njihej si ligj civil obligues ndër
Male të Mbishkodrës dhe në Dukagjin. Ndaj,
nuk është larg mendsh, siç pohojnë disa studiues,
se edhe emri i Kanunit të Lekë Dukagjinit,
ka të bëjë me Kanunin e Lekëve ( Malet e
Mbishkodrës) dhe të Dukagjinit.
Duhet të theksohet se në Kanunin e vjetër të
Maleve të Shqipërisë në raste vrasjeje, binte në
gjak vetëm dorasi. Shtëpia e të vrarit nuk mund
të ndiqte për gjak as të vrasë tjetërkënd prej
vëllezërve, nipave e kushërinjve të gjakësorit,
përveç dorasin. (neni 125)
Versioni i mëvonshëm i Kanunit, për 24 orë
ndiqte për gjak meshkujt e shtëpisë së dorasit
deri në ferishte në djep, kushërinjtë e nipat e
afërm, edhe pse të ndarë me zjarr.
Në Malësinë e Madhe, për fat të keq, binin në
gjak të gjithë ata që vinin rubën e zezë (që
mbanin zi) për njëri-tjetrin. Ky Kanun vlente
edhe për Dukagjin (Shalë e Shosh).
Padyshim se edhe interpretimet e improvizuara
të Kanunit linin shumë dilema, meqenëse nenet
e tij përcilleshin, të shumtën e rasteve, me gojë,
brez pas brezi, sepse në atë kohë kishte shumë
pak njerëz të shkolluar, sidomos ndër fshatra.
Prandaj, ndoshta edhe nuk është rastisje pse
juristi i njohur malësor nga Benkajt e Trijepshit
Martin Ivanaj zgjodhi si tezë të doktoraturës “
E drejta dokesore tek shqiptarët” në Kanunin e
Lekë Dukagjinit, e që e kishte botuar “Hylli i
Dritës” më 1914. Në këtë punim të vetin shkencor,
Martin Ivanaj (më 1921) polemizon me
Shtjefën Gjeçovin lidhur me përmbajtjet në
shumë nene të Kanunit.
Është e pamohueshme se hakmarrja dhe ndjekja
për gjak, përveç vëllavrasjes, ndër shqiptarët
shkaktoi skamje dhe varfërimin ekonomik të të
dyja familjeve, asaj të vrasësit dhe të të vrarit.
Arat e shtëpisë së vrasësit mbeten djerre,
meshkujt nuk eksponohen jashtë dhe qëndronin
të mbyllur në burgun shtëpiak, ose gjenin strehim
ndër miq e njerëz të gjakut, larg shtëpisë e
mëhallës së vet. Shpesh ndodhte që familja e të
vrarit nuk i jepte besë kurrkujt nga meshkujt e
familjes së vrasësit me qellim që të dëmtonte
ekonomikisht sa më tepër familjen e vrasësit.
Rastet më drastike të hakmarrjes kanë qenë ato
kur për gjak nuk është vrarë dorasi, por burri
më me zë i familjes ose djali i vetëm i ndonjërit
prej vëllezërve të vrasësit. Në këso rastesh,
gjakderdhja nuk ndalej dhe vrasjet midis dy
familjeve vazhdonin me dhjetëra vite, madje
edhe deri në farosje.
Kjo plagë e hakmarrjes nuk ishte karakteristike
vetëm për shqiptarët, por edhe pothuaj, për
mbarë popujt e Ballkanit. Prandaj, me pa të
drejtë na quajtën barbarë vetëm ne shqiptarëve
për këtë gjest prapanik.
Populli i shumëvuajtur i Malësisë, i lodhur nga
vëllavrasja e hakmarrja, por edhe i vetëdijshëm
për rrugën e gabuar që ndiqte në bazë të ligjeve
dokesore të Kanunit, të shkruara e më shpesh të
pashkruara, vendosi t’i shqyrtojë këto çështje
në një mënyrë civilizuese e bashkëkohore.
Kështu fillon iniciativa për marrëveshje brenda
mëhallëve, fiseve e bajraqeve lidhur me plagën
e rëndë të hakmarrjes.
Me këtë rast duhet të theksohet roli i madh i
Gjergj Dakut Gjokaj si individ, i cili ishte iniciatori
i parë i këtij aksioni dhe gëzonte
autoritetin e masës më të madhe ndër banorët e
Malësisë.
Megjithatë, çdo glorifikim i individit zhvlerëson
në masë të madhe vetëdijen e masës dhe
pjekurinë e saj. Në këtë rast është tejet kuptimplotë
proverbi “Trimi i mirë me shokë shumë”.
Thënë shkurt: Malësia, pa marrë parasysh ideologjinë
partiake apo rrymën e re të intelektualëve,
e djegur dhe e pjekur nga pasojat tragjike
shekullore të vëllavrasjes dhe hakmarrjes,
vetëdijësohet dhe kërkon rrugë e mënyrë të reja
për zgjidhjen e problemit të hakmarrjes.
Është kjo, padyshim, një tendencë e vetëdijshme
për t’u ballafaquar me traditën dhe
Kanunin, madje edhe për t’u shpallë luftë atyre
dhe për të hedhë poshtë mykun e dokeve prapanike
të trashëguara, që kishin zënë ndryshk
ndër shekuj.
Mosbesimi në suksesin e Besëlidhjes për
zhdukjen e hakmarrjes së gjakut shkakton
skepticizëm tek një numër i konsideruar malësorësh.
Të gjithë ata ishin burra të ndershëm
dhe bujarë, madje, disa sish edhe e kishin
treguar bujarinë dhe shpirtmadhësinë e vet. Ata
vetëm frikoheshin se “panjeriu” nuk do ta
respektonte Besëlidhjen dhe në këtë mënyrë
Malësisë do t’i shkonte i tërë mundimi bosh.
Padyshim, se, si një freski në mbarë aksionin
për zhdukjen e hakmarrjes na shërbyen përfaqësuesit
më eminentë të konfesioneve fetare
në Malësi: i ndjeri at Gjergj Marstjepaj dhe
imami i atëhershëm i Tuzit, zotëri Rexhep Lika.
Meqenëse Malësia aso kohe kishte shumë më
tepër besimtarë sesa ateistë, shpjegimet e
misionarëve të fesë, nga aspekti i ungjillit apo
kuranit ishin tepër bindëse dhe efikase. Asnjëra
nga konfesionet fetare, as kristianizmi, as
islamizmi nuk e arsyetojnë vrasjen për hakmarrje,
madje as dënimin e atij që nuk ka faj.
Prandaj, edhe kumtesat dhe diskutimet e këtyre
misionarëve kumbojnë si vërejtje tek ata që
ngrehin dorë mbi jetën e të tjerëve se, përveç
ndëshkimit që i pret nga ligji pozitiv i shtetit, i
pret edhe ndëshkimi prej zotit.
Kuvendit të 28 qershorit 1970 i paraprinë
shumë mbledhje ndër mëhallë, fise e bajraqe,
dhe vendimet e aprovuara në këto mbledhje
shqyrtohen dhe analizohen në Mbledhjet e
përgjithshme të Malësisë të mbajtura më 24 maj
dhe më 7 qershor.
Diskutimet e shumta në këto mbledhje paraprake,
në masën më të madhe i karakterizon
mbështetja e parimit që për gjakmarrje të ndiqet
vetëm dorasi, ndonëse kishte edhe mendime
skeptike me të cilat, siç e cekëm më parë,
shprehej mosbesimi në respektimin e këtij
vendimi.
Me interesim të posaçëm janë pritur diskutimet
e bajraktarëve dhe krerëve të fiseve të Malësisë,
të cilët pa përjashtim mbështetën iniciativën për
zhdukjen e hakmarrjes, respektivisht, parimin
që për gjak të ndiqet vetëm dorasi, ose, vetëm
ata që i shpall gjyqi si fajtorë.
Këto kërkesa të rinisë, përmes organizatës së
studentëve, të intelektualëve aktualë, të masave
të gjëra të popullit përmes krerëve dhe bajraktarëve
të fiseve si dhe përmes përfaqësuesve
autoritativë të konfesioneve fetare gjejnë
mbështetje edhe tek pushteti aktual dhe tek partia
si ideologe e zhvillimit dhe përparimit të sistemit
ligjor. Të gjitha këto fakte flasin bindshëm
se ishin pjekur kushtet për një reformë të
madhe, civilizuese dhe evropiane.
Mbledhja solemne ku u aprovua Besëlidhja e
Malësisë për zhdukjen e hakmarrjes u mbajt më
28 qershor të vitit 1970 në sallën e shtëpisë së
kooperativës në Tuz, në kushte mjaft të pavolitshme
klimaterike, sepse bënte shumë vapë.
Megjithatë, kushtet nuk patën ndikim negativ
në rrjedhat e Seancës, as në vendimet e saj.
Përfaqësuesit e të gjitha fiseve e bajraqeve të
Malësisë në këtë mbledhje madhështore e historike,
të njohur si “Besëlidhja e Malësisë”,
unanimisht vendosën:
… “Për vëllavrasje, vrasje ose për një vepër
tjetër që ka të bëjë me hakmarrjen, të dënohet,
qitet në gjak, të ndiqet vetëm fajtori. Fajtor
mund të jetë një ose më shumë persona.
Pjesëtarët e tjerë të familjes së ngushtë, më të
gjerë apo të vëllazërisë e fisi, pa marrë parasysh
se në çfarë marrëdhënie gjaku janë me fajtorin
e veprës, janë të lirë dhe nuk ka të drejtë askush
t’i ndjekë, t’i qesë në gjak ose t’i dënojë për
veprën që ka kryer aktori i bashkësisë më të
afërt të tyre. Fajtori (vrasësi), nëse është në liri,
nuk ka mbështetje as përkrahje, jo vetëm nga
më të afërmit, farefisi, por as nga të tjerët derisa
të çohet e drejta në vend.
Ky vendim hyn në fuqi prej 28 qershorit 1970,
d.m.th, kjo vlen për të gjitha ato vepra që do të
kryhen sot e tutje. Për veprat që kanë qenë më
përpara, kjo nuk merret parasysh.”- mbaron
citati.
Vetëm disa orë pas Besëlidhjes së Malësisë, në
një lagje të Titogradit të atëhershëm ndodhi një
vrasje tragjike. Kjo vrasje ishte vërtetë një tragjedi
e madhe, por ishte vetëm një koincidencë
(rastisje) dhe në asnjë mënyrë vrasje e përgatitur
me qëllim që të prishet Besëlidhja si e
paraqitën shumë medie dhe gazetarë. Në të
vërtetë, me këtë rast të vrasjes, vulosen
vendimet e aprovuara në Kuvendin e
Besëlidhjes së Malësisë që për gjak të ndiqet
vetëm dorasi.
Siç dihet, Nue Vuksani me familje, i pranoi
vëllezërit e vrasësit në funeral, për të shprehur
ngushëllimet, si bëri mbarë Malësia, duke i
mbetur besnik besës së dhënë në ditën e
Besëlidhjes së Malësisë. Kështu në një atmosferë
plot dhembje e lot, buçitën fjalët e
arsyeshme, krenare dhe historike të Nue
Vuksanit Junçaj para popullit të Malësisë
kreshnike : “Besa e dhënë është më e madhe se
dhembja e familjes për trimin e vrarë…”.
Besëlidhja e Malësisë ishte ndjellamirë dhe
efektet e saj reflektohen edhe në trevat e tjera të
banuara me shqiptarë në Mal të Zi.
Në vitin 1990, jehona e Besëlidhjes së Malësisë
përcillet në Kosovën e lavdishme, në aksionin e
pajtimit të gjaqeve, të udhëhequr nga Anton
Çeta, kur u falën me qindra gjaqe dhe u pajtuan
shumë familje shqiptare. Një gjë e ngjashme
ndodhi edhe në Malësinë e përtej kufirit, në
Shqipëri, para 5-6 vjetësh.
Shihet qartë se jehona e Besëlidhjes së
Malësisë ishte shumë e madhe dhe efektet e saj
u reflektuan në mënyrë afirmative tek të gjithë
shqiptarët, por edhe tek popujt e civilizuar të
Ballkanit dhe më gjerë.
Vendimet e Besëlidhjes arritën publicitet të
madh edhe në shtypin e kohës. Me këtë ngjarje
historike të Malësisë u morën shumë studiues,
e ndër ata si më seriozin do të veçoja punimin
shkencor të dr. Martin Berishës “Besëlidhja e
Malësisë apo dy pushtete para çështjes së simbiozës”.
Pikërisht, me këtë tematikë është i lidhur
ngushtë edhe Disertacioni i doktoraturës së
tij.
Sot do të ishte civilizuese, humane dhe në
frymën evropiane që gjakmarrja të flaket dhe të
çrrënjoset krejtësisht nga ndërgjegjja e malësorit,
në mënyrë që në raste vrasjesh eventuale,
vetëm hetuesia, prokuroria dhe gjyqi i shtetit të
zbatojnë ligjin ndaj fajtorit. Në këtë mënyrë,
familja e dëmtuar e të të vrarit nuk do të ndiqte
më për gjak as fajtorin (dorasin) siç e
parashikonte Besëlidhja e Malësisë, sepse ai
veç është ndëshkuar nga gjyqi në bazë të ligjeve
pozitive të shtetit. /Koha Javore/

KOMENTOJE