Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Dacic kërkon një marrëveshje të re historike për rajonin e Ballkanit. Kjo sipas tij për t’i ikur “problemeve të mëdha në të ardhmen”.
Në një intervistë për të përditshme serbe “Politika”, Dacic ka vlerësuar se, në Ballkan akoma nuk janë zgjidhur çështja shqiptare dhe ajo serbe.
“Shqiptarët tashmë e kanë një shtet, tash në Kosovës po e krijojnë të dytin, kurse në të ardhmen ndoshta mund ta krijojnë edhe shtetin e tretë në Maqedoni”, deklaroi Daçiq, raporton agjencia e lajmeve INA.
Sipas tij, kjo situatë në Kosovë mundet t’i nxisë serbet që të mendojnë për pavarësinë. Ai nuk përjashton mundësinë që edhe serbet në veri të Kosovës të kërkojnë bashkimin me Serbinë.
Opinioni i GJND-së, me të cilin u vërtetua pavarësia e Kosovës, ka hapur idetë të reja në Serbi. Autoritetet e Beogradit kërkojnë nga Bashkësia ndërkombëtare një marrëveshje të re historike për Ballkanin. Sipas tyre marrëveshja duhet të jetë e karakterit strategjik.
Ndërkohë autoritet kosovare thonë se, opinioni i GJND-së i cili ishte në favor të pavarësisë së Kosovës, përfundimisht shuan çdo synim për çfarëdo ideje për ndarje të Kosovës. Përfaqësuesit e shqiptarëve në rajon, por edhe popujve tjerë, përjashtuar Serbinë, janë deklaruar kundër idesë së ndryshimit të kufijve. Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ilir Meta, ditë më parë në Shkup hapur kundërshtoi idetë për ndarje.
“Ende dëgjohen zëra për ndryshime kufijsh, për shkëmbime territoresh, pavarësisht se janë të izoluar dhe nuk e dominojnë klimën e përgjithshme pro-europiane që ekziston në rajonin tonë, prandaj kemi ritheksuar se prioritet i vendeve të rajonit tonë nuk mund të jetë kurrsesi ndryshimi i kufijve, por heqja e tyre, heqja e barrierave që pengojnë bashkimin e njerëzve, bashkimin e popujve dhe njëkohësisht bashkimin me Evropën”, thotë shefi i diplomacisë shqiptare. /INA/