Kodi i ri zgjedhor për Malin e Zi, i cili vlerësohet si një akt shumë i rëndësishëm politik, ndodhet në procedurë parlamentare dhe ka ngjallur reagime të ndryshme, por edhe me këtë rast shqiptarët, përsëri shfaqen të përçarë, raporton KosovaLive. Derisa tre deputetët e tri partive nacionale shqiptare, Genci Nimanbegu i Forcës së Re Demokratike, Mehmet Bardhi i Lidhjes Demokratike dhe Amir Hollaj nga Perspektiva, e quajnë të papranueshëm Kodin e ri zgjedhor, Ferhat Dinosha ka mendim tjetër.
Kryetari i UDSH, Ferhat Dinosha, që njëherësh është ministër i të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave në Qeverinë e Malit të Zi, thotë se në Unionin Demokratik të Shqiptarëve /UDSH/ mendohet se modeli i propozuar i legjislacionit të ri që ndodhet në procedurë kuvendore, do të mund të pranohet, por “me kusht që të suprimohet censusi prej 3 për qind, i domosdoshëm që partitë e pakicave të marrin pjesë në shpërndarjen e mandateve”.
Ai shton se propozimi aktual i dy subjekteve politike qeverisëse, Partisë Demokratike të Socialistëve /PDS/ dhe Partisë Socialdemokratike /PSD/ nuk është larg zgjidhjes së mirë, edhe pse për momentin është i papranueshëm.
“Unë, si lider i partisë më të madhe shqiptare në Malin e Zi, me disa korrigjime, do ta përkrah këtë model si të mirë për shqiptarët dhe pakicat tjera”, vlerëson Dinosha.
Modelin aktual e kanë propozuar deputetët e koalicionit qeverisës, Miodrag Vukoviq /PDS/ dhe Rifat Rastoder /PSD/, me të cilin ndër të tjera parashihet që Mali i Zi të jetë një njësi zgjedhore dhe në shpërndarjen e mandateve të deputetëve të marrin pjesë listat zgjedhore të cilat kanë siguruar së paku përkrahjen 3 për qind të zgjedhësve të dalë në votime.
Dinosha kritikon partitë opozitare shqiptare, të cilat kërkojnë mandatet e garantuara, duke thënë se Mali i Zi edhe deri më tash ka qenë një njësi zgjedhore. Sipas tij, kanë ekzistuar vende të posaçme votimi të cilat kanë dhënë pesë mandate për shqiptarët, por këto nuk kanë qenë mandate të garantuara dhe për to kanë konkurruar të gjitha partitë pjesëmarrëse në zgjedhjet përkatëse./Koha Net/