“Shoqata jonë bashkë me ju e me ndihmën e mediave elektronike e të shkruara të Kosovës po bën përpjekje të sensibilizojë opinionin vendor e ndërkombëtar dhe institucionet e Kosovës e Shqipërisë për gjendjen reale në Malësinë e Madhe, në Kosovën Lindore dhe në trojet tjera shqiptare”, u ka thënë pjesëmarrësve të tryezës, Ukshin Jashari , kryetar i Shoqatës “Martin Dreshaj”.Ai pastaj ka falënderuar Kuvendin komunal të Pejës për mirëkuptimin dhe Gjon Dedvukajn e Shoqatën Atdhetare “Dedë Gjo Luli” për përkrahjen në veprimtarinë e Shoqatës. Kjo tryezë e mbajtur në ambientet e e sallës së takimeve të asamblesë komunale ka bërë bashkë përfaqësues nga trojet etnike, nga Shoqata Atdhetare “Dukagjini” e Shkodrës, nga Lëvizja Vetëvendosja, OJQ-ja “Syri i Vizionit dhe Shoqata të tjera. Takimi është përcjellë me vëmendje nga shumë media elektronike e të shkruara të Kosovës.
Ndue Sanaj me një delegacion nga Shoqata Atdhetare “Dukagjini” ka përgëzuar organizatorin e këtij takimi. “Kombi ynë vazhdon të unifikohet në shumë sfera e për këtë shembull i mirë janë Shoqata “Dukagjini” dhe ajo “Martin Dreshaj”, që , me aktivitete të përbashkëta janë bërë shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit vëllazëror. Meritojnë lëvdata edhe veprimtarët e Ansamblit “Shpëtimi”nga Medvegja e Kosovës Lindore dhe veprimtarët e saj Rexhep Abazi, Shefki Halimi e shumë të tjerë, të cilët po mbajnë të gjallë fjalën e bukur shqipe përmes këngës e skenës në Kosovën Lindore” ka thënë Sanaj.
“Për siguri të bashkëkombësve tanë që u shkelen të drejtat në shtetet jashtë Kosovës dhe Shqipërisë është nevojë e domosdoshme që të kemi bashkim kombëtar sepse ashtu do të ishim unik e të fuqishëm dhe armiqtë pastaj do ta kishin shumë vështirë të luanin e të eksperimentonin me të drejtat e shqiptarëve. Bashkimi kombëtar nuk është histori po nevojë e kohës edhe në aspektin ekonomik sepse investitorë nga kompani të mëdha nuk investojnë në tregje të vogla. Institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë duhet të kërkojnë veprime reciproke lidhur me të drejtat e shqiptarëve, gjegjësisht që të kërkojnë që të drejtat që i kanë serbët në Kosovë t’i kenë edhe shqiptarët në Kosovën Lindore e kudo tjetër jashtë kufirit të shtetit amë. është shprehur Dardan Molliqaj nga Lëvizja “Vetëvendosja”,
“Gjendja e shqiptarëve jashtë dy shteteve shqiptare është e keqe. Për Medevegjën pak dinë shqiptarët e le më të tjerët. Medvegja, Bujanovci e Presheva janë vise shqiptare dhe prandaj duhet bërë më shumë për to. Në të tri këto komuna të drejtat e shqiptarëve shkelen në çdo hap. Neve na mungon çdo gjë dhe për këtë gjendje njw pjesw tw fajit e kanw edhe institucionet shtetërore të Shqipërisë, që nuk po e ngritin zërin për këtë situatë në takimet me zyrtarët serb gjatë vizitave të ndërsjella” ka thënë prof. Rexhep Abazi, paraqitja e të cilit ta zgjuar emocione të gjithë pjesëmarrësit e tryezës dhe të përfaqësuesit e shumtë të mediave.
“Janë shumë lajme që vijnë nga Malësia e Madhe e Kosova Lindore e që flasin për gjendjen mjaft të rëndë të shqiptarëve në këto troje etnike” ka deklaruar Rrahman Jasharaj,koordinator për trojet etnike i Shoqatës “Martin Dreshaj” duke udhëhequr këtë tryezë. “Podgorica po bën lojë të keqe, tinëzare e djallëzore lidhur me kërkesën legjitime të Malësisë për komunë të plotë. Kjo e drejtë Malësisë i takon edhe me Kushtetutën e Malit të Zi edhe me Ligjin për administrim lokal, por edhe me Konventa e Dokumente të tjera ndërkombëtare, por Podgorica dhe disa zyrtarë shqiptarë atje, po bëjnë lojëra politike me këtë çështje duke e mohuar Referendumin, si e drejtë legjitime dhe duke përmendur data pas 3 e 4 vitesh për këtë çështje madhore për Malësinë”, ka kritikuar koordinatori i Shoqatës “Martin Dreshaj” Ai ka shtuar se “ Ide e përkrahur nga pjesëmarrësit e kësaj tryeze është që në të ardhmen e afërt në Prishtinë apo Tiranë të organizohet një tryezë e madhe e pjesëmarrjen e zyrtarëve e veprimtarëve nga trojet etnike në mënyrë që para institucioneve të Shqipërisë e bashkë me ta të debatohet për gjithë realitetin dhe të merren hapa konkret që në mënyrë institucionale e përmes takimeve mes shteteve të mbrohen të drejtat e garantuara të shqiptarëve jashtë kufirit të Shqipërisë, ashtu si e obligon shtetin shqiptar edhe Kushtetuta e tij”
“Institucionet shtetërore shqiptare duhet të debatojnë bashkërisht për temat që janë prekur në këtë tryezë. Bashkëpunimi kulturor , arsimor , sportiv dhe në fushat tjera janë elemente të mira të unifikimit të kombit”, ka thënë Veton Mujaj nga OJQ “Syri i Vizionit”. Ai ka uruar organizatorin për këtë tryezë..
Pas përfundimi të punimeve, pjesëmarrësit e tryezës janë gjendur në Deçan në një takim vëllazëror me kryetarin e kësaj komune, Rasim Selmanaj “Shprehim solidaritetin e pjesëmarrësve të tryezës dhe të e shqiptarëve nga trojet etnike me kërkesën për lirimin sa më të shpejtë të ish kryeministrit të Kosovës dhe ish komandantit të UÇK-së për Zonën Operative të Dukagjinit, z. Ramush Haradinaj”, i ka thënë Selmanajt koordinatori për trojet etnike i Shoqatës. Selmanaj ka qëndruar në një takim të gjatë me mysafirët e tij duke i falënderuar për vizitën dhe duke shprehur bindjen se Haradinaj do të kthehet sa më shpjet mes familjes dhe shokëve të tij. /Rrahman Jasharaj/