Amerikanët me një minutë heshtje kanë përkujtuar sot viktimat e vrara nga sulmet terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001 në Nju Jork dhe Uashington.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, së bashku me sekretarin e Mbrojtjes, Robert Gejts do të marrin pjesë sot në një ceremoni përkujtimore në Pentagon me rastin e nëntë vjetorit të sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.
Në Nju Jork, emrat e 2752 njerëzve që humbën jetën nga ato sulme do të lexohen me zë të lartë nga anëtarët e familjeve të tyre. Atje do të mbahen minuta zije pikërisht në kohën kur avionët goditën njëra pas tjetrës kullat binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë dhe më pas kur të dy ndërtesat u shembën.
Aktivitete përkujtimore po mbahen në gjithë vendin për të nderuar viktimat. Në ceremoninë zyrtare në Nju Jork do të marrë pjesë nënpresidenti, Xhozef Bajden, dhe zonja e parë, Mishell Obama, ndërsa ish zonja e parë Llora Bush do të shkojë në Shanksvill të Pensilvanisë, kur u përplas avioni i katërt i rrëmbyer.
Pjesëtarët e organizatës terroriste Al-Kaida më 11 shtator të vitit 2001 rrëmbyen katër avion udhëtarësh, me ç`rast me dy prej tyre goditën kullat binjake të Qendrës Botërore Tregtare (WTC) në Nju Jork.
Me avionin e katërt u sulmua Pentagoni, ndërsa i katërti u rrëzua në Shensvil në Pensilvani, pasi që udhëtarët ishin përleshur me sulmuesit.
Presidenti Obama me rastin e këtij nëntë vjetori i ka ftuar qytetarët e Amerikës për tolerancë fetare dhe se sipas tij, Qeveria është e vendosur që të kap organizatorët e këtij sulmi, që janë terroristë të Al-Kaidas dhe jo pjesëtarë të fesë islame.
“E shtuna duhet të jetë ditë kur jo vetëm se do të shprehim keqardhje, por duhet të tregojmë se nuk jemi në luftë kundër islamit. Ne jemi në luftë kundër organizatave terroriste, të cilat e kanë keqpërdorur islamin apo e kanë shfrytëzuar me gënjeshtra, duke përdorur sloganin e islamit për veprat e tyre destruktive”, ka theksuar presidenti Obama, gjatë brifingut të tij me gazetarët pranë Shtëpisë së Bardhi.
Sipas tij, amerikanët patjetër duhet të mbajnë mend se lufta jonë është kundër terroristëve të Al-Kaidas dhe jo kundër tërë botës myslimane.
Presidenti amerikan deklaroi se SHBA-të e kanë përzënë Osama Bin Ladenin në thellësi të nëntokës, por megjithatë amerikanët gjatë viteve të ardhshme do të ballafaqohen me sfidat e terrorit nga ekstremistë të tjerë.
Sipas një raporti të një grupi që udhëheq komisionet 9/11 për sulmet terroriste, bëhet e ditur se terroristët janë bërë çështje komplekse dhe se Al-Kaida ka zgjeruar strategjinë e saj me degët e saj në Jemen dhe Somali. /INA/