Urimet me rastin e 10 vjetorit të Malesia.Org

Urime!

Edhe ne me gjithë zemër u bashkëngjitemi urimeve të shumta për punën e madhe që portali “malesia.org” me themelues Robert Ivezaj me bashkëpunëtor bëri për këto dhjetë vite në shërbim të publikimit të ngjarjeve dhe informacioneve të ndryshme që ndodhen në Malësi, Diasporë dhe më gjerë.
Prandaj meritë dhe lëvdate të veçante duhet t’u dërgohet këtyre të rinjve që për këto dhjet vite, jo të lehta, nuk u lodhen dhe nuk u demoralizuan edhe pse shumë herë u ballafaquan me probleme, akuza, dhe shantazhe të llojllojshme prej individëve dhe qarqeve të caktuara që nuk ia dëshirojnë të mirën Malësisë dhe shqiptarëve në përgjithësi.
Por këta, me ketë vendosmëri treguan dashurin që kanë për Malësi dhe besimin e tyre në rendësin e informimit të drejtë.
Pra, edhe një herë, urime dhe suksese edhe më të mëdha.
Si dhe dëshirojmë dhe shpresojmë që urime të ngjashme t’u dërgojmë për shumë përvjetorë tjera për vite dhe dekada në vijim.

Shoqata “Malësia e Madhe” Detroit, Michigan.
Kryetar Gjergj Ivezaj

—————————————————————————————–

Urimi i ”Listës për Tuzin”

Në emër të Grupit Qytetarë “Lista Për Tuzin” ju uroj për këtë jubile kaq të rëndësishëm jo vetëm për web faqën tuaj elektronike por edhe për informimin në gjuhën shqipe në përgjithësi. Puna juaj është një dëshmi e vertet e dashamirësisë dhe përkushtimit në drejtim të senzibilizimit e opinionit shqiptar, kudo në botë dhe një dritare besnike në shtëpitë e shumë bashkombasve tonë që jetojnë larg vëndlindjes.
Përveç këtyre meritave Portali “Malësia.Org.”, për 10 vite me rradhë, luajti një rol të madh në rrjellat politike, shoqërore, humanitare e kulturore në Malësi dhe më gjërë.
Uroj edhe shumë dekada tjera të suksesëshme

Me sinqeritet
Përfaqësuesi i Grupit qytetarë “Lista Për Tuzin”
Muhamed Gjokaj

—————————————————————————————–

Telegram-Urimi

Drejtuar: Stafit të Portalit Malësia.Org.

Të nderuar bashkëmalësorë të mi!
Të nderuar pjesëtar të stafit të Portalit Malësia.Org!

Është kënaqësi e madhe e imja jo vetëm në cilësinë e N/Prefektit por dhe si një malësorë që e don me gjithë shpirt dhe kontribuoj për çdo ditë për shtëpinë e përbashkët të të gjithë malësorëve që ka një emër shumë kuptimplot Malësi e Madhe e t’Ju uroj për 10-vjetorin e Malësia.Org.
Nëpërmjet Portalit Tuaj është sjellë dhe sillet në memorien e gjithsecilit jo vetëm aktiviteti i përditshëm politik, ekonomik, kulturor, shoqëror etj. por edhe historia legjendare e trevës sonë e cila pa dashur ta mbivlerësoj ( pasi këtë e ka bërë kontributi i atyre që e ngriten Malësinë e Madhe në piedestalin që i takon ), por është detyrë e imja ta dua, ta respektoj dhe ta përshëndes në çdo çast pasi ndihem shumë krenarë që jam malësorë.
Dhe në këtë respekt dhe krenari keni patjetër kontributin Tuaj edhe Ju stafi i mrekullueshëm Malësia.Org.
Ndaj dhe njëherë gjej rastin jo vetëm t’Ju uroj për punën e deritanishme Tuajen por dhe t’Ju inkurajoi për më tej në detyren fisnike dhe historike që keni marrë dhe po merrni përsipër të bëni.

Me respekt për të gjithë Ju
N/Prefekti
Sytki Ndrecaj

Koplik me 14.09.2010
Republika e Shqipërisë
Prefektura e Qarkut Shkodër
N/Prefekti Malësi e Madhe

—————————————————————————————–

Portalit Malesia.Org

Me rastin e përvjetorit të dhjetë të punës së portalit Malesia.Org, për kontributin e jashtëzakonshëm sa i përket informimit të opinionit të gjerë shqiptarë por edhe ma gjerë lidhur me të rejat e kësaj pjesë të Arbërisë, në Mal të Zi, në emër të Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Malin e Zi dhe në emrin tim personal pranoni urimet më të sinqerta me dëshirën që suksesi juaj të vazhdojë si gjerë me tani, edhe për 100 vjetet e ardhshme.

Kryetari i KNSH
Tahir Tahiri

—————————————————————————————–

I nderuar staf i “Malësia.Org”,

Ju përgëzoj për këtë jubile të rëndësishëm për faqën tuaj elektronike dhe për informimin në gjuhën shqipe, në përgjithësi. Me këtë rast mund të them se portali “Malësia.Org.”, për këto 10 vite, luajti një rol të madh në senzibilizimin e opinionit shqiptar, anemban botës, mbi rrjellat politike, shoqërore, humanitare e kulturore në Malësi, e shpesh edhe më gjërë. Përpos rolit informativ, ky portal, pati një rëndësi të veçantë për faktimin-dokumentimin e shumë ngjarjeve, të cilat, përmes këtij portali, do të mbeten të ruajtura nga harresa, për çka, jam i mendimit se, rëndësia do ti shtohet në të ardhmen. Përpos kësaj, Portali u bë edhe pikëpjekje e opinionistëve të shumtë, të cilët, edhe pse shpesh herë edhe në formë anonime, përmes forumit të tij patën rastin që të shprehin mendimet e veta lidhur me çështje, dukuri e persona publikë. Edhe pse ka pasur raste që forumi të keqpërdoret, kryesisht nga dashakqinjët e çështjes shqiptare, vlerësoj se ai ka luajtur rol pozitiv në krijimin e kulturës së dialogut ndër polemizuasit e ndryshëm të cilët as që kanë ndonjë përvojë të tjetër të shkruari. Pra, përsonalisht e vlerësoj shumë kontributin që ky portal i ka dhënë çështjes shqiptare. Andaj me plotë gojën përgëzoj themeluesin e tij, për këtë përvjetor jubilar, me shpresë se edhe në të ardhmen do të jetë në shërbim të informimit të mirëfilltë, objektiv, real dhe sa më të shpejtë. Shfrytëzoj rastin që stafin e Portalit ta falenderoj edhe për bashkëpunimin korrekt që patëm, që nga themelimi i tij e deri më sot, qoftë për aktivitetet partiake, qoftë për ato të krytarit të Kuvendit të KU të Tuzit, qoftë edhe për shkrimet e mia personale-autoriale, për të cilat çdo herë pati vend në faqet e tij.

Me respekt Nikollë Camaj.

—————————————————————————————–

Stafit Malesia.Org,

Shoqata Dede Gjo Luli nga NY perdore rastin t’ju uroje 10 vjetorin e themelimit dhe punen e mbare ne lemine e gazetarise dhe njoftimit medial te mbare Malesise se Madhe, si ne vendlindje ashtu edhe ne diaspore. Ju sot sherbeni si dritarja e vetme ne shoqerine dhe te afermit tone te Malesise. Ju pershendesim perzemersisht, falenderojme ne njoftim te tubimit dhe ju urojm sukses ne te ardhmen me shprese te bashkepunimit te metejme mes nesh.

Urime 10 vjetori i themelimit!

Gezuar,
Shoqata Dede Gjo Luli
New York, SHBA

—————————————————————————————–

Një festë e madhe për gazetarinë shqiptare

Portali Malesia.Org po mbush në këtë 14 shtator 10 vjet të punës së vështirë, por krenare në informimin e drejt e të saktë të lexuesve shqiptarë anë e kënd botës për ngjarjet në Malësi e rreth saj. Kjo është një datë e festës së madhe të gazetarisë shqiptare sepse ky portal për gjithë këto vite kreu me përkushtim e dinjitet detyrën e madhe të informimit shqip. Malesia.Org në këtë dekadë ishte kthyer në një dritare të së vërtetës. Furtuna kishin fryrë për ta mbyllur e thyer atë, por morali i fortë, dashuria për Malësinë, kombin dhe çdo gjë shqiptare i kishte armatosur me qëndresë e dinjitet djelmoshat e stafit të këtij portali dhe nuk u dorëzuan as atëherë kur përballeshin me mungesë të kushteve elementare për punë e angazhime e as atëherë kur dofarë kokëmykurish hidhnin gur pa as edhe më të voglën arsye mbi këta djelmosha e malësorë të vërtetë.

Malesia.Org punoftë e jetoftë sa vet malet epike të Malësisë dhe i priftë gjithmonë e mbara në punën humane e atdhetare të informimit të drejt dhe plasimit guximshëm të së vërtetës. Të punësuarit në këtë portal meritojnë respekt dhe kanë pse të krenohen në këtë datë të madhe për gazetarinë shqipe. Ata kishin ngritur guximshëm zërin kundër padrejtësive që po i bëheshin Malësisë. Kishin ngritur zërin botërisht edhe në kërkim të lirimit të vëllezërve tanë nga burgu famëkeq i Shpuzit. Ata gjithmonë ishin dhe mbeten zëri i Malësisë e për Malësinë. Ky portal ka bërë shumë lexues edhe në Kosovë. Shumë njerëz nga kjo pjesë e madhe e Shqipërisë janë edhe anëtarë të forumit dhe marrin pjesë aktive aty. Ka edhe raste kur me ndonjë gjë nuk i qëllojnë krejt, por e duan këtë forum sepse e nderojnë shumë e me arsye portalin Malesia.Org.

Ky portal ishte në shumë vende për të përcjellë nga afër e për të informuar lexuesit e shumtë shqiptarë kudo në botë për gëzimet, arritjet, përpjekjet dhe hallet e shqiptarëve në trojet etnike. Duke qenë afër portalit njeriu mësonte lajme të gëzuara e të pikëlluara për Malësinë dhe të dukej se edhe vet je në këtë truall të Dedë Gjo Lulit e trimave të tjerë. Të dukej se je duke bashkëbiseduar me gjithë vëllezërit në Hot, Grudë, Kojë e Triesh. Ky portal ia ofrojë afër syrit e zemrës Malësinë gjithë malësorëve në mërgatë, por edhe gjithë atyre shqiptarëve tjerë që e duan dhe e nderojnë Malësinë. Këta djelmosha kanë krijuar respekt të lartë kudo dhe prandaj në shenjë të këtij respekti edhe në Pejë e Kosovë do të festohet me takime e aktivitete ditëlindja e 10 e Malesia.Org. Kryesia e Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë – Malësi e Madhe “Martin Dreshaj” nga prilli i vitit 2010 njeh edhe nga afër djelmoshat e vyer të stafit të këtij portali dhe i di e çmon për vëllezër. Në Pejë do të festohet për këtë datë me rëndësi të gazetarisë shqiptare dhe prandaj Shoqata jonë do të organizojë një takim feste me këngë e valle e respekt të punës së madhe të portalit Malesia.Org. Nga kjo festë do të nisim urimin dhe lutjen për djelmoshat e stafit të këtij portali. Ju priftë e mbara në punën dinjitoze vëllezër dhe mos iu dorëzoni furtunave e fjalëve të ndonjë tekanjozi qëllimkeq. Është nder të plasosh të vërtetën dhe të jesh zë i popullit e vendit tënd në kohë të vështira dhe prandaj ju meritoni respektin nga të gjithë ata që janë vërtetë shqiptarë dhe që e duan Malësinë tonë dhe tuajën.

Rrahman Jasharaj

KOMENTOJE