Opozita në Ulqin negocion për koalicion

Tri partitë parlamentare shqiptare, si Forca e Re Demokratike, Perspektiva dhe Lidhja Demokratike në Mal të Zi kanë nisur të bisedojnë për të bërë koalicion edhe në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të 17 tetorit në Ulqin të dalin me një listë, raporton KosovaLive.

Takimin e para festës së Bajramit të Madh, me ftesë të Forcës së Re Demokratike, në hotelin “Evropa” në Shkodër, të hënën e konfirmoi edhe lideri dhe deputeti i Perspektivës, Amir Hollaj.

“Duke u mbështetur në takimin e parë që kishim në Shkodër, jam optimist se sa më parë do të arrihet koalicioni, duke përfillur kështu edhe vullnetin e zgjedhësve. Tash kaloi festa edhe negociatat do të vazhdojnë mes tre subjekteve politike opozitare,” shton Hollaj.

Lideri i Forcës së Re Demokratike, partisë më të madhe shqiptare në Mal të Zi, Nazif Cungu thotë se Këshillit Qendror i saj ka vendosur që ky subjekt politik të dalë me listë të përbashkët me Perspektivën edhe Lidhja Demokratike në zgjedhjet lokale në Ulqin, por “ende nuk ka vendim përfundimtar nga asnjëra parti shqiptare.”

Forca në zgjedhjet e 23 majit ka siguruar 11, Perspektiva 1 dhe Lidhja Demokratike 1 këshilltar.

Kryetari i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, Mehmet Bardhi citohet të ketë thënë se duhet formuar një koalicion të gjerë për të marrë rezultate të mira e për të arritur të largojmë nga pushteti ata të cilët e kanë humbur besimin e votuesve. /Koha Net/

KOMENTOJE