Konfuzion rreth listave shqiptare në zgjedhjet lokale në Ulqin

Rëndom mbretëron një konfuzitet i vërtetë tek partitë politike, sidomos ato shqiptare, kur bëhet fjalë për listat në zgjedhjet e të gjitha niveleve, lokale apo shtetërore në Malin e Zi.
Kësaj radhe në Ulqin nuk dihet fare, madje nuk ka as parashenja, se me sa lista do të garojnë subjektet politike shqiptare në zgjedhjet vendore të 17 tetorit.
Kryetari i Komisionit Zgjedhor Komunal, Pjetër Lulgjuraj, sipas KosovaLive, thotë se afati i partive politike për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme lokale në Ulqinit është deri në mesnatën e 22 shtatorit.
Sipas ligjit ekzistues zgjedhor, partitë politike apo iniciativat qytetare që kandidohen për zgjedhjet e ardhshme lokale duhet të kenë 172 nënshkrime të qytetarëve me të drejtë vote.
Socialistët kanë deklaruar me kohë se do të dalin vetëm. Prej burimeve të informuara mirë, KosovaLive merr vesh të shtunën se negociatat për mundësitë e koalicionit, pas takimit në Shkodër, nuk janë duke ecur mirë. Sipas këtyre burieve, Lidhja Demokratike në Mal të Zi këmbëngulë që të ruajë emrin e vete në listën kandiduese.
Edhe pse lideri i Unionit Demokratik të Shqiptarëve (UDSH), Ferhat Dinosha thotë se janë në kërkim të partnerëve, pa zbardhur emrin e asnjë partneri të koalicionit, është shumë e sigurt se UDSH do të formojë listën zgjedhore me Partinë e Prosperitetit Demokratik.
Mbetet e paqartë se cilit krah do t i qaset fraksioni i Perspektivës, Forcës apo UDSH. Pikërisht ato vota mund të kenë ndikim të rëndësishëm në krijimin e shumicës së ardhshme parlamentare, duke e ditur se asnjë parti garuese nuk do të sigurojë shumicën e duhur në Parlamentin e Ulqinit, i cili ka 33 vende.

KOMENTOJE