Fier, hap dyert shkolla serbe. Ambasadori Zariç: Do hapim edhe të tjera

Fier, Shqipëri – Integrimi i Shqipërisë nënkupton edhe hapjen e shkollave për pakicat. Kështu u shpreh ambasadori serb Miroeljub Zariç, teksa ndodhej në fshatin e Rrethlibofshës ku dje u zhvillua dita e parë e mësimit në gjuhën serbe. Duke u kapur, si të gjithë të huajt në integrimin që pretendon vendi ynë, Zariç ta se “Shqipëria duhet të regjistrojë shembuj të tillë”.

Në fshatin Rrethlibofshë prej vitit 1924 është vendosur një komunitet i gjerë serbësh, fëmijët e të cilëve dje ishin mbledhur përpara godinës ku që nga e shtuna do të mësojnë gjuhën amtare. Ata kanë thënë se ndjekin shkollën 9-vjeçare dhe të mesme të bashkuar në Libofshë, ndërsa shumë prej tyre, entuziastë për hapjen e shkollës serbe janë shprehur se arsimin e lartë do ta vijojnë në Serbi. Madje, edhe punësimin shpresojnë ta realizojnë atje. Teksa i pyet lidhur me vendimin e vazhdimit të kësaj shkolle, fëmijët shprehen njëzëri se e kanë marrë vetë si një detyrim familjar, pasi në shtëpitë dhe miqësitë e tyre flitet vetëm serbisht.

Zilja e parë ka rënë në orën 10:00 dhe pas hyrjes së fëmijëve në shkollë, ka qenë ambasadori serb Miroeljub Zariç ai që ka përshëndetur i pari serbët e vegjël. Pasi u ka uruar suksese ambasadori Zariç nuk ka ngurruar të japë edhe leksionin e parë, atë të mësimit të alfabetit. Në dërrasë ai ka shkruar shkronjën e parë të alfabetit, A. Duke qeshur Zariç e ka komentuar shkronjën e parë me shprehjen A, si Albania.

Bashkë me ambasadorin në këtë ditë të parë të shkollës serbe është prezantuar edhe stafi pedagogjik. Zoran Hajkoja është mësuesi i gjuhës serbe. Ai ka udhëtuar nga Shkodra për të dhënë mësim në Rrethlibofshë. Hajkoja pohon se e ka vitin e tretë që jep mësim për gjuhën serbe. Mësuesi ka shpjeguar se do të përdorë një metodikë, e cila në Serbi përdoret nga të huajt. Sipas tij kjo metodikë është zgjedhur pasi “është metodika më e lehtë, ndërkohë që në të ardhmen programi do të jetë edhe më i avancuar”. Tek të gjitha bankat ndodheshin libra në gjuhën serbe. Me to janë pajisur pothuaj të gjithë nxënësit. Edhe në raftet e klasës, si dhe bazën materiale të vendosur në mure dallohen gërmat sllave.

Ndërkohë, asnjë nga titullarët e arsimit në rreth nuk ka qenë i pranishëm gjatë përurimit të kryer të shtunën në Rrethlibofshë. Vetëm kryetari i komunës, Nikolla Zaka, dhe drejtoresha e shkollës Libofshë kanë përshëndetur këtë nismë të komunitetit serb në zonë. Duke thënë disa fjalë serbisht, kryekomunari ka përqafuar ambasadorin, i cili nga ana e tij tha se “Shqipëria që pretendon integrimin, duhet të regjistrojë shembuj të tillë, të respektimit të të drejtave të pakicave”.

Pyetjes se a do të lejohen shkolla shqip në territoret serbe ku jetojnë shqiptarë, ambasadori Zariç iu përgjigj se “ashtu siç edhe konstatoi në vizitën e fundit që kreu në Serbi zëvendëskryeminsitri dhe ish-ministri i Jashtëm Ilir Meta, ne si shtet kemi lejuar dhe do të vijojmë të lejojmë shkolla për mësimin e shqipes”. Me një shqipe të vlerësueshme ambasadori Zariç ka përmendur edhe zonat serbe ku është lejuar një fakt i tillë. Teksa ka premtuar investim për një shkollë të re, ambasadori tha se “mjafton që u hodh hapi i pare. Të tjera investime do të kryhen në një të ardhme të afët”. Në shumicën e kohës ambasadori foli shqip. I shoqëruar nga një staf i gjerë, Zariç ka vizituar edhe ndërtimin e themeleve të para për një godinë të re shkollore. /Shekulli/

KOMENTOJE