Zoti Dinosha i përcolli Kryeministrit Berisha përshëndetjet e Kryeministrit të Malit të Zi Milo Djukanovic. Ai i shprehu Kryeministrit edhe përshëndetjet e ngrohta të shqiptarëve të Malit të Zi, të cilët e cilësojnë si arkitekt të një shqiptarie të re.
Zoti Dinosha vlerësoi ndihmën e çmuar të Shqipërisë në mbështetje të proceseve integruese edhe të Malit të Zi, ku shqiptaret përbëjnë një faktor relevant.
Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë për nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve që ekzistojnë midis dy vendeve, si dhe progresin nga ana etno-kulturore, me zhvillime pozitive brenda Kushtetutës së Malit të Zi dhe proceseve integruese.
Kryeministri Berisha gjithashtu vlerësoi lehtësirat që ka krijuar infrastruktura në shkëmbimet ekonomike dhe turistike midis dy vendeve dhe i bëri të ditur se së shpejti përfundon ndërtimi edhe i urës së Bunës dhe se në planet e qeverisë është edhe ndërtimi i rrugës Shëngjin–Ulqin.
Kryeministri Berisha dhe zoti Dinosha u shprehën edhe për intensifikimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit mes dy vendeve. /Keshilli i Ministrave/