Lucaj: Filmi është armë për të ndryshuar botën

Kishte qenë vetëm pesëmbëdhjetë vjeç kur ia kishte mësyrë Hollywoodit, vend të cilin e konsideronte të vetmin shteg për të gjetur udhën drejt suksesit kinematografik.
I lindur dhe i rritur në Detroit, ku prindërit e tij ishin shpërngulur nga Malësia e Madhe, aktori e regjisori shqiptar Mark Lucaj (31), do të arrinte që të “fuste kokën” në njërën nga shkollat më të mira të aktrimit në Los Angeles. Pak kohë do t’i duhej të kuptonte që orientimi i tij artistik i përkiste më shumë regjisë. Fati ia kishte “kurdisur” që të bëhej dora e djathtë e Quentin Tarantionos, në kohën kur po realizonte filmin “Jackie Brown”.
Që atëherë, Lucaj nuk i është ndarë regjisë, duke besuar se filmi është e vetmja “armë” që i shërben për të ndryshuar botën.

Në një bisedë për “Kohën Ditore”, Lucaj – i cili ka “zbarkuar” në Kosovë me ftesë nga festivali i filmit të shkurtër “Ninë Eleven”- ka folur për eksperiencën e tij kinematografike dhe synimet e tij për të ardhmen.

“Në moshën 16-vjeçare kam nisur shkollimin në njërën prej shkollave më të mira për aktrim, në Los Angelos. Aty duhej të ishe mbi 20 vjeç për të studiuar, por unë kam gënjyer për moshën dhe pas dy vjetëve kam diplomuar”, nis rrëfimin Lucaj.
Si i ri, asnjëherë nuk e kishte besuar se do të arrinte të shihte për së afërmi ndonjë regjisor të nivelit të Quentin Tarantionos duke dhënë urdhra për rrahjen e çakut.
Do të bëhej asistenti personal i Tarantinos në produksionin e të cilit ka punuar për disa vite.
“Kam pasur disa ndryshime të mëdha në jetën time dhe kam qenë me fat që kam pasur kontakt me njerëz si Tarantino që është një prej filmbërësve më të mëdhenj në botë dhe të punosh me të, të ndash gjysmën e ditës bashkë, ta ndihmosh atë, të jesh afër tij, e ka ndryshuar mënyrën se si e kam parë filmin”, ka thënë Lucaj pa hezituar të ndajë sekretin që e ka mësuar nga mjeshtri i filmit.
“Gjëja më e madhe që e kam mësuar nga Tarantino ishte të shihte se sa shumë ka punuar ai dhe sa shumë ka besuar në vetvete dhe në atë që ka bërë”, thotë ai.

Me gjithë eksperiencën e mirë, ambicia e Lucajt tejkalonte të qenët asistent. Pranimi në Institutin Amerikan të Filmit, në të cilin tashmë ka diplomuar në Degën e regjisë, për të kishte qenë mundësia e artë për të qenë sa më pranë filmit.

“Është një ndër shkollat më të mira në botë dhe kam qenë shumë i entuziazmuar që kam studiuar me profesorë si Frank Pirson, që ka qenë për disa vite president i ‘Academy Awards’. Atje e kam parë se mund të bëj film, kam nisur të besoj në vetvete më shumë, sepse nëse nuk do të isha i mirë do ta
braktisja këtë profesion”, ka thënë ai.
Ndërkohë, ai kishte pasur rastin të ushtronte edhe “zanatin” e aktorit.

“Kam pasur një ndër rolet kryesore në komedinë romantike ‘Peace after marrieage’ (Paqja pas martesës), film i cili është xhiruar dhe po presim finalizimin. Ka qenë një përvojë ndryshe, sepse role tjera që kam pasur, kanë qenë të gjitha serioze. Të luash në komedi, ishte si të shkosh në festë”, ka thënë ai.
Në moshën 20-vjeçare Lucaj do të arrinte të realizonte filmin e tij të parë, për realizimin e të cilit kishte shpenzuar edhe centin e fundit që kishte në xhep.
“Filmi është shfaqur në disa festivale në Los Angjelos dhe është mirëpritur”, ka thënë ai, duke shtuar se deri më tani, “bagazhi” i tij kinematografik
numëron pesë sosh.
“Aktualisht jam duke punuar në filmin tim artistik, të cilin besoj ta përfundoj në vitet e ardhshme. Ndërkohë, kam realizuar filmin e shkurtër “Etched”, i cili së shpejti do të shfaqet në festivale”, ka thënë ai.
Lucaj pranon se nuk e njeh mirë kinematografinë shqiptare, por i kanë mjaftuar pak ditë që të masë pulsin e kineastëve kosovarë. “Është e mrekullueshme se sa shumë entuziastë ka në Kosovë. Këtu ka shumë talente dhe kjo është më e mira”, ka thënë ai.
Teksa siguron se nuk do të heqë dorë asnjëherë nga filmi, Lucaj nuk heziton të pranojë se një çmim “Oscar” do t’i vinte “kapak” karrierës së tij.
“Do të ishte një moment i rëndësishëm në jetën time, por mendoj që rruga që bëjmë është më e rëndësishme se destinacioni”, ka thënë ai.
“Pavarësisht shpërblimeve, qëllimi im është ta shfrytëzoj kinemanë si një mundësi që t’i bëj njerëzit të mendojnë jashtë kornizave dhe ta shohin të njëjtën gjë nga këndvështrime të ndryshme”, ka thënë ai. /Koha Net/

KOMENTOJE