ROSh: Të mbrohet identiteti kombëtar shqiptar

Rrjeti i Organizatave Shqiptare, i cili është një forum i shoqatave nga Lugina e Preshevës, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Shqipëria dhe komuniteti çam, u bën thirrje forcave politike shqiptare dhe faktorëve shqiptarë në Maqedoni që të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin për të mbrojtur identitetin kombëtar shqiptar, përkundër përpjekjeve sistematike për të fshehur, apo nënvlerësuar praninë historike dhe kulturore autoktone të shqiptarëve në këtë shtet.

ROSH vlerëson se qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës, si edhe faktorët shqiptarë në Maqedoni një vëmendje të posaçme duhet t’i kushtojnë ruajtjes dhe forcimit të identitetit kombëtar të bashkësive shqiptare në Luginën e Preshevës, Malin e Zi, si edhe për mbështetjes së çështjes kombëtare çame.

RROSH gjithashtu i bën thirrje diasporës shqiptare që të angazhohet akoma më shumë për avancimin e interesave kombëtare dhe u bën thirrje qeverive dhe faktorëve politikë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi, për t’u mundësuar një pjesëmarrje më të madhe të diasporës shqiptare në hapësirën etnike shqiptare në Ballkan.

Në fund të takimit të tij të katërt, Rrjeti i Organizatave Shqiptare, miratoi një deklaratë, të cilin i’a adreson institucioneve dhe opinionit publik shqiptar.
“Ngjarjet e sotme në trevat kombëtare shqiptare nuk janë të shkëputura nga historia e kombit shqiptar, prandaj historia kombëtare e shqiptarëve
duhet të jetë një referim për orientimin e politikave të qeverive, forcave politike dhe faktorëve shqiptarë në të gjithë hapësirën shqiptare. RROSH u bën thirrje institucioneve kulturore dhe shkencore shqiptare që të bashkëpunojnë më ngushtë për të ruajtur dhe përcjellë në brezat e rinj të shqiptarëve
trashëgiminë, historinë dhe simbolikën kombëtare”, thuhet në deklaratën e ROSh-it.

RROSH bën thirrje edhe për një stimulim të bashkëpunimit ekonomik mbarëshqiptar duke lehtësuar shkëmbimin e mallrave dhe forcimin e sipërmarrjeve
shqiptare.
Në deklaratë e RROSHit gjithashtu kërkohet në vëmendje e posacme e faktorit shqiptar në procesin e numërimit të popullsisë që do të zhvillohen së shpejti në Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë.
“Kërkojmë nga qeveritë, institucionet, organizatat dhe publiku shqiptar që t’i konsiderojnë me përgjegjësi maksimale proceset e numërimit të popullsisë do të zhvillohen së shpejti në Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë. Gjithmonë duke pasur parasysh kontekstet politike dhe specifikimet e këtyre proceseve në vendet përkatëse duhet që proceset e numërimit të popullsisë shqiptare të shprehin gjendjen reale në terren dhe të mos manipulohen në dëm të interesave kombëtare shqiptare”, thuhet më tej në deklaratën e ROSH-it.

RROSH konsideron se arsimi i brezave të rinj me gjuhën, kulturën dhe identitetin shqiptar është një përparësi për shtetet dhe bashkësitë shqiptare. Për këtë gjë kërkohet hartimi i programeve dhe politikave të njëjta arsimore për shqiptarët kudo ku jetojnë. /INA/

KOMENTOJE