Shkolla shqipe hapet në Athinë

Një shkollë private shqipe është hapur sot në Athinë për fëmijët e emigrantëve shqiptarë që dëshirojnë të mësojnë gjuhën amtare.
Në ceremoninë e përurimit të kësaj shkolle ka marrë pjesë ambasadori shqiptar në Greqi, Dashnor Dervishi.

Shkolla Shqipe në Athinë është një iniciativë private e biznesmenit shqiptar, Lorenc Koka, i cili ka mundësuar për të shtatin vit rresht, mësimin e gjuhës shqipe për të gjithë fëmijët shqiptarë që dëshirojnë ta bëjnë këtë, tërësisht falas.
Koka thotë se ka investuar nga të ardhurat e tij personale për të pajisur klasat me mjete didaktike, ndërsa një ndihmë e madhe i është dhënë atij nga Këshilli Pedagogjik i Mësuesve Shqiptarë në Emigracion, nga komuniteti i emigrantëve dhe ambasada shqiptare në Athinë.
Koka i ftoi të gjithë emigrantët që jetojnë në Greqi, t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollat shqipe kudo qofshin ato, pasi vetëm në këtë mënyrë do t’iu mundësohet fëmijëve të mësojnë sakte dhe mirë gjuhën shqipe.

Ndërsa mësuesja Mimoza Hite, thotë se vetëm ajo ka libra në klasë. Mësuese Moza, siç e thërrasin nxënësit, u jep fëmijëve shqiptarë lëndën e gjuhës shqipe. Ajo sqaron se presin pajisjen me libra dhe baze didaktike së shpejti.
Ambasadori Dervishi, pasi përshëndeti fillimin e mësimit për këtë vit shkollor, u tha fëmijëve se shteti ynë po punon për plotësimin sa më shpejtë të jetë e mundur që edhe ata të kenë e mundësi të pajisen me libra në gjuhën e tyre.

Dhurohen 2000 Abetare, për fëmijët shqiptarë në Greqi

Problematika e ngritur disa ditë më parë nga Përfaqësuesi i mësuesve shqiptarë në Greqi, Jovan Mëhilli se mijëra fëmijë të emigrantëve shqiptarë në Greqi, nuk mund të mësojnë gjuhën shqipe për mungesë tekstesh, ka sjellë sensibilizimin e shoqërisë civile, e cila ka nisur donacionet për ti ardhur sa më parë në ndihmë atyre…
Në mes të donatorëve janë emra si shkrimtari, Leoni Papa, apo fituesi i Big Brother Jetmir Salaj, por edhe mësues të shkollave shqiptare, të cilët kanë dhnë kontributin e tyre.
Duke i vlerësuar së tepërmi donatorët për kontributin e tyre me Abetare dhe libra shqip, Mëhilli rikujtoi se Ministria e Arsimit duhet të angazhohet për të garantuar mbarëvajtjen e mësimit të gjuhës shqipe, fëmijëve shqiptarë në Greqi, pasi janë plot 120 mijë fëmijë shqiptarë, që kanë nevojë për mësimin e gjuhës amtare. /NEWS24/

KOMENTOJE