Çamçakëzi i quajtur Kosovë

Nëse shfletojmë haqe të shumta të historisë nga kohët e lashta do të vërejmë se Kosova kishte marrë mallkimin që t‘i ngjaj çamçakëzit, apo si i thonë disa shkurt sakëz. Në kohët e okupimit turk ishte e herë nuk ishte sanxhak dhe nuk i diheshin të drejtat. Në kohën e okupimit të egër serb Kosova e gjorë u bë vend i përtypjeve dhe log i gjakut të shqiptarëve. Herë u pushtua, herë u kolonizua e kurrë nuk është gëzuar. Në kohët e komunizmit palaço nga ky nënqiell e përdornin Kosovën për ta përtypur dhe sapo arrinin qëllimet e tyre dhe mbushnin xhepat e arrinin në kolltukë e hidhnin në mbeturina fjalën Kosovë e bashkë me të edhe tokën e saj.

Erdhi një kohë tjetër dhe bijtë më të mirë të këtij trualli Kosovën e çmonin, jo si çamçakëzin, po si truall shqiptarë dhe ia kishin dhënë besën se këtë degë të thyer nga pushtuesit dhe Evropa shtrigë do t’ia kthenin trungut. Ata në krye më Adem Jasharin e të udhëhequr nga flamuri ynë kombëtar shpalosën gjokset në shumë beteja të lavdisë duke dhënë jetën e tyre për lirinë e truallit. Kosova fitoi lirinë e merituar e të paguar me gjak, katrahura e vuajtje, por mbeti në cilësinë e çamçakëzit. Atdhetarët e devotshëm, një pjesë madhe e tyre, kishin rënë në luftë, e një pjesë e vogël e mbetur po mashtrohej pas luksit e privilegjeve . U vërtetua 1001 herë deklarata e mençur e Albinit se kombi ynë kishte në shekuj, vite e dekada njerëz që të keqes i thanë JO, por që nuk munden t’i thonë edhe të mirës Jo. Ata që i dolën përball vdekjes me armë në dorë dhe ata që kundërshtuan me tërë mundësitë okupimin me punë e laps me agun e lirisë iu nënshtruan lehtazi lakmisë dhe harruan pse ishin angazhuar. Ata nisen ta shohin Kosovën si çamçakëz. Njerëz që i kishte zgjedhur vota e popullit shkuan në Vjenë për të biseduar në emër të këtij trualli, por gjithë këtë angazhim dhe emrin Kosovë e kishin në mendje e veprim si çamçakëz sepse kërkuan dhe morën para të majme pse ishin në delegacione e këndej në popull kërkonin t’u thureshin këngë lavdie për angazhimet e tyre në Vjenë e qendrat tjera të Evropës e botës. Liderët e Kosovës me vepra sot e gjithë ditën po tregojnë se Kosovën e kanë kuptuar si çamçakëz . Kështu vepruan edhe po veprojnë . Ata më shumë po e dashkan partinë e tyre e të qenit kallauz se atdheun. A nuk u pa kjo edhe këtyre ditëve ? Kushtetuta është shkelur e vazhdon të shkelet nga “liderët “ e jo nga populli sepse të “mëdhenjtë” Kosovën e kanë kuptuar si sakëz. Këtë logjikë e kanë për këtë vend të gjorë edhe ndërkombëtarët sepse ata vijnë në shërbim këtu dhe nuk qajnë kokën se çfarë po ngjan. Për UNMIK-un ishte e rëndësishme të vazhdonte sa më gjatë koha e amullisë sepse ata e zhvatnin Kosovën dhe e hodhën pastaj mu si çamçakëzin që i është tretur ëmbëlsira dhe shija. Edhe EULEX-si vazhdon ta shikojë Kosovën si çamçakëzin. Në Veri nuk ka bërë e nuk bën gjë. Mes shqiptarëve bën ndonjë arrestim a bastisje spektakël dhe ndalet me aq. E kur ky “sakëzi “ i quajtur Kosovë nuk ka më shije e as ëmbëlsi për ta edhe EULEK-si do të ik nga këtu. /Rrahman Jasharaj/

KOMENTOJE