Federata Shqiptare e Futbollit do të presë përgjigjet e mjekëve në ditët në vazhdim për të vendosur mbi të ardhmen e Kuzhes në stolin e kombëtares shqiptare.
Presidenti i FSHF, Armand Duka ka konfimuar nga spitali ku vazhdon te jete i shtruar kroati, se në drejtim të skuadrës për këto dy ndeshjet e rradhës do të jetë zëvendësi i tij boshnjaku, Mustedanagic.
“Kemi vendosur që ndeshjen e radhës ta drejtojë asistenti i tij bashkë me Astrit Macin. Eshtë shpejt për të marrë një vendim për të ardhmen. Mjekët thonë që duhet të presim dhe ne do të presim”, thotë Duka.
Kur kanë kaluar 48 orët e para nga shtrimi dhe përcaktimi i diagnozës, mjeku Fatos Olldashi pohon se gjendja e Kuzhes është përmirësuar në krahasim me atë të 2 ditëve më parë.
“Gjendja paraqitet e mirë, vazhdon të jetë e stabilituzar, trajneri është optimist, është i interesaur për ndeshjet e ardhshme të ekipit shqiptar”, tha Olldashi.
Pritet që javën e ardhshme në spitalin amerikan në tiranë të vijë një neurokirurg amerikan I cili do të ndjekë nga afër edhe gjendjen shëndetësore të trajnerit të kombëtares shqiptare Josif Kuzhe.
Kuqezinjtë në kor: Kuzhe,të qëndrojë
Frika dhe ankthi kanë kaluar. Pas diagnostikimit me hemorragji cerebrale, parametrat jetësorë të Josip Kuzhe lënë vend për optimizëm.
Trajneri bisedon, diskuton për futbollin, vazhdon ta ketë mendjen te ndeshja e 8 tetorit ku Kombëtarja do të ketë përballë Bosnjë-Hercegovinën.
57-vjeçari jep direktiva, detyra për lojtarët, madje duke bërë edhe llogarinë e kartonëve dhe duke kërkuar kujdes, për të evituar ndëshkime të tjera të panevojshme. Por, mbi të gjitha duhet theksuar se Kuzhe shëtit nëpër pavijonin e spitalit ku ndodhet i shtruar dhe bën shaka.
Lajme shumë pozitive, të cilave i shtohet mbështetja dhe gatishmëria që të gjithë kanë shfaqur për drejtuesin e stolit të Shqipërisë. Por, më domethënës ka qenë veprimi i të gjithë lojtarëve kuqezinj.
Futbollistët që militojnë në Kategorinë Superiore, të grumbulluar për dy sfidat eliminatore të Euro 2012, vazhdojnë qëndrimin me orë të gjata në Spitalin Amerikan, ndërsa në mënyrë spontane kanë nisur garën (pa rivalitet), që të marrin siguri nga mjekët se trajnerit nuk do t’i mungojë asgjë. Ndërkohë, lojtarët e shumtë që luajnë në kampionatet e ndryshme jashtë vendit i kanë telefonuar bashkëpunëtorëve të trajnerit për të mësuar gjendjen e kroatit, ndërsa kanë biseduar edhe me drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit.
Këtyre të fundit u është kërkuar që të mos bëhet asnjë tentativë për gjetjen e një trajneri të ri, por të pritet rehabilitimi i plotë i Josip Kuzhesë, në mënyrë që ai të rikthehet në krye të skuadrës. “Gatishmëria e shfaqur nga futbollistët ka qenë e jashtëzakonshme. Ata që luajnë në kampionatin tonë vazhdojnë t’i qëndrojnë pranë trajnerit, ndërsa të tjerët që militojnë në ligat e ndryshme europiane, përveçse janë interesuar për gjendjen e tij shëndetësore i kanë kërkuar krerëve të federatës që Kuzhe të qëndrojë në krye të Kombëtares”, kanë pohuar burime pranë trajnerit. “Të gjithë kanë qenë të një mendimi: Josip Kuzhe është absolutisht trajneri më i mirë që ka pasur përfaqësuesja e Shqipërisë dhe atij duhet t’i lihet në dispozicion koha e nevojshme që të rehabilitohet nga hemorragjia cerebrale dhe të jetë i gatshëm për t’u rikthyer në stolin kuqezi”.
Përmirësimi
Shenjat e para të përmirësimit të gjendjes shëndetësore të trajnerit Kuzhe u dhanë që prej mbrëmjes së të enjtes. Ndërkohë që gjatë ditës së djeshme, sinjalet kanë qenë edhe më pozitive. Nikolin Filipi, shefi i anestezisë së spitalit ku ndodhet tekniku kroat ka deklaruar: “Në momentin që po flasim, gjendja e zotit Kuzhe është mjaft e përmirësuar, në krahasim me momentin kur ai u shtrua në spital. Parametrat jetësorë janë stabilizuar edhe më. Gjendja e trajnerit po ndiqet hap pas hapi dhe shpresojmë që analizat që na kanë mbërritur dhe ato që do të zbulohen së shpejti të tregojnë stabilitet. Kjo ka shumë rëndësi. Prof.dr, Mentor Petrela dhe Fatos Olldashi po bëjnë konsultime për këtë rast; shpresojmë që gjendja të përmirësohet dhe të mos ketë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale. Kuptohet që kur bëhet fjalë për hemorragji cerebrale duhet pasur shumë kujdes për vetë faktin se ka dëmtim të trurit. Në rastin konkret, hemorragjia ka ndodhur në pjesë shumë delikate, megjithatë jemi optimistë që gjendja do të vijë vetëm duke u përmirësuar”. /TCH/