Malësisë i duhet një fjalë e ëmbël vëllazërore

Shekulli XXI po lëshon shtat dhe njerëzit po rrahin gjokset e tyre duke thënë se është kjo kohë e shqiptarëve dhe nuk ngurojnë të numërojnë edhe ca arritje, të cilat edhe nuk janë për t’u hedhur krejt. Mirëpo as kjo dekada e këtij shekulli nuk po nxjerr në horizont se e gjithë çështje shqiptare do të zgjidhet shpejt, mirë e drejt. Trojet shqiptare të administruara nga Mali i Zi ndjejnë në kurriz mungesën e të drejtave elementare. Ata nuk ndjehen mirë, aq më tepër, kur shohin se në Kosovë e Shqipëri pakicave ekzistuese dhe atyre të shpifura, po u zbulohen të drejta nga më të shumtat dhe pak kush po ngrit zërin e po drejton gishtin nga është faji e fajtori. Evropa me mikroskop po shikon Kosovën e Shqipërinë dhe u kishte caktuar detyra mjaft të vështira në relacion ndaj pakicave e Malin e Zi e Serbinë e kishte kursyer nga to. Në Shqipëri pako plot tekste shkollore nga Beogradi. Në Shqipëri edhe shkolla për serbët, që deri dje nuk ishin e nuk dukeshin fare se janë aty. Thonë paskan ardhur te Fieri në vitin 1924 dhe tani u doli gjumi e ku ka rënë në mendje se qenkan “serbë”. Në Kosovë pakica serbe vetëm duhet ta hap gojën dhe i plotësohen të gjithë dëshirat me shkopin maxhik. Edhe pakica malazeze, që dikur mohoi gjenezën e saj, tani është zgjuar nga gjumi dhe nuk lë gjë pa kërkuar në emër të demokratizimit të Kosovës, por as njëra as tjetra nuk pranojnë ta thonë se Kosova është shtet. Këtë vend e thërrasin me emërtime të vjetra ndjellakeqe.

Ky është realiteti i kohës dhe është kështu ngase Evropa po vazhdon me ato lojërat e saj që të mbetet për dikë nënë e për dikë njerkë dhe shqiptarët nuk mund ta ndërrojnë shpejt këtë gjendje, por ata mund të bëjnë diçka tjetër. Ata mund të bashkohen me mendje, me këngë, valle e me halle dhe mos të nxjerrin nga fundi i barkut fjalë të rënda për njëri-tjetrin. Ata munden dhe duhet ta kthejnë gjithë atë atmosferën e mirëkuptimit e dashurisë vëllazërore që ka mbretëruar me shekuj mes shqiptarëve në trojet tona. Ata mund t’i nisin , bile, nga një fjalë të ëmbël e vëllazërore Malësisë së Madhe dhe t’i tregojnë se ajo ka kudo jetojnë shqiptarët vëllezër që e duan dhe respektojnë dhe që qajnë e qeshin bashkë me të. Kjo nuk është e vështirë dhe mund të bëhet edhe nga Sali Berisha, Fatmir Topi, znj. Topalli, po edhe nga Thaçi, Japup Krasniqi dhe nga liderët tjerë pozitarë e opozitarë. Kjo fjalë vëllazërore do të mund të niset çdo ditë drejt Malësisë dhe vëllezërve tonë atje edhe nga ne njerëzit e thjeshtë. Pse jo. Sa e themi ndonjë fjalë dëshpërimi e që nxit përçarje ta nisim nga një përshëndetje dhe fjalë që krijon ndjenja të mira dhe vullnet e forcë për ardhmërinë. Malësia ka nevojë për fjalën tonë të qetë e të bukur sot dhe gjithë ata djelmosha atje me burrat që i ka ai vend kreshnik do të ndjehen mirë dhe do të bëhen kokë me kokë për të qarë e për të qeshur bashkë. Malësisë ia kemi obligim një angazhim të sinqertë dhe fjalën e dashur vëllazërore. Ia kemi sepse ajo na ka vënë në borxh ne shqiptarëve të Kosovës në kohët e liga të viteve të vrara . Ajo atë kohë i hapi burrërisht dyert, zemrat dhe na shëroi plagët dhe na ruajti nderin. /Rrahman Jasharaj/

KOMENTOJE