Mustedanagiq sfidon ekspertët: Jemi në lojë për Euro2012

Trajneri boshnjak Xhemal Mustedanagiq, në një intervistë për Kohën Ditore vlerëson se Kombëtarja e Shqipërisë është ende në garë për njërën nga dy pozitat e para në Grupin D eliminator për “Euro 2012”. Mustedanagiq drejtoi “kuqezinjtë” në dy ndeshjet e fundit eliminatore dhe thotë se kombëtarja nuk rrezikon që të përfundojë në pozitën e parafundit në grup, si në eliminatoret për “Afrika e Jugut 2010”, megjithëse nuk tregon se cili ekip tjetër pos Luksemburgut mund të përfundojë më poshtë se Shqipëria.
Shqipëria të premten e kaluar në Tiranë barazoi 1:1 me Bosnjë-Hercegovinën, ndërsa të martën humbi 2:0 në Minsk nga Bjellorusia. Pas barazimit me boshnjakët, Shqipëria ra nga pozita e parë në të dytën, ndërsa pas humbjes nga bjellorusët ra në pozitën e tretë. Në katër ndeshjet e deritashme Shqipëria ka mbledhur pesë pikë, katër më pak se Franca që është lidere dhe tri më pak se Bjellorusia që është e dyta.
“Ne për këto eliminatore ishim pjesë e vazos së pestë. Kjo do të thotë se Franca, Bosnjë-Hercegovina, Bjellorusia dhe Rumania janë vlerësuar më të forta se ne. Nëse merret për bazë ky vlerësim, atëherë ne do të duhej të ishim në pozitën e pestë që i bie të jetë e parafundit. Por, unë jam i bindur se në fund të eliminatoreve kjo pozitë nuk do t’i takojë Shqipërisë. Do të renditemi më lart, kjo është e sigurt, ani pse grupi është shumë i fortë. Nëse na ofrohet rasti që të luftojmë për njërën nga dy pozitat e para do ta shfrytëzojmë maksimalisht atë”, ka thënë Mustedanagiq, të enjten për gazetën. Ky optimizëm i tij bie ndesh me gjendjen reale, siç thonë analistët e futbollit dhe ish-yjet e skuadrës kuqezi, si Besnik Hasi, Redi Jupi e Ardian Aliaj.
Shqipëria në ndeshjen e parë të eliminatoreve kishte barazuar me Rumaninë, ndërsa në të dytën mposhti Luksemburgun. Në Minsk kombëtarja udhëtoi pa tre titullarë, Lorik Canën, Debatik Currin dhe Erion Bogdanin. Cana e Curri ishin të lënduar, ndërsa Bogdani ishte i suspenduar.
“Cana, Curri e Bogdani janë lojtarë shumë të rëndësishëm për kombëtaren tonë. Mungesa e tyre krijoi një gropë të madhe në ekip. Sidomos Cana është i pazëvendësueshëm. Është lider i vërtetë. Në mungesë të këtyre tre lojtarëve, objektivisht ka qenë shumë e vështirë të shmangim humbjen në Bjellorusi. Pa këta tre lojtarë, Bjellorusia është më e mirë se Shqipëria dhe në Minsk fitoi përfaqësuesja më e mirë. Kur jemi komplet jemi shumë të fortë dhe mund të arrijmë rezultate të mira. E kam thënë shumë herë se futbollistët shqiptarë luajnë me zemër për kombëtaren e tyre si askush në Evropë”, ka shtuar Mustedanagiq.
Mustedanagiq është ndihmësi i parë i përzgjedhësit të Shqipërisë, Josip Kuzhes. Kroati Kuzhe dy javë më parë pësoi gjakderdhje në tru. Atij iu ndalua që të drejtojë kombëtaren në këto dy ndeshje. Në mungesë të tij drejtimin e kuqezinjve e mori Mustedanagiq. Kuzhe tani është duke u shëruar në shtëpinë e tij në Tiranë, ndërsa FSHF-ja ende nuk ka vendosur nëse ai do të mbetet edhe më tutje përzgjedhës i Shqipërisë.
“Më e rëndësishmja është që Kuzhe të shërohet plotësisht. Gjendja shëndetësore e Kuzhes është çdo ditë e më e mirë. Unë jam i bindur se ai detyrën e përzgjedhësit do ta kryejë edhe në të ardhmen dhe së bashku do të vazhdojmë t’u sjellim gëzime shqiptarëve”, ka thënë Mustedanagiq.
Por, ndryshe mendojnë ata që ishin pjesë e Kombëtares dhe tani shohin zhvillimin e saj me një sy tjetër.
“Çdo pozitë sipër të parafundit do të ishte sukses”, ka thënë Redi Jupi. “Për të bërë diç më shumë duhet të marrim edhe pikë jashtë vendit”, ka shtuar Besnik Hasi.