Shqiptarët në Mal të Zi kërkojnë gjuhën e tyre në parlament

Duke debatuar mbi ligjin e ri të letërnjoftimit, deputetët shqiptarë kërkuan përfaqësimin e gjuhës shqipe në dokumentet personale dhe ata të diskutojnë në gjuhën shqipe në parlament, e drejtë kjo që është definuar me kushtetutën e Malit të Zi.

Kryetari dhe deputeti i Lidhjes Demokratike, Mehmet Bardhi thotë se nuk do ta votojë këtë dokument të ri ligjor, meqë i diskriminon shqiptarët, nuk parasheh përdorimin e gjuhës së tyre amtare.

“Formulari është i shkruar në gjuhën malazeze edhe në atë angleze, por jo edhe në gjuhën shqipe. Si do ta plotësojnë shqiptarët, qytetarë të Malit të Zi. Po shihet qartë se pushteti dëshiron të na asimilojnë ne shqiptarët”, është kategorik deputeti Bardhi, i njohur për mbrojtjen e çështjes shqiptare në Kuvendin e Malit të Zi.

Edhe ligjvenësi i koalicionit shqiptar “Perspektiva”, Amir Hollaj, angazhohet që formulari i lëshimit të letërnjoftimit të jetë në gjuhën zyrtare malazeze dhe atë angleze, por edhe në gjuhët e pakicave, të cilat me aktin më të lartë shtetëror definohen si gjuhë në përdorim zyrtar, pra edhe në gjuhën shqipe.

Propozuesi i këtij ligji, ndihmësministri i Punëve të Brendshme, Osman Subashiqi (shqiptar) nga Partia Socialdemokratike, partnere e koalicionit qeveritar, përgjigjet se gjuha shqipe është e barabartë me gjuhët në përdorim zyrtar.

“Të dhënat në kartën e letërnjoftimit shënohen edhe në gjuhën shqipe nëse kërkon qytetari që aplikon për këtë dokument personal”, shprehet Osmani.

Ai po ashtu i quajti të pabazë vërejtjet e opozitës se, gjoja, qytetarët nuk guxojnë të kërkojnë dokumentet personale në gjuhën serbe me alfabet cirilik.

Por, sipas ndihmësministrit të punëve të brendshme, Osman Subashiqi, tash dy vjet, qëkur ka filluar lëshimi i dokumenteve personale, Ministria e Punëve të Brendshme të Malit të Zi ka dhënë rreth 14 mijë letërnjoftime dhe 9 mijë pasaporta në gjuhën serbe, në gjuhën shqipe 4 mijë, mbi 3 mijë në gjuhën boshnjake dhe 1 mijë në gjuhën kroate. /Koha Ditore/

KOMENTOJE