Stadiumi i ri si harta e Shqipërisë (video)

Studio arkitekturore spanjolle RFA ka marrë përsipër projektin e stadiumit të ri që do të ndërtohet në stadiumin kombëtar ekzistues “Qemal Stafa”. Kjo firmë prej disa muajsh ka studiuar mangësitë kryesore të këtij stadiumi duke theksuar dhe konceptet që ka ajo për projektin e stadiumit të ri.

Nga vëzhgimet e tyre stadiumi aktual ka disa mangësi vizuale, përveç faciliteteve e kushteve që nuk plotësojnë asnjë nga normat ndërkombëtare të UEFA-s dhe FIFA-s.

Sipas studios RFA stadiumi aktual përveçse ka një kapacitet të vogël prej 19.000 vendesh, nuk është i paraqitshëm, fusha e atletikës që e rrethon krijon një hapsirë të madhe dhe humbet atmosferën që krijojnë tifozët, nuk është i mirëmbajtur, ndërtesa e stadiumit është e çrregullt pa studim, me vështirësi qarkullimi për rreth dhe me dyqane të sajuara duke mos të dhënë mundësinë e zhfrytëzimit të hapsirave poshtë për dyqane restorante apo qëndra biznesi.

Projekti i tyre i ri është ndërtuar në bazë të tre koncepteve, i pari lidhet me formën e hartës së Shqipërisë, duke qenë se pozita jonë gjeografike ka një orientim veri-jug, të ngjashëm me orientimin e një fushe futbolli. Koncepti i dytë lidhet me sfondin e thyer malor të Tiranës, një reliev i ashpër dhe i fortë, gjithçka që përfshihet në këtë projekt të stadiumit dhe koncepti i tretë ka të bëjë me ngjyrat e flamurit tonë, e kuqja dhe e zeza, që do të jenë dhe ngjyrat e fasadës së këtij stadiumi të ri.

Ky stadium do të ndërtohet në një sipërfaqe prej 41.500 metrash katrorë e do të ketë mbi 30 mijë vende për tifozët, 75% e tyre do të jetë e mbuluar ndërkohë që janë projektuar edhe 330 vende parkimi. Ai do të jetë i ndarë në dy pjesë. Pjesa e poshtme e stadiumit mban mbi 17 mijë vende ku përfshihen 525 vende VIP, ndërkohë që pjesa e sipërme do të ketë rreth 16 mijë vende, ku përfshihen sërish edhe 320 vende VIP.

Gjithçka perfekte për një stadium të standartit ELIT të UEFA-s, një ndër nivelet më të larta që është projektuar studio RFA, e njëjta që ka bërë projektin e stadiumit të Valencias, Espanjolit, Atletikos së Madridit e disa prej stadiumeve të vendeve të tjera europiane.

Tashmë marrëveshja është arritur, nuk mbetet gjë tjetër vetëm që punimet të fillojnë për të pasur brenda 2012-s një stadium të ri.

video: http://www.youtube.com/watch?v=3bzu40n4Z-8

Platini-Berisha, arrihet akordi për stadiumin e ri

TIRANE- Mishel Platini e ka përmbushur me sukses misionin e tij në Tiranë, duke arritur një marrëveshje me qeverinë shqiptare për ndërtimin e një stadiumi të ri. Takimi mes kryeministrit Sali Berisha dhe numrit 1 të futbollit europian ka qenë tepër i suksesshëm për Shqipërinë, duke qenë se më në fund është dhënë OK-i për impiantin e ri, që do të zëvendësojë ekzistuesin “Qemal Stafa”. “Sot prita presidentin e Federatës Europiane dhe yllin e futbollit francez dhe botëror, Mishel Platini, – deklaroi në përfundim të takimit Kryeministri Berisha. – Ne si qeveri, së bashku me UEFA-n dhe me Federatën Shqiptare të Futbollit, kemi vendosur që të ndërtojmë një stadium, i cili do të jetë nga më modernët në rajon dhe në Evropë. Ndoshta nuk do të jetë më i madhi, por them se do të jetë më i bukuri në Evropë”, u shpreh më tej ai. Kryeministri zbuloi gjithashtu se ishte një letër e kreut të UEFA-s që e kishte bindur për të ndërmarrë këtë hap. “Pashë interesimin e z.Platini dhe respektin e tij për futbollistët shqiptarë”, tha Berisha. Ndërkohë, për presidentin e UEFA-s Mishel Platini, ndërtimi i stadiumit është një hap i domosdoshëm, duke parë gjendjen e “Qemal Stafës”. “Në qoftë se ndonjëra nga skuadrat tuaja do të ishte në Champions League, ajo nuk do të luante dot në stadiumin që ju keni aktualisht, – tha Platini. – Unë falënderoj qeverinë dhe z.Kryeministër, që u tregua i gatshëm për idenë tonë. Nuk jam ndjerë kurrë kaq ngrohtë në Shqipëri. Duhet ta dini se UEFA nuk jep kurrë fonde për stadiume që janë të shtetit, por ajo e bën këtë për një federatë anëtare të saj. Rasti i FSHF-së është shumë i rrallë, pasi ne nuk e kemi bërë shpesh një praktikë të tillë. Gjithsesi, jemi të gëzuar që më në fund edhe ju do të keni një impiant modern”, shtoi numri 1 i futbollit europian. /TCH/

KOMENTOJE