Lajmin për njohjen e Kosovës nga Republika e Kiribatit u konfirmua sot nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës.
Po ashtu bëhet e ditur se Republika e Kiribatit ka shprehur gatishmërinë që me Republikën e Kosovës të lidhë marrëdhënie bilaterale diplomatike për zhvillimin e raporteve miqësore dhe bashkëpunimit midis dy vendeve në fushat politike, tregtare dhe ekonomike.
“Republika e Kiribatit ka njohur pavarësinë e Kosovës. Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kiribatit ka njoftuar Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës përmes një note verbale se ky vend ka marrë vendim për njohjen e Pavarësisë së Republikës së Kosovës me datë 21 tetor 2010”, thuhet në njoftim.
Dy ditë më parë këtë njohje e ka njoftuar kryetari i partisë Aleanca Kosova e Re, Behxhet Pacolli.
Me njohjen nga Kiribati, numri i shteteve që kanë njohur shtetin e Kosovës arrin në 71.