Presidenti i Republikës Bamir Topi dekoroi me urdhrin “Nderi i kombit” shkrimtarin Martin Camaj, pas vdekjes.
Sipas presidentit, Martin Camaj, kudo që shkoi, u shndërrua në shkollë letrare.
Ndikoi ndjeshëm mbi letersinë moderne të Kosovës, në thellimin e vetëdijes kombëtare tek arbëreshët e Italisë dhe me aktivitetin e tij shkencor, i dha shumë prestigj në botë albanologjisë.
Presidenti vuri në pah faktin se në sajë të Martin Camajt u themelua katedra e gjuhës shqipe në Mynih të Gjermanisë, vend ku zë fill tradita e albanologjisë dhe e hulumtimit të botës shqiptare.
Sipas presidentit, pamundësia e Camajt për t’u kthyer në atdhe ka kushtëzuar proçesin e tij krijues.
“Në asnjë vepër tjetër të letërsisë shqipe, – tha presidenti – nuk gjejmë kaq shumë atdhe, kaq shumë fëmijëri, kaq shumë vendlindje”.
Vepra e Camajt, sipas kreut të shtetit, është përpjekja elitare dhe shpirtërore njëkohësisht, për ta mbajtur gjithmonë pranë atdheun, duke e shndërruar në mit modern. /TCH/