Ulqini vazhdon pa zot shtëpie

Ulqin, 26 tetor – Dhjetë ditë kanë kaluar nga zgjedhjet e përsëritura lokale në Ulqin, edhe ende nuk ka asnjë shenjë për negociata mes partive që të themelohet qeverisja vendore, raporton KosovaLive.

Derisa Nazif Cungu, lideri i Forcës së Re Demokratike, e cila u konfirmua edhe kësaj radhe se është partia më e madhe në skenën politike të Ulqinit, thotë për KosovaLive se ekzistojnë disa iniciativa për negociata, por të pazyrtarizuara.

“Ne, menjëherë pas zgjedhjeve kemi deklaruar para gazetarëve se jemi të hapur të themeluar një qeverisje të përgjegjshme të Ulqinit”, thekson kreu i opozitës së Ulqinit.

Kryetari i Partisë Demokratike të Socialistëve (PDS) të kryeministrit Milo Djukanovic, Luigj Shkreli më herët ka deklaruar se përparësi në negociata për formimin e shumicës parlamentare ka partneri i vjetër i bashkëqeverisjes “Për Ulqinin evropian”, Unioni Demokratik i Shqiptarëve (UDSH), i cili është në koalicion me Partinë e Prosperitetit Demokratik (PPD), që ka siguruar 10 këshilltarë.

Por, në këtë ndërlidhje nuk ka ende asnjë njoftim zyrtar.

Është pritur se Këshilli qendror i PDS, në pasditën e së hënës, do të publikojë se me kënd do të zhvillojë negociata për të qenë pjesë e qeverisjes lokale në Ulqin.

Ndërkaq, ky organ më i lartë i PDS ka shprehur kënaqësinë me rezultatet e arritura në zgjedhjet e përseritura të 17 tetorit në Ulqin, ku ka siguruar 7 këshilltarë.

Autoritetet e PDS edhe gjatë fushatës elektorale kanë deklaruar se kësaj radhe pretendojnë më shumë pushtet në qeverisjen lokale në Ulqin se sa në mandatin e kaluar katërvjeçar.

Njohësit e pavarur të rrethanave politike në Ulqin nuk shohin ndonjë marrëveshje të shpejtë të themelimit të qeverisjes vendore.

Pas zgjedhjeve të rregullta vendore të 23 majit të këtij viti, afro tre muaj kanë zgjatur negociatat, por pa sukses edhe kjo gjendje prodhoi zgjedhjet e përseritura.

Do të ketë ndonjë ndikim pozitiv përvoja e bisedimeve të dështuara të majit që kësaj radhe të tejkalohen pretendimet këmbëngulëse për “më shumë pushtet” edhe të të konsolidohet qeverisja në Ulqin, duhet pritur./Koha Net/

KOMENTOJE