Në mbrojtje të skenës shqipe në vitet e vështira të okupimit serb
Teatri “Aleksandë Moisiu” në Pejë është themeluar vitin 1990 për t’u bërë kultivues dhe mbrojtjes i vlerave skenike shqiptare në kohët e vështira të okupimit serb. Loja e përkushtuar skenike e aktorëve të këtij teatri kishte bërë që të krijohej një publik i mrekullueshëm, jo vetëm në qytetin e tyre, por edhe në qendrat tjera të Kosovës e trojeve tjera etnike. Për të kujtuar ato përkushtime dhe për të nderuar kujtimin për aktorët e tij, që nuk janë më mes nesh, ky teatër ka organizuar një mbrëmje kulturore në Teatrin “ Istref Begolli”. Kishin ardhur në këtë festë përfaqësues të pushtetit lokalë dhe miqtë e teatrit nga qytete të ndryshme të Kosovës. Drejtori i këtij teatri, regjisori profesionist Fadil Grabovci, ka përshëndetur mysafirët duke ua kthyer atyre kujtimet nga vitet e shkuara dhe ngjarjet teatrore të asaj kohe në Pejë e kudo në Kosovë. Dramat “Fejesa”, “Tokë e ndezur”, “Sikur t’isha djalë”, “Gremina e dashurisë”, por edhe komeditë si “A ki pushkë”, “Pacientët”, “Masat e dhunshme” apo filmat artistik “Jetimja” e “Mirëupafshim atdhe”, janë vetëm disa nga realizimet që njerëzve u kanë mbetur në kujtesë dhe me të ciat krenohemi”, ka thënë Graboci në fjalën përshëndetëse.
Duke ua dorëzuar një mirënjohje të veçantë nga Drejtoria e kulturës, Aver Husaj , ka lavdëruar punën e gjeneratave të aktorëve të “Aleksandër Moisiu”. Ai ka shpalosur kujtime nga koha kur kishte bërë regjinë e disa teksteve dramatike me këta aktorë dhe nuk ka harruar të përmend edhe arritjet e shpërblimet nga shumë takime skenike të organizuara në Festivalet e asaj kohe në Kosovë , por edhe në Preshevë e kudo në trojet shqiptare.
“Kishim filluar me dramën “Fejesa” të Rrahman Jasharajt” për të vazhduar me “Tokë e ndezur”, “Sikur të isha djalë” e me shumë tekste të tjera. Me lojën e bukur e të sinqertë skenike kishim krijuar publikun tonë, që na përcillte edhe në kohë e momente të vështira” , ka kujtuar Husaj.
Aktorja profesioniste , Rudina Zhara, ka kujtuar para publikut të kësaj feste se edhe ajo fillimet e saj në skenë i kishte bërë në këtë teatër, të cilit i dha vlerësimet më të larta. “Ne kemi përgatitur shumë komedi e drama në vitet e okupimit. Kishim sallat përplot me publik të mrekulluar, por nuk mungonin edhe ca mysafirë të padëshiruar e ata ishin policët e armatosur serb. Ishte publiku ai që na trimëronte e na mbronte nga ata”, ta kujtuar aktorja Zhara. Edhe kryesuesi i Ansamblit Autokton “Rugova”, Vesel Nikçi, ka lavdëruar angazhimet e tetarit “Aleksandër Moisiu” dhe të teatrove amatore të saj kohe “Gurra” dhe “Ndrekë Luca”. “ Ushtrimet i bënin kudo kishin mundësi në shtëpi private e ambiente të tjera të mundshme për të dalë sa më të suksesshëm para publikut që i priste me respekt. Ansambli ynë u është gjendur gjithmonë pranë duke u siguruar veshje kombëtare, por edhe duke u ndihmuar me aktorë e valltarë kurdo kërkohej”, ka kujtuar Nikçi. Aktori Ismet Krasniqi ka falënderuar aktorët e këtij teatri për gjithë ato shfaqje të mira në kohët e vështira për Kosovën.
“Kanë pasur gjithmonë paraqitje të mira skenike dhe publiku kudo prezantoheshin i priste me respekt dhe bashkë me ta qante e qeshte. Ky teatror ka përvojë të madhe dhe duhet të vazhdojë me punën në mënyrë qe publiku t’i kthehet teatrit dhe këtij ambienti kaq të bukur. Kur kanë mundur të jenë të mirë në kohët e liga , pse nuk munden tani”, ka kërkuar Krasniqi.
Këtë festë e kanë plotësuar me paraqitjen e tyre aktorët e gjeneratës së re Shpejtim e Qëndrim Jasharaj e pastaj edhe aktorët e tetarit Fadil Graboci, Ukshin Jashari, Albina Kondirolli, Flurim Nikçi e Shaban Demaj. Pjesëe bukur e programit kanë qenë edhe paraqitjet e Ansamblit “Selman Kadrija” me këngëtarët Bedri Ademaj e Ismet Demaj.
Teatri “Aleksandër Moisiu” ka ndarë mirënjohje të veçanta (post mortum) për aktorët që kanë ndërruar jetë, për veteranët e teatrit dhe për Ansamblet e Shoqatat me të cilat kanë pasur bashkëpunim të frytshëm në shërbim të skenës shqipe. / Rrahman Jasharaj /