Dega e Malësisë e Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, në mbledhjen e vet, të mbajtur më 14. 11. 2010, duke shqyrtuar, përpos të tjerash, mënyrën e funksionimit të KU të Tuzit, kurse mbas analizës së ndryshimeve kozmetike, të propozuara, në Ligjit mbi kryeqytetin që është në procedurë, e me qëllim të prodhimit të ndryshimeve sa më cilësore, drejton
LETER TË HAPUR
Ministrisë së punëve të brendshme dhe administratë publike, Ministrisë për të drejtat e njeriut dhe të pakicave; Kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi, z. Ranko Krivokapiq; deputetëve të partive nacionale shqiptare në Kuvendin e Malit të Zi: Mehmet Bardhit- LDnëMZ-Alternativa shqiptare; Genci Nimanbegut, FORCA; Met Zenkës, UDSH; Amir Hollaj, PERSPEKTIVA; klubeve të deputetëve në Kuvendin e Malit të Zi; PDS, SDP, PPS, PB, PZP, NOVA; Kryebashkiakut të Podgoricës, Miomir Mugoshës; kreut të Komunave urbane Tuz dhe Golubovc, si dhe të gjitha medieve
Të nderuar
Lidhja Demokratike në Mal të Zi, prej formimit të vet, me programin dhe aktivitetet e veta, nuk ka heshtur së angazhuari për realizimin e të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi, përveç tjerash, edhe për komunën e plotë, për rajonin e Malësisë. Përndryshe kërkesën për realizim të kësaj të drejte, që del nga korpusi i të drejtave elementare njerëzore e nacionale në vetëqeverisje lokale, të ngjashme me mjediset e tjera në Malin e Zi, e arsyeton gjendja faktike, respektivisht, kushtet e volitshme, ekonomike, politike, gjeografike, demografike, natyrore, kulturore etj. Për këtë arsye, e shohim si obligim që tu drejtohemi të gjitha subjekteve të cilat veprojnë në rajonin tonë e të cilat janë për statusin e kësaj të drejte, si edhe propozuesit të Ligjit në fjalë, me kërkesë që të merren masa konkrete, në mënyrë që të prodhohen ndryshime sa më kualitative të ligjit. Aq më parë, kur dihet se Kuvendi i Malit të Zi e ka shtyrë, deri në fillim të seancës së ardhshme, procedurën e miratimit të disa propozim ligjeve, në mesin e të cilëve gjendet edhe Propozim ligji mbi ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi kryeqytetin, me çka është krijuar rast i volitshëm për intervenim më kualitativ.
Edhe pse, për ne komuna urbane, si njësi e vetëqeverisjes lokale ka qenë dhe mbetet e papranueshme, kurse Ligji ekzistues mbi Kryeqytetin edhe më tutje e ka zhvlerësuar, konsiderojmë se është më se e domosdoshme që në Ligj të futen ndryshimet të cilat do të zgjeronin kompetencat e KU, në mënyrë që kjo zgjidhje e përkohshme, derisa të ekzistojë, të funksiononte ngjashëm me komunat urbane të rajonit. Kjo do të mundësonte edhe formimin e një administrate profesionale, si parakusht për themelimin e vetëqeverisjes së plotë lokale, e cila nuk ka alternativë, e që nuk mund të arrihet me ndryshimet kozmetike të propozuara. Pra, nëse të gjithë, deklarohemi për komunë të plotë, deri në vitin 2014, atëherë ky është rasti më i volitshëm që të parashohim mekanizmat se si të vijnë deri tek ajo. Vlerësojmë se varianti më i mirë do të ishte, tërheqja e Propozim ligjit nga procedura dhe ndryshimi më kualitativ i tij.
Përveç ndryshimeve të tjera thelbësore, konsiderojmë se është më se e domosdoshme që marrëveshja për referendumin të shndërrohet në normë ligjore, edhe pse ne nuk konsiderojmë se referendumi është i domosdoshëm, dhe të caktohet data e mbajtjes së tij, në mënyrë që mbajtja e tij të jetë më e sigurt, çka edhe kanë promovuar bartësit aktual të pushtetit në Tuz, gjatë fushatës parazgjedhore, e që e kanë përsëritë edhe pas zgjedhjeve. Prandaj, apelojmë te nënshkruesit e marrëveshjes në fjalë, që të mos lejojnë që ajo të shndërrohet në farsë dhe mashtrim parazgjedhor, por të bëjë ç’është e mundur që ta realizojnë atë, nëse jo për gjë tjetër, atëherë për shkak të dinjitetit të vetë, sepse edhe në politikë ekziston kufiri nën të cilin nuk duhet shkuar.
Duhet përkujtuar se përbërja e mëparshme e kuvendit të Komunës Urbane të Tuzit i ka kryer obligimet e veta ligjore, çka do të thotë revidimin e implementimit të Ligjit mbi kryeqytetin, me ç’gjë janë krijuar predispozitat që të shkohet më tej në përcjelljen e kompetencave nga Kryeqyteti në komunat urbane. Përfundimi me të cilin aprovohet Raporti i komisionit për revidimin e implementimit të Ligjit mbi kryeqytetin që është miratuar nga Kuvendin i Komunës urbane të Tuzit me 5. 03. 2009, mund të shërbejë si bazë e mirë për punën e mëtejme për ndryshim të plotë të Ligjit mbi Kryeqytetin.
Ne edhe më parë kemi propozuar formimin e grupit të posaçëm punues me përfaqësuesit e Qeverisë, Kryeqytetit dhe të komunave urbane, që të vijmë deri te zgjidhja sa më e pranueshme, gjë që mund të bëhet në këtë moment. Sipas propozimit tonë, grupin punues do ta përbënin të gjitha subjektet e interesuara dhe, konsiderojmë se më së miri do të ishte sikur punën ta koordinonte Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi. Megjithatë, nëse propozuesi konsideron se për një gjë të tillë nuk është nevoja, dhe se punën mund të kryejnë edhe pa një grup të tillë punues dhe, nëse ndryshimet eventuale do të jenë kualitative, ne do t’i përkrahnim. Përndryshe, ne edhe deri me tani, në disa raste, kemi vërejtur qëllimin e mirë të vetë propozuesit dhe disa përfaqësuesve politikë që të vazhdohet me decentralizim, për dallim nga ata të cilët prosperitetin e vetë politik e shohin në centralizimin e mëtejmë të shoqërisë dhe shtetit, të filluar në vitin 1990, kur, pushteti i atëhershëm, humbjen e zgjedhjeve në disa komuna, e kompensoi me centralizim.
Shpresojmë se kjo që e propozojmë, do të jetë e pranueshme edhe për ju, pasi që e gjithë kjo do të duhet të bëhet në të ardhmen jo fort të largët. Nëse kemi aspiratë për integrim, atëherë do të ishte mirë që ndryshimet të realizohen në kushtet e konsensusit të plotë, pasi që një gjë e tillë do të ndihmonte edhe demokratizimin e shoqërisë, në frymën e rekomandimeve të Këshillit të Evropës dhe të Komisionit Evropian, e gjithsesi edhe në frymën e Kartës evropiane për vetëqeverisje lokale. Prandaj ju ftojmë që të angazhoheni më shumë në zgjidhjen e statusit të drejtë për rajonin e Malësisë, por edhe trevave të tjera, të interesuara, të qytetarëve të sajë, si dhe për proceset demokratike dhe integruese të Malit të Zi. /LDnëMZ – Nikollë Camaj/