Në festën e madhe shqiptarët treguan njëzëri çfarë duan

Një ditë pas festës së madhe të Flamurit kombëtar mediat e shkruara e elektronike në Kosovë hapësirën më të madhe i kanë dhënë kremtes së madhe të 28 Nëntorit kudo në trojet etnike dhe në vende e vise tjera të banuara nga shqiptarët. “Kosova festoi kuq e zi” , ishte titulli kryesor e me shkronja të mëdha në faqen e parë të një gazete mjaft të lexuar në Kosovë. Edhe televizionet qendrore i kanë dhënë hapësirë të madhe në emisionet e paradites së të hënës festës së madhe të flamurit. Historianë, kolumnistë e analistë kanë pasur vlerësim të përbashkët se këtë vit festa në shumë prej trojeve etnike ishte edhe më madhështore se viteve të shkuara. Ata thanë mendimet e tyre dhe nga e gjithë kjo del se përmes aktiviteteve të shumta shqiptarët në Kosovë e kudo treguan se çfarë duan. Ata e thanë zëshëm se e kishin e do ta kenë përjetë në zemër flamurin e Gjergj Kastriotit, Dedë Gjo Lulit, Ismajl Qemajlit e Adem Jasharit. Treguan se çdo simbol e himn tjetër është sa për të thënë. Treguan se shqiptarët në gjithë trojet etnike duan që të mos u pengohet e drejta legjitime që të jenë në të njëjtin atdhe dhe që në festa e gëzime t’i qëndrojnë me respekt gatitur flamurit kuq e zi. Meritat pse këtë vit festa u vlerësua si më madhështorja nga të tjerat vite mund t’i merr kush të dojë , por ato i takojnë shqiptarëve kudo në trojet etnike. Shqiptarët një zëri folën e brohoritën për Bashkimin Kombëtar dhe këtë zë Evropa duhet ta dëgjojë dhe ta lexojë drejt dhe ta përkrah sepse shqiptarët e bashkuar në të njëjtin atdhe e nën të njëjtin flamur janë garanci për qetësinë dhe paqen në Ballkan. Bashkimin e tyre nuk e duan vetëm armiqtë e lirisë dhe paqes dhe populli ynë i di me emra se kush janë ata sepse armiq i kishte nëpër shekuj e armiq i ka edhe sot e gjithë ditën. Nuk e duan bashkimin e shqiptarëve as hienat dhe hijet e lugetërve, që nëpër shekuj sollën net të përgjakura e errësirë. Bashkimin e shqiptarëve nuk e duan ata që ende shohin ëndrra me lumenj gjaku. E ata që vërtetë kujdesën dhe e duan paqen në Ballkan, Evropë e botë nuk kanë pse ta kundërshtojnë realizimin e ëndrrës sublime të gjeneratave shqiptare për bashkim. Evropa duhet të lexojë drejt realitetin e ri dhe ta interpretojë drejt e me argumente këtë zërin e fuqishëm shqiptar në ditën e festës më të madhe për ta.
“Valo lirshëm flamuri ynë kombëtar , e gëzofsh festën se e ke hak, i bukur je me shqiponjën simbol kombëtar, me këtë ngjyrë të kuqe gjak”, po recitonte zëshëm një djalosh në mes të qendrës së qytetit të Prishtinës në ditën e flamurit kombëtar. Ai po madhështohej nga pamjet e bukura. Kuq e zi po kremtonte kryeqyteti i Kosovës, i Shqipërisë dhe qytetet tjera shqiptare kudo në Ballkan. Flamuri ynë po valonte vërtetë krenar sepse e kishte parë për të njëmijtën herë se janë gjallë nipërit e stërnipërit e Gjergj Kastriotit , Dedë Gjo Lulit, Ismajl Qemajlit e Adem Jasharit. Flamuri kuq e zi do të valojë edhe më gëzueshëm kur shqiptarët do të jenë një zë, do të jenë tok në angazhimet për të mirën e të njëjtit atdhe. /Rrahman Jasharaj/

KOMENTOJE


Tiranë


Tiranë


Prishtinë


Prishtinë


Prishtinë