Niveli i ujit bie, por gjendja ende e rëndë në Nënhelm të Malësisë (foto-video-intervista)

Tuz, Malësia (8 Dhjetor) – Situata në fshatin Nënhelm të Malësisë vazhdon të jetë e rëndë nga përmbytjet e shkaktuara nga niveli i lartë i ujit të liqenit të Shkodrës, niveli i të cilit ka rënë ndjeshëm. Përmbytjet që kanë përfshirë këtë pjesë të Malësisë kanë shkaktuar dëme të mëdha, në veçanti në shtëpitë, objektet përcjellëse, në fondin e kafshëve si dhe në tokat e banorëve.

Në bisedë me banorë të Nënhelmit ata na njoftuan se deri me tani organet kompetente u kanë shpërnda ujë të pijshëm, çizme dhe rroba plastikut për shi, ushqim për kafshë e disa nga familjet më të rrezikuara kanë marrë edhe nga 200 euro ndihmë. Ata shprehën se presin më shumë ndihmë nga Podgorica pasi që komuna urbane e Tuzit jep vetëm aq sa Podgorica jep, dhe kjo është tregues i mirë se Malësisë i duhet vetëqeverisje lokale. Por, ka nga ata të cilët janë të kënaqur me ndihmën që u është dhënë.

Edhe pse ende nuk është bërë vlerësimi i dëmeve nga përmbytjet, ato sigurisht do të jenë shumë të larta. Sipas informatave nga disa banorë për përmbytjet e vitit të kaluar, atyre u është paguar 30% i dëmeve të cilat vlerësohen nga organet kompetente.
Rreziku i hapjes së epidemive është i lartë pasi përmbytjet kanë bërë përzierjen me ujërat e zeza.

Stafi ynë edhe njëherë sot vizitoi Nënhelmin si dhe përgatiti disa fotografi dhe video inçizime nga përmbytjet si dhe bëri intervista me disa banorë të këtij fshati. Intervistat mund ti shikoni më poshtë duke klikuar në video. Falënderojmë Marsel Lucgjonaj që na mundësoj që nga barka e tij të vëzhgojmë gjendjen. /Malesia.Org/

VIDEOFOTOGRAFITËKOMENTOJE