Shkup, digjet flamuri shqiptar (video)

“Shqiptar i vdekur, shqiptar i mirë”, “dhoma gazi për shqiptarët”, ishin brohoritjet e tifozëve maqedonas në lojën e basketbollit të mërkurën në mes ekipit maqedonas “Rabotniçkit” dhe atij shqiptar “KB Lirisë” në sallën e stadiumit të qytetit të Shkupit, raporton agjencia e lajmeve INA.

Tifozët vendas të ‘Rabotniçkit’, të njohur me emrin “City park boys” kanë grisur flamurin kombëtar shqiptar dhe kanë fyer mbi baza nacionale basketbollistët e “Lirisë” pas çerekut të parë të takimit, që luhej në palestrën sportive “Park” në Shkup. Krahas asaj se në palestër kishte pjesëtarë të MPB-së, të cilët siguronin këtë ndeshje, kujdestarët nuk kanë regjistruar kurrfarë incidenti të tillë, thonë në SPB të Shkupit, transmeton Alsat-M.
“Nuk është regjistruar ndonjë incident djegieje apo grisjeje të flamurit”, tha Liza Bendevska, zëdhënëse e policisë së Shkupit.
Pamjet filmike të këtij incidenti tregojnë diçka tjetër nga ajo që thuhet zyrtarisht. Lidhur me incidentin, drejtuesit e klubit “Liria” do të takohen sonte në një mbledhje urgjente, për hapat që do të ndërmerren.
Presioni vazhdoi edhe në çerekun e dytë, ndërsa shënjestër e tifozëve ishin basketbollistët amerikan që luajnë tek ‘Liria’, të cilët u ofenduan edhe në bazë racore. Urrejtja ndëretnike dhe racore u intensifikua në fund të ndeshjes. Basketbollistët e ‘Lirisë’ u sulmuan në dalje nga salla dhe u goditen me objekte të ndryshme. Në faqen zyrtare të FBM-së nuk ka kurrfarë informate lidhur me këtë incident dhe tani duhet të priten vendimet e kësaj federate për këtë incident të rëndë. /INA – Koha.Net/

VIDEO KOMENTOJE