Policia maqedonase rrah tifozët shqiptarë (Video)

Partia Demokratike Shqiptare dhe Demokracia e Re kanë reaguar ashpër ndaj rrahjes së tifozëve shqiptarë nga ana e policisë së Maqedonisë, në ndeshjen sportive të basketbollit mes klubeve “Liria” dhe “MZT Skopje” në Saraj.

Bekim Fazliu, këshilltar i PDSH-së në Qytetin e Shkupit deklaroi se, ngjarja e mbrëmshme e ndeshjes së basketbollit në Saraj ishte shqetësuese, sepse siç tha ai, huliganët maqedonas të ndihmuar nga policia brutalisht kanë rrahur dhe maltretuar shqiptarë ndër të cilët të shumtë kanë qenë fëmijë.

Ai tha se, “ky është vazhdim i incidenteve që ndodhën më parë në sheshin e Shkupit ku u plagos një fëmijë shqiptar, në Nerez ku shqiptarët u maltretuan në shtëpitë e tyre pa pik faji dhe në Shkup ku digjet flamuri ynë kombëtar”.

Lidhur me këtë ngjarje të shëmtuar ka reaguar edhe Demokracia e Re. Zëdhënësi i Demokracisë së Re, Arjanit Hoxha tha se, policia e Maqedonisë rrahu tifozët shqiptarë në këtë ndeshje sportive, raporton agjencia e lajmeve INA.

“Që tragjedia të jetë edhe më e madhe, në vend se të zbatojë rolin e saj, e kjo nënkupton ruajtjen e qetësisë dhe sigurisë, policia dje ngriti “pendrekat” mbi tifozët shqiptarë duke provokuar incident edhe më të madh në palestrën sportive, i cili për fat të mirë nuk ndodhi.Na mbetet të pyesim policinë, deri kur do të mbrojë veprat e atyre që thejnë ligjin duke shkaktuar incidente në baza etnike? Nga ana tjetër, deri kur do të hesht partia shqiptare në pushtet, BDI-ja, ndaj këtyre incidenteve që dëmtojnë shqiptarët?”, shtoi Hoxha.

DR thotë se, nëse zëvendësministri i policisë, z. Buçi nuk arrin të zbardh këto dy raste, atë të grisjes së flamurit dhe rrahjen e tifozëve shqiptarë në ndeshjen e mbrëmshme, atëherë le të dorëhiqet nga ky post dhe mos të merr në qafë fatin e zi të atyre të rinjve shqiptarë.

Ndërkohë, edhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) përmes një deklarate me shkrim ka shprehur keqardhje dhe e ka dënuar incidentin e mbrëmshëm në Saraj të Shkup dhe kërkon që institucionet ti ndërmarrin të gjitha masat për të ndriçuar rastin.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) konsideron se incidentet e tilla, edhe madje në fusha të sportit, nuk janë në favor të përpjekjeve të përgjithshme për ndërtimin e mirëbesimit ndërmejt komuniteteve, prandaj, është përgjegjësi e të gjithë aktorëve në shoqëri që të kontribuojnë në parandalimin e tyre dhe ndërtimin e marrëdhënieve të mira mes të gjithëve, sidomos kurr është fjala për aktivitetet sportive të cilat duhet të kenë karakter rekreativ e relaksues dhe kurrsesi karakter politikë.

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) informoi se incidenti ka ndodhur mbrëmë rreth orës 19:30, por nuk ka njoftime për viktima kur tifozët u përleshën me policinë pas ndeshjes.

Sipas MPB-së, disa tifozë u përpoqën të sulmonin lojtarët e MZT-së. Ndërhyrja e policisë ka ndaluar qëllimin e tifozëve para sallës në Saraj, se cila ka qenë e mbushur me mbi një mijë spektatorë. /ina/

VIDEO KOMENTOJE