Berisha: Rama do mbajë përgjegjësi. Të mërkurën, miting kundër dhunës

TIRANË-Kreu i qeverisë, duke akuzuar sërish sot kreun e PS-së, Rama si përgjegjësinë e asaj që ndodhi dje dhe duke garantuar se ai do të mbajë përgjegjësi ka ftuar qytetarët në një manifestim kundër dhunës.

Sipas tij, manifestimi do të mbahet ditën e mërkurë, ai nuk do të ketë ngjyra politike, por do të jetë një tubim paqësor kundër cdo shfaqje të dhunës dhe fenomenit në përgjithësi.

Sipas tij, për cdo shkelje ligji të gjithë mercenarët do të marrin përgjigjen dhe dënimin e merituar.

“Dje, Edvin Kristaq Rama, pasi dështoi të merrte pushtetin me dhunë, u paraqit në orën 1 të natës disa herë në mediat e vendit duke u përpjekur të lajë duart me krimin e tij të shëmtuar. Unë jam sot këtu për t’i thënë Ramës, Rucit, Gjinushit, autorë të vërtetë të krimit të shëmtuar të djeshëm, se akti juaj antikushtetues ka vetëm emrin tuaj dhe për këtë ju do të përballeni me të gjitha pasojat”, ka thënë Berisha.

Hetimet për 3 viktimat, Prokuroria 6 urdhër- arreste për drejtues të Gardës

Pas njoftimit për nisjen e hetimeve, Prokuroria e Tiranës ka lëshuar 6 urdhërarreste kundër disa drejtuesve të Gardës së Republikës, lidhur me vrasjet e djeshme në demonstratën para kryeministrisë.

Vendimi është marrë nga prokurorët pas hetimeve të para dhe mbikëqyrjes së vendit të krimit, prej nga lindën dyshimet se drejtues të gardës urdhëruan hapjen e zjarrit.

Burime, ende jo zyrtare bëjnë me dije se urdhërarrestet janë lëshuar për drejtues të lartë të institucionit ushtarak, por emart e tyre nuk bëhet ende publikë, pasi arrestet nuk janë kryer ende.

Rama: Kryeministria u bë llogore zjarri, policia u keqpërdor nga pushteti

Dhuna mbi protestuesit u shkaktua nga keqpërdorimi i policisë nga ana e pushtetit, ndërkohë që kryeministria u shndërrua në llogore zjarri. Me këto fjalë, kreu i PS-së, Edi Rama ka dalë sot para mediave, në deklaratën e radhës, duke akuzuar Berishën dhe ministrin e tij, Basha për tragjedinë e shkaktuar.

Sipas Ramës demonstruesit u sulmuan pa faj, vetëm se ishin opozitarë, ndërkohë që nuk fakti se nuk ka asnjë polic të lënduar me armë zjarri, tregon qartë se kush i ka pasur armët dhe kush i ka përdorur.

“Tmerri dje doli me zë e me figurë. Demonstruesit nuk ishin të armatosur, nuk ishin as të rrezikshëm, ishin vetëm opozitarë. Por kjo nuk është e vetmja pjesë e patolerueshme e qeverisë së matrapazllëkut që ne e dënojmë dhe përballë të cilës ne do qëndrojmë me të gjithë forcën. Një tjetër pjesë është ajo e rrahjeve dhe dhunimeve të opozitarëve, nga keqpërdorimi i një policie”, tha Rama.

Rama ka shprehur solidaritet ndaj policisë dhe keqardhjen e thellë për dëmtimet fizike të tyre, për faj të një keqpërdorimi të pushtetit.

“Kryeministria u kthye në një llogore zjarri, duke nxjerrë në pah kusarinë dhe matrapazllëkun e qeverisë. Demonstruesit evropianë nuk qëllohen me plumba as në protesta më pak paqësore se ajo. Demonstruesit evropianë nuk vriten as kur hyjnë në parlament, as kur prishin pasuritë si në Paris, apo Londër pak javë më parë”, ka thënë Rama.

Ai ka përsëritur apelin për kryeprokuroren Ina Rama për hetim të pastër të ngjarjes.

SHBA, Engel: Zgjidhini mosmarrëveshjet në rrugë paqësore, pa gjakderdhje

Në vijim të reagimeve ndërkombëtare për situatën e krijuar në vendin tonë vjen edhe ai i anëtarit të Dhomës së Përfaqësuesve, Eliot Engel, kryetar i grupit të çështjeve shqiptare në Kongresin amerikan. Ai, cituar nga “Zëri i Amerikës”, dënoi dhunën e djeshme politike në Shqipëri dhe u bëri thirrje të gjitha palëve t’i zgjidhin mosmarrëveshjet paqësisht dhe nëpërmjet dialogut.

“Jam thellësisht i dëshpëruar për humbjen e jetëve”, tha ai, “dhe u shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjeve të viktimave”.

Zoti Engel tha se të gjithë njerëzit në Shqipëri kanë të drejtën të demonstrojnë në mënyrë paqësore dhe të shprehin mendimet e tyre. Megjithatë, theksoi ai, dhuna e ushtruar për të avancuar pikësynime politike është thellësisht për të ardhur keq.

Kongresisti Engel u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve të tërhiqen menjëherë nga tensione të tilla tejet të dëmshme dhe të t’i zgjidhin mosmarrëveshjet në rrugë paqësore dhe pa gjakderdhje. /Gazeta Panorama/

KOMENTOJE