Lideri i Forcës së Re Demokratike, Nazif Cungu, shtron nevojën e definimit me ligj se cilat janë pakicat në Malin e Zi, për të përfillur mbi këtë bazë edhe parimin e aksionit afirmativ për to.
“Shqiptarët në Malin e Zi janë popull autokton, krahasuar me pakicat e tjera. Ata kanë specifikat e veta gjuhësore dhe kulturore. Mendoj se duhet një ligj, i cili do të definonte cilat janë pakicat në Malin e Zi dhe mbi këto baza duhet përfillur edhe parimin e aksionit afirmativ. Njeri ndër rekomandimet që kemi pasur në Këshillin Nacional të Shqiptarëve në Mal të Zi është që edhe organizatat politike të marrin qëndrim rreth kësaj çështjeje”, citon KosovaLive Cungun.
Lidhur me procesin e regjistrimit të popullsisë, lideri i Forcës thotë se duhet përfillur Kushtetutën. Çdokush le të deklarohet ashtu siç dëshiron.
Sabrija Vuliq, kryetar i Këshillit Nacional Mysliman, mendon se ky komunitet para regjistrimit të popullsisë në Mal të Zi, që do të zhvillohet në muajin prill, ndodhet nën një presion të madh nga malaziasit dhe boshnjakët, e sidomos nga këto të fundit, të cilët pjesëtarëve të bashkësisë myslimane u premtojnë vende pune nëse deklarohen boshnjakë.
Nënkryetari i Këshillit Nacional Boshnjak në Mal të Zi dhe anëtar i Partisë Socialdemokrate në pushtet, Ervin Spahiq, pret se do të ketë politizime të procesit të regjistrimit të popullsisë, por edhe presione rreth deklarimit të përkatësisë kombëtare të qytetarëve. Ai shpreson se edhe ajo pjesë e besimit islam e deklaruar në regjistrimin e fundit /2003/ si mysliman, do të deklarohet boshnjak, sepse “ky është emri i nocionit të tyre”.
Spahiq mendon se nuk duhet ikur nga debatet publike rreth kësaj teme dhe rekomandimi se “është e drejtë elementare e njerëzve që të deklarohen ashtu siç dëshirojnë, jo me imponime – shpërfillje dhe para”. /Koha.Net/