Tiranë, 26 janar – Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, tha sot se ai e ka anuluar tubimin e së shtunës, për të cilin kritikët frikësohen se mund të çoj në më tepër trazira, derisa i dërguari i Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, i ka filluar takimet me liderët e këtij vendi, në përpjekjet për ta zbutur krizën politike.
Pas një ftese nga Shtetet e Bashkuara, kryeministri Sali Berisha, tha se ai e anulon tubimin proqeveritar të planifikuar për të shtunën, raportojnë mediat nga Tirana.
“Tubimi i së shtunës nuk do të mbahet pasi ka kërkesa plotësisht legale dhe logjike nga miqtë tanë dhe partnerët, të cilët po e ndjekin situatën në Shqipëri me shqetësim”, tha Sali Berisha në mbledhjen e Qeverisë.
Opozita do të zhvillojë të premten e kësaj jave protestën homazh të paralajmëruar prej saj në nderim të viktimave të demonstratës që atë ditë mbush plot një javë. Megjithëse kampi tjetër deklaroi rishikimin e vendimit, tryeza e krerëve të opozitës pasditën e së martës la në fuqi mbajtjen e protestës së heshtur në bulevardin dëshmorët e Kombit. Ky takim i krerëve të opozitës është paraprirë nga takimi kokë më kokë, për më shumë se një orë mes ambasadorit të SHBA Aleksander Arvizu dhe kreut të opozitës Edi Rama në zyrën e këtij të fundit në bashkinë e Tiranës.
Mësohet se ambasadori ka mbajtur në këtë takim të njëjtin qëndrim të deklaruar edhe publikisht se nuk është koha për protesta e demonstrata, por kreu i opozitës Edi Rama i ka garantuar se opozita do të zhvillojë protestë të qetë dhe të heshtur në nderim të demonstruesve që humbën jetën në demonstratën e 21 janarit. Të njëjtin qëndrim paqësor dhe qytetar, mësohet të ketë kërkuar kreu i opozitës në këtë takim me diplomatin amerikan edhe nga pala tjetër.
Hetim i plotë dhe i paanshëm gjithashtu ka vënë theksin kryetari i opozitës mbi ngjarjet e 21 janarit në takimin me Arvizu, takim i cili u pasua nga ajo me krerët e opozitës ku ngjarjet e së premtes së shkuar dhe situata aktuale kanë qenë në qendër të bisedës së opozitarëve. /Koha.Net/
Në Tiranë eksperti i FBI-së për çështjen ‘21 janari’
Specialisti i parë amerikan, nga tre që priten për të ndihmuar Prokurorinë shqiptare në hetimin e demonstratës së dhunshme të të premtes së kaluar, ka mbërritur në Tiranë dhe vjen nga FBI.
Nuk dihet ende se nga cilat shërbime do të jenë dy ekspertët e tjerë. Eksperti i FBI-së ka kryer takime me prokurorë të çështjes ‘21 janari’, si dhe në Prokurorinë e Përgjithshme.
Top Channel ka filmuar disa nga prokurorët e çështjes se ngjarjeve të 21 janarit, të cilët shfaqen me prokuroren amerikane të Departamentit të Drejtësisë, Cynthia Eldrige, e cila ka një mandat dyvjeçar në Shqipëri si këshilltare për prokurorët e njësisë task-forcë.
Një ditë më parë prokurorja e përgjithshme shprehu vendosmërinë e saj për të mos u lëkundur nga hetimet, ndërsa asistencën e amerikanëve e konsideroi si më profesionale dhe më të paanshme. /Telegrafi/