Raporti i Martyt, trillim racist

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, e ka quajtur racist raportin e Këshillit të Evropës mbi dyshimet për trafikim organesh, por tha se Tirana, megjithatë, do të bashkëpunojë në çdo hetim.

“Raporti është një trillim racist, i shkruar nga racistët anti-shqiptarë”, tha Berisha të mërkurën në takimin e qeverisë.

“Jemi të hapur për çdo hetim që mund të kryhet në territorin e vendit tonë, edhe pse, në mënyrë të vendosur, e hedh poshtë mundësinë e trafikimit të organeve në Shqipëri dhe për më tepër ekzistimin e varrezave masive në vend”, ka thënë Berisha.

“Akuzat e ngritura në raport nuk janë të reja, por janë akuza të fabrikuara nga makineria propagandistike e Milloshviçit, fill pas sulmit të NATO-s mbi Sadamin e Ballkanit. Duhet të jesh i verbuar e të mos kesh abc-në më elementare të procesit se si merret organi, që të pretendosh se në familjen Katuci, në një shtëpi fshati, qenkan marrë organe”.

“Unë dua të garantoj komunitetin ndërkombëtar se Shqipëria do t’i japë mbrojtje të plotë totale çdo dëshmitari që do të kërkohet. Pavarësisht se janë hetuar më parë, ne jemi dhe do të jemi plotësisht për hetimin e çdo pëllëmbe të këtij territori”.

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka miratuar të martën rezolutën, me të cilën kërkon hetime për trafikimin e organeve në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë, siç ka akuzuar në raportin e tij deputeti zviceran, Dick Marty. /Telegrafi/

KOMENTOJE