Filmi “Shqiptari” (Der Albaner) i regjisorit gjerman Johannes Naber, ka fituar çmimin e parë në edicionin e 32-të të festivalit të filmit “Max Ophüls” në Gjermani. “Shqiptari” rrëfen jetën e një emigranti shqiptar nga Tropoja, i cili ia mësyn Gjermanisë për të fituar 10 mijë euro. Paratë i duhen për të paguar “çmimin” e martesës me vajzën që dashuron. Në të kundërtën, familja do ta martonte vajzën me një tjetër djalë, i cili është i gatshëm të paguajë këtë shumë. Filmi, produksion shqiptaro-gjerman, i ka përfunduar xhirimet në të dyja vendet në Shqipëri dhe në Gjermani. Në rolin kryesor luan aktori Nik Xhelilaj. Me interpretimin në filmin “Shqiptari”, Xhelilaj ka zënë vend në listën e 10 aktorëve të rinj më të mirë në Europë.
Në arsyetimin e jurisë që ka ndarë çmimin e parë për “Shqiptarin”, siç njoftojnë mediat shqiptare, “ky film tregon në mënyrë koherente dhe me një kinematografi të veçantë udhëtimin e një shqiptari të dëshpëruar në Gjermani për të gjetur paratë, për të bërë pajën e vajzës që dashuron, me të cilën do të martohet”.
Më parë “Shqiptari” i Johannes Naber ka fituar edhe çmime të tjera. Në mesin e tyre, Çmimin për aktorin më të mirë dhe Çmimni special të jurisë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Moskë, Çmimi për aktorin më të mirë në Festivalin e Filmit në Antalia, Çmimin special në festivalin ndërkombëtar të filmit në Prishtinë “PriFilmFest”. Përveç Xhelilajt në “Shqiptari” luajnë Xhejlane Terbunja, Yllka Mujo, Guljem Radoja, Bruno Shllaku, Julian Deda, Çun Lajçi, Luan Jaha, Fatime Lajçi, Vasillaq Godo, Ivan Shvedoff, Amos Zaharia, Stipe Erceg, etj. Skenari i këtij filmi është shkruar nga pesë skenaristë, mes tyre edhe Andeta Spahivogli dhe vetë regjisori i filmit. /Koha.Net/
Filmin mund ta shikoni në faqen e MosFli.com: http://www.mosfli.com/der-albaner/