Manu Chao, koncerte nëper Ballkan por jo në Mal të Zi

Këngëtari francez me origjinë spanjolle, José-Manuel Thomas Arthur Chao, i njohur si Manu Chao (1961), më 10 prill do të mbajë një koncert në Prishtinë. Sipas njoftimit në web-faqen e tij, koncerti mbahet në kuadër të turneut ballkanik, gjatë cilit ai do të prezantohet në Lubjanë, Zagreb, Sarajevë, Novi Sad dhe Tiranë, shkruan Express.

Manu Chao, i njohur për stilin e tij të muzikës, këndon në gjuhën frënge, spanjolle, angleze, arabe dhe portugeze. Karrierën muzikore e filloi në Paris. Së bashku me vëllanë e tij, Antoine Chao, dhe me disa shokë, në vitin 1987 e themeloi grupin Mano Negra dhe arriti sukses të konsiderueshëm në skenën muzikore evropiane.

Pas ndarjes së grupit, më 1995, ai e filloi solo karrierën, megjithëse në koncerte shoqërohet nga grupi i tij Radio Bemba. Muzika e Manu Chao është një përzierje e stileve, si punk, rock, shansonë franceze, salsa, reggae, ska dhe raï. Tekstet e Manu Chaos flasin për imigrimin, dashurinë, jetën në geto dhe drogën.

Koncerti në Prishtinë organizohet nga Next Level, edhe pse ende s’është caktuar vendi i mbatjes.

Gazeta malazeze “Vijesti” sot shkruan se Manu Chao do shetis krejt Ballkanin por do të anashkaloj Malin e Zi.