Shumë udhëtarë të kompanisë ajrore “Montenegro Airlines” janë detyruar të presin me orë të tëra të mërkurën realizimin e fluturimit nga Prishtina për në Podgoricë për shkak të disa borxheve që i ka kjo e fundit ndaj aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Gazeta “Zëri” ka mësuar se “Montenegro Airlines” i ka borxh ANP-së rreth 500 mijë euro, prandaj Aeroporti nuk e ka lejuar ta realizojë fluturimin e kësaj kompanie në orët e hershme të mëngjesit të së mërkurës, ku rreth 50 udhëtarë kanë mbetur të ngujuar deri rreth orës 12 të së njëjtës ditë në Aeroportin e Prishtinës.
Zëdhënësi i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Altin Ahmeti, ka konfirmuar se për disa orë pasagjerët e “Montenegro Airlines” kanë pritur në Aeroport.
Ai nuk ka dashur të thotë asgjë nëse fluturimi i aeroplanit të “Montenegro Airlines” nuk është lejuar për shkak të borxheve që ka kjo e fundit ndaj Aeroportit.
“Kontratat e Aeroportit me aviokompanitë përmbajnë klauzola të ruajtjes së sekretit afarist, prandaj nuk mund të flasim asgjë për këtë çështje”, ka pohuar Ahmeti.
Problemi me kompanitë ajrore joserioze që fluturojnë nga Aeroporti i Prishtinës ka filluar të shfaqet vite më parë, pas vendimit të Ministrisë së Transportit që ta heqë depozitën prej 500 mijë eurove për aviokompanitë, e cila depozitë kishte për qëllim t’i mbrojë pasagjerët dhe Aeroportin e Prishtinës nga aviokompanitë e papërgjegjshme.
Me kërkesë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, Ministria e Transportit ishte detyruar ta heqë një depozitë të tillë për aviokompanitë, ku këto të fundit mund të operojnë lirshëm pa e lënë asnjë cent të vetëm në emër të depozitimit.
Heqjen e kësaj depozite mësohet se përpos zyrtarëve të lartë qeveritarë e ka kërkuar edhe vetë drejtori menaxhues i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Agron Mustafa.
Gazeta malazeze “Vijesti” njofton se aeroplani i “Montenegro Airlines” u lëjua të niset mbasi paguan 50 mijë euro, kurse sipas marrëveshjes pjesën tjeter të borxhit do ta paguajn në të ardhmen. Kjo gazetë gjithashtu njofton se “Montenegro Airlines” do të nderpresin linjen Podgoricë-Prishtinë-Podgoricë. /Zëri/ /Vijesti/