Kumtesë për opinion e Lidhjes Demokratike në Mal të Zi

Bardhi priti ambasadorin Leopold Maurer

Kryetari i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, Mehmet Bardhi, me bashkëpunëtorët e tij, të mërkurën e kaluar, më 16 shkurt 2011, në Ulqin priti në një drekë pune kreun e Delegacionit të Komisionit Evropian në Malin e Zi, ambasadorin Leopold Maurer, me bashkëpunëtorët e tij, me të cilët biseduan për çështjet aktuale politiko-shoqërore e ekonomike në Mal të Zi, sidomos për pozitën e shqiptarëve dhe angazhimin e LD në MZ për realizimin e të drejtave dhe kontributin për integrimet evro-atlantike.
Përfaqësuesit e LD në MZ e informuan funksionarin e lartë të Bashkimit Evropian për shumë çështje që sot janë aktuale: për privatizimin që Qeveria e Malit të Z e bëri dhe po bën duke anashkaluar përfaqësuesit legjitimë të shqiptarëve dhe institucionet legjitime vendore që të vendosin në mënyrë
demokratike e transparente në këto procese.
Në lidhje me Valdanosin, Bardhi tha se LD në MZ ka kundërshtuar me forcë që në fillim marrjen e kësaj pasurie pronarëve për nevoja të ushtrisë – liman ushtarak dhe ka kërkuar e kërkon që Valdanosi t’ju kthehet pronarëve të ligjshëm. LD në MZ qartë e vendosshmërisht thekson se pasuritë që pushtetet e mëparshme i morën pa pëlqimin e pronarëve, patjetër duhet t’ju kthehen pronarëve dhe se vetëm pronarët mund të vendosin për fatin e pronës së tyre. Komisioni qeveritar, as qeveria as askush nuk mund të shesë pasurinë tonë as ta japë me koncesione a qira. Këto lloj shit-blerjesh, pa të zotët e patundshmërive, për LD-në janë të papranueshme dhe kurdoherë që do të krijohen kushtet, sado vjet që të shkojnë, ne do t’I kontestojmë dhe do t’i kthejmë. Këtë duhet ta dinë edhe ata që e kanë blerë apo duan të blejnë a marrin me qira. Prona e huaj nuk mund të shitet as nuk mund të jepet me qira.
Në lidhje me Ligjin për zgjedhjen e këshilltarëve dhe deputetëve, përfaqësuesit e LD në MZ e njoftuan ambasadorin Maurer, se shqiptarët si popull autokton në trevat e veta shekullore, sot në Malin e Zi, janë të qartë: duhet respektuar e drejta natyrore, historike, nacionale dhe të drejtat e arritura. Shqiptarët të zgjedhin përfaqësuesit e vet politik në Kuvendin e Malit të Zi dhe në kuvendet e komunave në trevat shqiptare, proporcionalisht pjesëmarrjes së tyre në numrin e përgjithshëm të popullsisë së Malit të Zi.
Bardhi shtoi se tendencat pasreferendumiane të Malit të Zi që mos të respektojë vullnetin e shqiptarëve janë shqetësuese, sikurse janë po ashtu shqetësuese heshtja, mosngritja e zërit për realizimin e respektimin e të drejtave apo mbajtja e isos politikave antishqiptare, që po vërehen qartë në sfera të ndryshme, nga disa të ashtuquajtura subjekte shqiptare, e që këtë po e bëjnë për arsye të ndryshme a favore të ditës apo diç tjetër?!
Një theks të veçantë në bisedime iu kushtua kërkesës legjitime të Lidhjes Demokratike, që nga themelimi, për të respektuar vullnetin e qytetarëve të Malësisë dhe të drejtën e patjetërsueshme themelore demokratike për të pasur komunën me të drejta e kapacitete të plota, çka u kërkua mbështetje e institucionit të lartë në krye të të cilit është zotëri Mauer.
Pas vizitës së Ulqinit dhe Katërkollës, ambasadorin Maurer, në kthim për Podgoricë, Bardhi e shoqëroi në vizitë të Krajës. Së pari u ndalën në Shtegvashë, një nga shtatë vendvrojtimet më të bukura në Evropë (siç e pat vlerësuar Shtegvashën një punëtor turistik gjerman I apasionuar i bukurive natyrore), nga shtrihet një pamje e pafund mahnitëse, që nga Shkodra, Maranajet e nalta, liqeni i Shkodrës e gjithkah rrotull Krajes e ka merr Rumia jonë krenare, në veri, gjerësinë e pafund të Anës së Malit, fushën, me Bunën e liqenin e Shasit, Ulqinin, Qafën – Kullën e Kadraçit deri në Tivar, me Taraboshin legjendar me pamje deri në Lezhë e detin e pafund, në jug-lindje.
Pastaj Delegacioni i lartë Evropian vizitoi Shën Mërinë e Krajës, muranet e kishës nga shekulli i 10-të, të këtij monumenti kulturohistorik të kësaj treve shqiptare.
Në rrugëtim delegacioni vizitoi edhe lokalet e Shkollës “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, ku busti i Skënderbeut mendimtar, qëndron I vendosur krenar para hyrjes së këtij tempulli të diturisë jo vetëm kranjane. /Koha Javore/

KOMENTOJE