Figura e Mësuesit – nga Marash Dukaj

Shumë data të shënuara të historisë sonë të lavdishme në vete bartin domethënje e simbolika të shumëfishta, si lirinë, guximin, etj., si do të thoshte një shkrimtar: -“kanë frymën dhe fytyrën e vet”!
7 Marsi, dita kombëtare e mësuesit është një ngarje që mund të rënditet si e tillë, pasi që mund të themi se ka fytyrën e durimit, këmbënguljes dhe të së ardhmës! Fillimisht kjo datë shënon zanafillën e shkollës laike shqipe, e cila filloi punën më 7 Mars të vitit 1887 në Korçë, ku në përkujtim të saj, 7 Marsi është shpallur “Dita e Mësuesit”, e që nga viti 1960 u kremtua edhe si festë zyrtare në republikën e Shqipërisë.
Duke u bazuar në veprat e shumë studiuesve, zanafilla e shkollave shqipe në trevat e ndryshme shqiptare është shumë më e lashtë se kjo e Korçës, përderisa ekzistuan shkolla para laike apo kishtare pohuan ata. Njëri ndër ta Zef Jubani nënvizon se nga shek.XVII kanë vepruar shumë shkolla me mësim në gjuhën shqipe: në Kurbin-Lezhë (v.1632), në Pedhanë-rrethi i Shkodrës (v.1638), në Blinisht,(v.1639), Himare dhe në pjesët e Kosovës së sotme, konstaton ai.
Prandaj, këto e shumë tjera të dhëna dëshmojnë se data në fjalë nuk mund të merret si një cak i fillimit të shkollimit shqip, kështu që mundë të konsiderohet si rilindje e një tradite të hershme, gjithashtu edhe një fazë e re dhe bashkëkohore për një të ardhme më të sigurtë.
Kur është fjala për hapjen e shkollave shqipe tek ne, pra në territorin e Malit të Zi, sipas studiuesit të njohur prof.dr. Palokë Berisha daton që nga viti 1893 në Arzë-Hot, Tuz (v.1915/16), Triesh (v.1916/17), Priftën (v.1916/17), Dinoshë (v.1917/18), Ulqin, Larje, Plavë, Vuthaj e Martinaj (v.1916/17). Kurse gjimnazi i parë shqip u hap në Ulqin (v.1965/66), në Tuz (v.1971/72) , ndërsa në Plavë (v.1978/79), konstaton ai.
Pavarësisht ku, dhe kur janë hapur këto shkolla, në radhë të parë kjo është meritë e atdhedashësve të mëdhenjë, që filluan themelet e gjuhës e shkrimit shqip shumë kohë më parë, duke filluar nga Matrënga, Ëngjelli, Buzuku, Budi, Bardhi, Bogdani etj., e më pas ithtarët e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, periudhë në të cilën bën pjesë edhe 7 Marsi i vitit 1887.
Mendoj që kjo festë në aspektin kombëtar duhet të shërbej për t’i kujtuar vlerat e rëndësishme të shkollës shqipe në përgjithësi, por gjithsesi edhe figurën e nderuar të mësuesit, dhe të gjithë atyre që kanë kontribuar e kontribuojnë në zhvillimin dhe avancimin e arsimit shqiptar në përgjithësi! Në shenjë vlersimi dhe nderimi ndaj të të gjithëve që u mbetën besnik këtyre vlerava të shenjta, 7 Marsi le të jetë ditë respekti dhe inkurajimi, në radhë të parë për ata që i janë përkushtuar këtij profesioni.
Ndërkaq, kur flasim e shkruajmë për këtë ditë, që është datë e shënuar për mësuesit dhe shkollën shqipe në përgjithësi, në të njëjtën kohë duhet të kemi parasysh edhe pozitën që gëzojnë në vendin tonë, për të cilën pajtohemi të gjithë se është jo e volitshme! Edhe pse shihet një ecuri përparimtare vitet e fundit në këtë drejtim, sidoqoftë duhet të shpresojmë se edhe më dukshëm kjo dukuri të përmirsohet, gjithjë duke i pasur parasysh kërkesat e kohës.

Përfundimisht, mësuesi, i çfarëdo cikli qoftë duhet të jetë i gatshëm që me vetëdije të lartë të tejkalojë të gjitha barrierat, të çfarëdo natyre qofshin ato,
sepse në të vërtetë, ai është figura e durimit, këmbënguljes dhe paqyra e ardhmërisë për të përçuar gjithçka në fund.
Përgjithësisht, njeriu duhet që me kontributin e vet, të fitojë respektin e mbarë shoqërisë, këtë e dëshmuan mësuesit shqiptar, në këtë mënyrë ata dje dhe sot mbetën të pazëvendësueshëm në rrafshin mbarëkombëtarë, ata edhe në periudhat më të vështira na mësuan ndër shekuj qëllimet më të ndritura, sakrifikuan gjithçka që e ardhmja e kombit dhe e atdheut të jetë e sigurtë, ata kanë qenë dhe do të mbetën figura të ndritura të historisë sonë të lavdishme. Po për këto,e shumë fakte tjera, me plot bindje mund të konstatojmë se vlera e brezave varet nga nderimi për figurën e Mësuesit/es.
Edhe pse shumë prej nesh, ka kohë që jemi larguar nga bankat shkollore, kujtimet e ngrohta dhe të paharruara e bëjnë atë pjesë të së sotmes, padyshim edhe e të së ardhmës! Prandaj është e pamundur që shoqëria jonë në përgjithësi, së paku në këtë ditë, në një farë mënyre mos të kujtojë, respektojë, përgëzojë e nderojnë këtë figurë të rëndësishme, që në fytyrën e të cilit janë shumë pyetje e përgjigje, të cilat janë të ngulitura me aq ngrohtësi e durim, gjë që mund ti posedojë vetëm mësuesi/ja!
Andaj, ne me nderimin e tyre, në të vërtetë nderojmë vetveten sepse “mendja e një kombi është arsimi”, e përderisa këta në çdo kohë e krahinë na udhëheqën në rrugën e përparimit dhe arsimit në përgjithsi, gjithjë duke kultivuar tek brezat dashurinë për atdheun e kulturën e përgjithshme. Me nostalgji e fanatizëm kanë ruajtur vlerat më të shenjta për të ardhur deri tek ditët e sotme. Ne ua kemi me borxh që këto vlera t’i përcjellim në gjeneratat e ardhshme, ashtu siç ne trashiguam nga vetë ata. Duke besuar se do të jetë kështu, nga zemra urime e gëzuar festën tuaj, o mësuesit tonë të dashur!

KOMENTOJE