Bruksel, 9 mars – Rundi i parë i dialogut përfundoi me përparim në zgjidhjen e disa problemeve, mirëpo tash për tash nuk ka përparime në çështjet që prekin sovranitetin, siç është çështja e vulave në dogana, për të cilën pala kosovare ka theksuar se është shumë e rëndësishme.
Edita Tahiri ka sqaruar se vulat doganore janë të rëndësishme për Prishtinën, sepse “me zgjidhjen e këtij problemi do të zgjidhej edhe eksporti dhe transiti nëpër Serbi.
“Serbia tash për tash e pamundëson transitin, ndonëse Kosova e lejon importin e mallrave nga Serbia”, theksoi Tahiri.
Si zëvendëskryeministrja Tahiri, ashtu edhe bashkëbiseduesi i saj nga pala serbe, Borisllav Stefanoviq iu deklaruan gazetarëve se janë të kënaqur që është nisur dialogu.
Bashkimi Evropian ka vlerësuar se takimi i parë i ekipeve negociuese të Beogradit dhe Prishtinës ka kaluar në një “atmosferë konstruktive e të përzemërt” dhe se të dy palët kanë treguar gatishmëri për dialog.
“Takimi është mbajtur në atmosferë konstruktive e të përzemërt dhe ishte informativ e produktiv. Të dy palët kanë përsëritur përkushtimin për dialog dhe gatishmërinë për të vazhduar procesin. Ndërmjetësi ynë ka theksuar dy qëllime të dialogut – të hiqen pengesat që kanë pasur ndikim negativ në jetën e përditshme të nejçëve, të përmirësohet bashkëpunimi dhe të realizohet përparim në rrugën drejt BE-së”, thuhet në komunikatën e Unionit Evropian që u dha sonte.
BE-ja ka vlerësuar se takimi i parë i dy delegacioneve “ka ofruar mundësi që të bisedohet për qasshmërinë e informatave nga librat amë dhe kadastrat, çështje këto që direkt kanë të bëjnë me jetën e përditshme të njerëzve” dhe ka shtuar se “të dy palët janë pajtuar që këto informata duhet të jenë të qasshme, në mënyrë që të sigurohet siguria juridike e qytetarëve”.
Si thuhet më tutje në njoftim, dy palët kanë biseduar edhe për tregtinë rajonale, lirinë e lëvizjes së mallrave, gjë që është me rëndësi të posaçme për zhvillimin ekonomik të tregjeve të vogla individuale të cilat përbëjnë Evropën Juglindore”.
“Marrëveshja CEFTA, që paraqet bazë për vendosjen e tregut të hapur rajonal, është marrëveshje kyç për zhvillimin ekonomik të rajonit. Dy palët e kanë vlerësuar pozitive pjesëmarrjen e tyre në CEFTA dhe kanë konfirmuar se do të marrin pjesë edhe gjatë kryesimit kosovar të kësaj marrëveshje rajonale gjatë vitit 2011”.
Gjatë takimit është biseduar edhe për telekomunikimet dhe trafikun ajror, që janë dy fusha për të cilat hapet mundësia e ofrimit më të mirë të shërbimeve për shfrytëzuesit e tyre, për efikasitte më të mirë ekonomik dhe më të përshtatshme në aspektin ekologjik.
“Është arritur marrëveshja që së shpejti të mbahet edhe takimi i dytë”, thuhet në fund të komunikatës.
Sipas parashikimeve, takimet e ardhshme ndërmjet dy palëve do të mbahen nga disa herë në muaj, në varësi nga përparimi i shënuar.
Teknikisht, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri shpjegoi se u bisedua mbi regjistrin civil e kadastrën, çfarë propozoi në takim Beogradi në mbrojtje të interesave të komunitetit serb në Kosovë.
“Ne presim shumë që të zgjidhim problemet e mëdha që qendrojnë midis nesh, në të gjitha ato çështje që mbeten të hapura. Kjo do të thotë se po përpiqemi të trajtojmë tema të cilat ushtrojnë një presion ndaj njerëzve në Kosovë dhe po flasim sidomos për komunitetin serb. Ne do të përpiqemi që të lëmë pas dallimet tona të mëdha mbi statusin e Kosovës. Por, sigurisht që rregullimi i marrëdhënieve tona me Prishtinën do të rezultojë në përfundim të këtij dialogu”, ka deklaruar Stefanoviq.
Ndërsa Edita Tahiri është shprehur: “Të dyja palët përpiqen të jenë konstruktive dhe kanë sukses për këtë. Mendoj se ne po mundohemi të jemi krijues për çështjet në diskutim. Kemi nisur me tema të tilla si regjistri civil dhe kadastra dhe do bisedojmë mbi lëvizjen e lirë dhe mekanizmat e bashkëpunimit rajonal”.
“Ishte hera e parë pas shumë, shumë viteve që ne patëm shansin të negocionim ballë për ballë. E më duhet të them se kishte propozime shumë të mira e konstruktive, vecanërisht nga ana jonë, pasi ne erdhëm të mirëpërgatitur për këtë dialog dhe sigurisht presim palën tjetër që të përgjigjet mbi këto propozime”, ka shtuar Stefanoviq.
“Përsa i takon palës sonë, ne duam vërtet të jemi konstruktivë dhe t’i kontribuojmë përparimit për të zgjidhur dallimet tona në çështjet praktike. Ky është një dialog teknik e do të qendrojë i tillë”, ka vijuar ndër të tjera Tahiri.
Takimi i radhës për dialogun Prishtinë- Beograd pritet të mbahet në selinë e Këshillit të BE-së gjatë javës së fundit të muajit mars.
Komersant: Hapi i parë i Serbisë për njohjen e Kosovës
Moskë, 10 mars – Bisedimet Prishtinë-Beograd në Bruksel paraqesin hapin e parë në rrugën e Serbisë drejt njohjes së Kosovës, vlerësoi sot e përditshmja ruse “Kommersant”.
Gazeta, bën të ditur REL, shkruan se për fillimin e afrimit të Beogradit dhe Prishtinës ka kontribuar Bashkimi Evropian, i cili nuk e fsheh se pa aktivizimin e dialogut mes dy palëve , ato “nuk mund të ëndërrojnë për eurointegrimet”.
Gazeta ruse shkruan se të dyja palët kanë vënë në krye negociatorë me përvojë. /Koha Net/