Televizioni japonez ka prezantuar incizimet e dëmeve të mëdha të shkaktuar nga cunami, pas tërmetit shkatërrues në Japoni me fuqi prej 8.9 ballë të Rihterit, që paraqet dridhjen më të fuqishme në këtë vend që nga viti 1800, kur ka filluar matja e dridhjeve të tokës.
Sipas njohurive të agjencisë japoneze të lajmeve Kyodo, mbi 1 mijë persona kanë humbur jetën, kurse edhe 88 000 të tjerë janë të zhdukur. Sipas të dhënave më të reja të policisë japoneze, numri i personave që e kanë humbur jetën në tërmetin jashtëzakonisht të fuqishëm që goditi sot në mëngjes Japoninë ka shkuar në 137, por janë edhe 531 të tjerë që kërkohen dhe 330 të plagosur. Mirëpo, në mesin e këtyre, nuk janë llogaritur edhe viktimat e cunamit, që me siguri ka edhe më shumë, pasi sipas policisë dhe agjencive të lajmeve, 200-300 trupa të pajetë janë parë në qytetin Sendai, i cili u godit më së shumti nga valët e larta 10 metra dhe me fuqi shkatërruese të ujit të oqeanit, që u shkaktuan si pasojë e tërmetit. Pos kësaj flitet për një anije të fundosur me 100 pasagjerë, si dhe për një tren që është përbirë nga cunami, për të cilin thuhet se nuk dihet se sa njerëz kanë qenë në të. Por, marrë parasysh se ishte tren i mëngjesit, kur njerëzit shkojnë në punë, me siguri se treni ka qenë i mbushur.
Autoritetet e Tokios, që është 400 kilometra larg epiqendrës kanë ndalur menjëherë hekurudhën nëntokësore dhe kjo ka bërë që miliona njerëz të mbesin në kryeqytetin me rreth 30 milionë banorë e të mos mund të shkojnë pranë shtëpive dhe familjeve të tyre. Qeveria, e cila është mbledhur në takim urgjent, ka ftuar banorët të qëndrojnë pranë vendeve të punës, sepse ndryshe rrezikojnë të pësojnë gjatë rrugës, të cilat janë edhe ashtu përplot automjete të bllokuara.
Pas tërmetit është ndalur puna e katër centraleve bërthamore që janë më afër epiqendrës, ka njoftuar agjencia ndërkombëtare për energji bërthamor IAEA. Agjencia japoneze e lajmeve Kyodo News raporton se në centralin bërthamor Onagava, në prefekturën Mijagi pas tërmetit ka shpërthyer zjarri. Por, se a ka pasur rrezatim si pasojë e kësaj ende nuk dihet.
Ushtria japoneze ia ka dalë të evakuojë 60 deri në 70 mijë banorë të qytetit më të goditur nga cunami, Sendai.
Se sa i fuqishëm ishte dridhja e tokës flet edhe fakti se tërmeti u ndie edhe në kryeqytetin kinez Pekin, i cili është larg epiqendrës afër 2 500 kilometra.
Falë alarmit të dhënë me kohë dhe evakuimit, nuk raportohet të ketë pasur viktima në shtetet e tjera të Paqësorin deri në Hawai, ku cunami arriti diku rreth orës 16 (nja 9 orë më vonë se në brigjet lindore të Japonisë ) sipas kohës sonë, me valë që arrinin lartësinë e 6 metrave.
Agjencitë e lajmeve njoftojnë se në qytetin japonez, Senday, në verilindje të vendit, janë gjetur mbi 200 viktima të cunamit, të shkaktuar nga termeti 8,9 ballësh, që ndodhi sot.
Në pjesët e tjera të Japonisë deri tash janë gjetur 88 persona të vdekur dhe 349 evidencohen të zhdukur.
Një tren udhëtarësh, me numër të panjohur udhëtarësh, është zhdukur në valët e cunamit, në afërsi të staticoni Nobiru, në linjën Sendai-Ishinomaki, njoftojnë agjencitë.
Policia e Japonisë ka njoftuar se në tërmetin e sotshëm, që u shoqërua edhe nga cunami, deri tash janë evidencuar 60 persona të vdekur dhe 56 të zhdukur. Qeveria japoneze ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në centralin bërthamor në Fukushi, në sistemin ftohës të të cilat kanë ndodhur defekte. Probleme janë vënë re edhe në dy centrale bërthamore, por nuk ka shenja radiacioni, njofton AP-ja.
Lajmet e fundit nga Japonia e largët, që u godit sot në mëngjes nga një termet 8,9 ballësh sipas shkallës së Rihterit, flasin për së paku 32 të vdekur deri tash, dhe për qindra të plagosur. Por dyshohet se numri i të vdekurve është shumë i madh.
Tërmeti goditi bregdetin verilindor të Japonisë. Cunami 10 metrash pohohet se ka shkretëruar bregdetin japonez.
Tërmet i fuqishëm me intensitet prej 8,9 ballësh sipas shkallës Rihter, e goditi mëngjesin e sotëm bregdetin verilindor të ishullit japonez Honshu, duke krijuar dallgë cunami me valë deri dhjetë metra , të cilat shkaktuan shkatërrime në prefekturën Miagi dhe Fukushima.
Rrezik nga goditje të cunamit janë shpallur edhe në rajonet bregetare të Oqeanit Paqësor në Rusi, si dhe të ishujve Marijanë, Filipine, Tajvanit, Indonezisë, Papua – Guinesë së Re, Naurit, Mikronezisë dhe Havajet.
Epiqendra e tërmetit, për të cilin fillimisht u komunikua se ishte me intensitet prej 7,9, e pastaj edhe prej 8,8 ballë sipas Rihterit, ka qenë në 125 kilometra në lindje të ishullit Honshu, 24 kilometra nën thellësinë e Oqeanit Paqësor.
Pas tërmetit të parë pasoi edhe një seri lëkundjesh të dyta mes të cilëve katër me intensitet prej 7,1 ballëve.
Mediat japoneze njoftuan se ka numër të madh të lënduarish dhe se janë dëmtuar shumë rrugë dhe ka ndërprerje të lidhjeve telefonike. Pas lëkundjes në disa ndërtesa kanë shpërthyer zjarre.
Tërmeti është ndjerë edhe në kryeqytetin japonez Tokio, ku është shembur çatia e një holli, në të cilin është mbajtur ceremonia e ndarjes së diplomave të rreth 600 studentëve.
Armata japoneze u urdhëroi anijeve të Marinës ushtarake në bazën “Jokosuka” që të nisen drejt rajoneve të goditura nga tërmeti dhe cunami që t’u japin ndihmë të dëmtuarve.
Tërmeti goditi në orën 6:46 me orën tonë dhe është pasuar nga një seri tërmetesh të tjerë të vegjël. Tërmeti plasariti ndërtesat dhe rrëzoi makinat nga urat.
Ndërkohë, pjesë të dallgës së cunamit vërshuan si llavë në tokat e mbjella, duke futur në to varka dhe duke vënë përpara shtëpi dhe kamionë.
Në Tokio turma njerëzish u mblodhën nëpër rrugë dhe u përpoqën të lidheshin me të afërmit përmes telefonit. Gjithashtu, tërmeti i shoqëruar nga cunami ka shkaktuar ndërprerjen e energjisë në pothuajse 4 milionë shtëpi në Tokio dhe në zonat përreth.
Japoni, qeveria: Dëme të mëdha
Kryeministri japonez Naoto Kan ka reaguar pas situatës së krijuar pas tërmeteve dhe cunamit që goditën Japoninë, duke bërë thirrje për qetësi.
“Kemi ngritur një komitet operativ dhe iu kërkojmë të gjithëve që të jenë të vëmendshëm ndaj udhëzimeve që do të jepen. Duhet të ruajmë qetësinë”, ka deklaruar Kan.
Deklaratën e tij kryeministri e ka bërë pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme të kabinetit të tij, i veshur me tutën e kaltër që përdoret në rastet e emergjencës.
Ndërkohë, një zëdhënës i qeverisë japoneze ka deklaruar se tërmeti i fuqishëm dhe dallgët e cunamit mund të kenë shkaktuar dëme të konsiderueshme.
Një rafineri nafte është përfshirë nga flakët e larta sa një ndërtesë disa katshe në qytetin japonez të Içiharës, ndërsa numri i të humburve është shpallur i lartë, por ende i pakonfirmuar.
Krahina e Miagit, më e dëmtuara nga prekura nga goditjet e cunamit, raportoi për një numër ende të paqartë të humburish, ndërsa disa media vendase flasin për 80 kalimtarë pranë portit të zhdukur nën ujin e turbullt, të ngritur papritmas prej detit.
Ndërkohë, siç raporton CNN, janë konfirmuar tetë viktimat e para. Bilanci tragjik pritet të rritet në orët në vazhdim. /REL/