Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës 1911 – Shpërthimi i kryengritjes (1)

Këtë vit është 100-vjetori i Kryengritjes së Malësisë, e cila përbën një nga ngjarjet më të mëdha të historisë së re shqiptare. Ajo shpërtheu në mars të vitit 1911 dhe zgjati deri në gusht të këtij viti. Shqiptarët malësorë arritën të detyrojnë Turqinë të nënshkruajë marrëveshjen me ta dhe t’u njohë atyre disa koncesione.

Pjesë nga libri i studiuesit Romeo Gurakuqi, “Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës 1911”.

Kryengritja e Malësisë së Madhe, mars – gusht 1911

Shpërthimi i kryengritjes

Më 23 mars malësorët e Hotit, Grudës dhe të Kelmendit qenë në gatishmëri për fillimin e luftës kundër pushtuesit otoman. Ndërsa më datën 24 mars, nga mbrëmja, u dha shenja e kryengritjes së përgjithshme të “Lekëve të Hotit, të Grudës dhe të Kelmendit”, të cilët filluan pushkën. Dedë Gjo’ Luli, vojvoda i Hotit, Kolë Marash Vata, Zef Lani e Gjon Pëllumbi me 12 burra të Hotit e të Kelmendit, sulmuan dy kaushat e ushtarëve turq në Rapshë të Hotit duke vrarë dy ushtarë turq dhe duke vrarë dy të tjerë. Yzbashi turk, së bashku me 30 ushtarë, u dorëzua dhe pasi u çarmatosën u lanë të lirë për të shkuar në Shkodër. Gjatë këtyre luftimeve malësorët morën 33 mauzerre e 4000 fishekë.

Më 25 mars malësorët e Hotit sulmuan dy kaushat e Traboinit. Në fillim të luftimeve u vranë dhe u çarmatosën ushtarë turq, derisa mbërriti ndihma turke nga Tuzi. Atëherë luftimi u bë më i rreptë, pasi shqiptarëve u erdhën ndihma prej Kelmendit dhe Grudës të armatosur me pushkë e thika, sëpata e kmesa dhe luftimet kështu zgjatën deri në të errun. Si rezultat i luftimeve mbetën 16 ushtarë turq të vrarë dhe 3 të plagosur, kurse nga ana e shqiptarëve u vranë 9 burra nga Hoti (traboinas) dhe u plagosen 9 të tjerë. Ndër dëshmorët shqiptarë mund të përmendim traboinasit Kolë Marash Vata, Zef Lani e Gjon Pllumi.
Po këtë ditë Gruda mori kaushen e Selishtit. Ndër luftime u vra një triepshian dhe një tjetër
u plagos.

Më datën 26 mars malësorët e Grudës dhe të Kelmendit, të ndihmuar edhe prej disa triepshianëve, morën kaushen e Pikalës dhe tri kausha të tjera në kufi të Malit të Zi. Për t’u shënuar është fakti se këtë ditë janë mbledhur të gjithë nënshtetasit otomanë në Shkodër, të cilët nën drejtimin e valiut të Shkodrës, aktivizuan fanatikët dhe më pas vendosën të nxjerrin tallallin në Shkodër, për t’u bërë thirrje përçarëse “të gjithë atyre që ndjeheshin turq, të shkonin për të vdekur në Malësi për Din”.

Më datën 27 mars nga mbrëmja, u bë në Shkodër, një mbledhje e dytë publike në lidhje me dërgimin e vullnetarëve kundër malësorëve, në një kohë që kryengritësit e Grudës dolën në Deçiq, ndërsa ata të Hotit në Krevenicë. Autoritetet u shpërndanë më se 4000 armë myslimanëve të qytetit dhe të rajonit të Lezhës dhe të Kthellës. Vetëm një pjesë e vogël e atyre që morën armë vepruan kundër malësorëve.
Luftimet në veri të Shkodrës do t’i përcjellë me njoftimin e tij në qendër edhe konsulli Zambaur. “Situata, shkruan ai, mund të bëhet dramatike, në qoftë se agresorët do të marrin ndihma, sepse turqit kohët e fundit i transferuan trupat e tyre në Mirditë, kështu që ata nuk mund të kenë përforcime
për momentin.
Konsulli i Malit të Zi në Shkodër është thirrur në Cetinë dhe kjo mund të jetë një shenjë e ashpërsimit të situatës”.
Në njoftimin tjetër, po të datës 27 mars, Zambaur shprehest se “numri i kryengritësve, të cilët kanë ardhur nga Triepshi në Mal të Zi për t’u dhënë mbështetje të 70 kryengritësve të përmendur në njoftimin paraardhës, është 3000 – 4000.
Më datën 27 garnizoni i Tuzit telegrafoi se të gjitha pikat kufitare qenë të bllokuara prej malësorëve dhe kërkoi mbështetjen e kajmekanit, pasi të nesërmen Tuzi do të sulmohej nga Kuçi dhe fiset e tjera në Mal të Zi.

Shqiptarët brenda tri ditëve luftimi zunë 8 kulla, 90 mauzerë dhe municion. Turqit u zunë në befasi të plotë. Situata në Shkodër paraqitet e acaruar si rezultat i propagandës dezinformuese të autoriteteve, të cilat kërkonin që të frikësonin dhe të çorientonin popullsinë shqiptare të besimit musliman të qytetit dhe rrethinave.
Popullsia nga rrethinat e Shkodrës, filloi të kërkonte strehim në Shkodër, sepse u frikësua nga paraqitja e kryengritjes si një sulm prej Malit të Zi.
Më 27 mars ambasadori Giesl në Cetinë, rikonfirmoi fillimin e kryengritjes nga malësorët dhe sqaroi përfshirjen në të edhe të banorëve nga Kelmendi, të cilët filluan të sulmonin postat kufitare në veri të Tuzit, në kufi me Malin e Zi. Gjithashtu, në përkrahje të Hotit dhe Grudës, më 27 mars, rreth 3000 vetë banorë nga fshatrat e anës malazeze të kufirit, Triepshit, Fundinës, Orahovës etj. morën pjesë në luftime.
Disa pika kufitare turke u morën, u çarmatosën dhe ushtarët u lanë të lirë. Në këto ditë të fillimit të kryengritjes raportimet janë të shpeshta, çka flet për rëndësinë e ngjarjeve që po zhvilloheshin në Shkodër e rrethinat e saj.
Me datën 27 mars edhe konsulli Zembaur jepte detaje më të hollësishme. Fillimisht ai jep një pasqyrë të situatës gjatë fundit të muajit shkurt dhe marsit duke përshkruar si shqetësues vetëm fenomenin e mospranimit të rekrutimit të të rinjve në ushtrinë turke. Vetëm në Shkodër kishte pasur nja 100 vullnetarë të cilët shkuan për t’u regjistruar lirisht, por të tjerët, madje edhe myslimanët e fshatrave, vendosën të shkojnë në Mal të Zi, në vend që të rekrutoheshin, – shkruan ai. Përveç kësaj situate ishte disi e qetë, kështu që valiu i Shkodrës përqendroi trupat dhe planifikoi t’i bënte një ekspeditë Kelmendit (Selcës) në verën e ngrohtë. Zambaur vazhdonte duke u shprehur se “është një surprizë e madhe fillimi i luftimeve të përgjithshme”.

Atë Mati Prennushi, famullitari i Kastratit, sipas Zambaur-it, besonte se një kryengritje e përgjithshme do të fillonte në të ardhmen e afërt, pasi njerëzit nuk dëshironin të emigronin më në Mal të Zi, por synonin të merrnin armë prej turqve dhe më pas të zgjeronin numrin e tyre që të mundnin
me ndërmarrë në vijim një sulm më të gjerë kundër tyre”. Letra më pas vazhdonte me informacionet më dramatike që lidheshin me fillimin e sjelljes së trupave turke nga Mirdita në rajonin kufitar afër Tuzit dhe ato mbi fillimin e armatosjes së popullsisë civile myslimane me pushkë “Martini”, (gjë kjo që përbënte përpjekjen më të rrezikshme antishqiptare dhe më të dënueshme të ndërmarrë nga pushtuesi turk).

Për kryengritjen e Malësisë së Madhe të vitit 1911 kemi kështu edhe një moment kalimtar mjaft delikat, në të cilin populli ynë, përgjithësisht, tregoi një kompaktësi në ndërgjegjen e vet të përbashkët, në izolimin dhe braktisjen e shpejtë të së keqes.
Është fjala për veprimtarinë përçarëse të pushtuesit osman, që u përpoq pa sukses ta ngjallë fanatizmin fetar, duke dëshiruar të fusë përçarje fetare për ta penguar bashkimin e kombit shqiptar, gjë që pati rezultat të kufizuar dhe të përkohshëm, vetëm në disa segmente të popullsisë (sipas të gjitha gjasave me prejardhje jo të drejtpërdrejtë shqiptare), të lidhur me shërbime të ndryshme ndaj Perandorisë Osmane.
Studiues të ndryshëm shqiptarë dhe të huaj kanë vënë në dukje shkaqet e këtij momenti delikat, duke ekspozuar autorësinë jashtëshqiptare. Ishte Bedri Pasha, valiu turk i Shkodrës, autori famëkeq i flluskës përçarëse në mes shqiptarëve. Bedri Pasha në kohën e fillimit të kryengritjes kishte në Shkodër më pak se 1000 ushtarë në dispozicion për mbrojtjen e qytetit. (Në fillim marsit garnizoni i Shkodrës kishte 600 ushtarë, kurse ai i Tuzit 500. Me dërgimin e disa forcave në Mirditë, ku kishin shpërthyer turbullira, në Tuz mbetën 200-250 ushtarë e në Shkodër 300). Para rrezikut të një disfate ushtarake me malësorët, ai mendoi të kthente në përfitim të vetin, faktin e shpërthimit, si një aksion i vetmuar i kryengritjes nga fiset katolike të Malësisë të vendosura në kufirin me Malin e Zi. Mendimi për këtë taktikë, ishte në përki
m të plotë me rezolutën e adoptuar në Kongresin e Komitetit “Bashkim dhe Përparim”, nën kryesinë e Halil Beut, mbajtur vjeshtën e kaluar. Për këtë flet lloji i alarmit që ai krijoi ato ditë në Shkodër: “Malësorët janë të subvencionuar dhe janë një pararojë e ushtrisë malazeze, që synojnë të kapin qytetin dhe të masakrojnë popullsinë myslimane”. Ai shpalli kështu luftën e shenjtë dhe u bëri thirrje myslimanëve të sanxhakut. Një thirrje e tillë, natyrisht, nuk mund të mbetej kurrë pa përgjigje, kur edhe rrethanat e izolimit të plotë të informacionit dhe propagandës nacionaliste shqiptare prej xhonturqve në Shkodër, e favorizonin. Shkodra, fillimisht në shumicë, ngurroi të ndiqte këtë thirrje. “Ishte e lidhun tepër ngusht me Malci, si me miqsina e me kumari edhe ma tepër me tregti,- shkruan Dom Ndoc Nikaj. Rrënimi i disa familjeve malcore shkaktonte rrënimin e disa familjeve të Shkodrës, qi kishin lidhni marrëdhanieje me ta. Disa, edhe pse me ndryshim besimi ndërmjet, ishin të lidhun me gjak e fis prej se të damë nji shtepije e kështu u gjetne shumë të meçëm qi e patne në mëni at thirrje, por me gjith atë u gjetnë aso fanatikësh qi bane turpsin më të madhen me shtypë gjakun e vet për me e shtrue nën doren e të huejve”.

Flamuri kombëtar shqiptar (i Skenderbeut) që u ngrit në Deçiq më 6 prill 1911
Flamuri kombëtar shqiptar (i Skenderbeut) që u ngrit në Deçiq më 6 prill 1911, sipas urdhrit të udhëheqjes së Kryengritjes

Me 6 prill, që do të thotë në fund të periudhës së parë dyjavore nga fillimi i Kryengritjes, në majë të Bratilës në Deçiq malësorët-kryengritsit ngulën flamurin shqiptar në zjarrin e një luftë të ashpër. Këtë lajm fillimisht e botoi gazeta e kolonisë shqiptare në Sofje “Liria e Shqipërisë” – Thuhet “malësorët luftojnë nën flamurin e Skenderbeut”.

Në revistën “Hylli i Dritës” thuhet se Dedë Gjo’ Luli, udhëheqës i levizjes, kishte dhënë urdhër që të ngrihej flamuri i Shqipërisë në majat e pushtuara. Po atë ditë, me 6 prill 1911, kur u mor maja e Deçiqit u ngrit flamuri në majë të Bratilës (një maje të cilën një qafë mali e ndan nga Deçiqi dhe quhet Bratila e Deçiqit). Sipas autorit, ai që ngriti flamurin ishte kushëriri i afëert i Dedë Gjo’ Lulit, Nikë Gjelosh Luli, së bashku me Gjon Ujkë Miculin dhe Pjeter Zefin, të cilët morën përsipër për ta zbatuar urdhrin e Dedës.