Shënimi në Malësi i 100-vjetorit të Kryengritjes së Malësisë së Madhe 1911-2011 – PLANI i AKTIVITETEVE

OJQ ILLYRICUMI dhe SHKA “Dedë Gjon Luli” në muajin dhjetorë të vitit të kaluar kanë formuar Këshillin organizues për shënimin e 100-vjetorit të Kryengritjes së Malësisë në këtë përbërje: Fran Camaj, kryetar (nënkryetar i OJQ ILLYRICUMI), Akademik Gjelosh Gjokaj, anëtar, Dr. Lukë Gjokaj, anëtar, Nikollë Berishaj, anëtar, (kryetar i OJQ ILLYRICUMI) Gjon Dushaj, anëtar (kryetar i SHKA “Dedë Gjon Luli”), Dedë Dedvukaj, anëtar (anëtar i SHKA “Dedë Gjon Luli”) Maliq Çunmulaj, anëtar, Pjetër Lucaj, anëtar, Musa Gjoka, anëtar dhe Vasel Nucullaj, anëtar. Këshilli është duke bërë përgatitjet e fundit për shënimin sa më dinjitoz të këtij jubileu të madh. Në manifestime të ndryshme që do të organizohen në Malësi gjatë ditëve të këtij jubileu, aktivisht do të marrin pjesë SHKA-të nga Malësia: “Rapsha”, “Liria”, “Gruda”, “Besa”, “Besa e Trieshit” dhe Ansambi “Shqiponjat”, si dhe grupe e këngëtarë nga Malësia në të dy anët e kufirit, aktorë e këngëtarë nga Kosova e Shqipëria dhe Unioni Artistik i Kombit Shqiptar etj. Këshilli në vazhdimësi ka shqyrtuar dhe analizuar këtë çështje dhe më në fund ka miratuar konceptin e planit të aktiviteteve, si vijon:

4 dhe 5 prill në Tuz, ora 10 në QIK Malësia do të mbahet Simpoziumi shkencor “100-vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe 1911-2011”. Në këtë tubim shkencor marrin pjesë studiues nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi dhe organizohet në bashkëpunim me Institutin Historik të Kosovës, Institutin Historik të Tiranës dhe Universitetin Europian në Tiranë-Departamenti i Historisë. Në simpozium, i cili do të mbahet në tri seanca, do të paraqiten këto kumtesa:

1. Prof. dr. Emine Bakalli: Konteksti politik i Kryengritjes së Malësisë së vitit 1911;
2. Prof. dr. Marenglen Verli: Përgatitja e Kryengritjes së Malësisë së Madhe sipas dokumentacionit Austro-Hungarez;
3. Dr. Gazmend Rizaj: Kryengritja e Malësisë së Madhe e vitit 1911 nga prizmi i diplomacisë britanike;
4. Prof. dr. Romeo Gurakuqi: Situata në Malësi të Madhe pas Kryengritjes, në gjashtëmujorin e dytë të vitit 1911 dhe në fillim të vitit 1912;
5. Prof. Dr. Drita Halimi-Statovci: Sfondi etno-kulturor i Kryengritjes së vitit 1911;
6. Prof. dr. Gazmend Shpuza: Memorandumi i Kuvendit të Greçës;
7. Prof. dr. Zhivko Andijasheviq: Marrëdhëniet e Malit të Zi me fiset shqiptare të Malësisë në fillim të shekullit XX;
8. Prof. dr. Jusuf Bajraktari: Kryengritja e Malësisë dhe gjendja aktuale e shqiptarëve në Mal të Zi;
9. Dr. Lush Culaj: Qëndrimi i Austrisë ndaj Kryengritjes shqiptare të vitit 1911;
10. Dr. Nartila Ljarja dhe Mr. Sereta Koperaj: Ngjarjet në Malësi të Madhe 1910-1911 sipas zëvendëskonsullit britanik në Shkodër, Nikollë Sumës;
11. Prof. dr. Gjorgje Borozan: Kuvendi i Greçës dhe rëndësia e tij;
12. Dr. Frashët Demaj: Qëndrim i Fuqive te Mëdha ndaj Kryengritjes së vitit 1911;
13. Dr. Ledia Dushku: Qëndrimi i Greqisë për Kryengritjen e vitit 1911;
14. Mark Junçaj: Komiteti i Podgoricës dhe roli i tij gjatë Kryengritjes së Malësisë;
15. Mark Gjokaj: Rrethanat shoqëroro-politike në vitet e Kryengritjes së Malësisë;
16. Ismet Kallaba: Pasqyrim i Kryengritjes së Malësisë në shtypin e kohës.
17. Basri Lika: ”Kryengritja e Malësisë së Madhe një hapë i rëndësishëm drejt pavarësisë” dhe
18. Mr. Sokol Gjermëni: Diplomacia e Rusisë dhe Kryengritja e vitit 1911.

Pas mbylljes së simpoziumit, studiuesit dhe të interesuar të tjerë do të vizitojnë Shtëpinë muze të Dedë Gjon Lulit me 5 prill në ora 14, ku SHKA-të nga Malësia do të shfaqin një program kulturor e artistik.
Po më 5 prill, në orën 19, në QKI “Malësia” në Tuz, do të mbahet Akademia solemne, kushtuar këtij jubileu të rëndësishëm. Marrin pjesë: Çun Lajçi, Bik Ndoja, Kori polifonik “Prenkë Jakova”….
6 prill, në orën 14, në Bratilë, ku 100 vjet më parë është ngritur Flamuri kombëtar, do të zbulohet Pllaka përkujtimore, vepër e skulptorit shqiptar Pjerin Kolnikaj, sipas idesë së Akademik Gjelosh Gjokajt. Në këtë tubim popullor pjesëmarrësit do t’i argëtojnë SHKA dhe këngëtarë e artistë nga Malësia në të dy anët e kufirit dhe të ftuar të tjerë. Manifestimit në Bratilë i bashkohet edhe Këshilli Nacional Shqiptar, anëtarë të të cilit janë përfaqësues të të gjitha partive parlamentare që veprojnë në territoret shqiptare në Mal të Zi dhe të tjerë jo të angazhuar partiakisht.
Me koncertin festiv, i cili do të mbahet në qendër të Tuzit, më 6 prill në orën 19, mbyllen aktivitetet e shënimit të këtij jubileu. Marrin pjesë:Ilir Shaqiri, Arif Vladi, Nikollë Nikprelaj, Malësori, Gjyste Vulaj, Lindon Camaj dhe SHKA “Liria”.
Të gjitha këtyre aktiviteteve do t’u paraprijnë edhe manifestime tjera në qendra të ndryshme të Malësisë:
25 mars, në orën 14, në Qepurr-Traboin zbulohet një pllakë përkujtimore viktimave të para të Kryengritjes dhe program kulturor e artistik të SHKA-ve “Dedë Gjon Luli” dhe “Rapsha”;
1 prill, në orën 14, do të vendosen lule në përmendoren e dëshmorëve në Kojë. Pas një fjale të rastit të pranishmit do t’i argëtojnë SHKA-të “Rapsha” dhe “Dedë Gjon Luli”.
2 prill, në orën 14, në Shtëpinë e rinisë në Triesh do të mbahet një orë historie mbi temën “Kontributi i Trieshit në Kryengritje e Malësisë”. Të pranishmit do t’i argëtojnë dy SHKA-të nga Trieshi: “Besa” dhe “Besa e Trieshit”
3 prill, në orën 12: Lule në varrezën e Tringë Smajles në Kshevë dhe në ora 14 Ora letrare në Tërgajë. Program artistik do të shfaqin SHKA-të “Gruda” dhe “Liria”.
Në të gjitha këto manifestime aktivisht do të marrin pjesë përfaqësues të Malësisë andej kufirit, ashtu si edhe përfaqësues të Malësisë këndej kufirit do të marrin pjesë në manifestimet e atjeshme.
Ky plan i aktiviteteve mund të pësojë ndryshime varësisht nga sugjerimet konstruktive dhe kushtet atmosferike.
Sponsorues të të gjitha manifestimeve janë: Shoqata ‘Dede Gjo Luli’ (NY) në bashkepunim me Shoqaten ‘Malesia e Madhe’ (MI) dhe Fondin Humanitar ‘Malesia’, (NY), si dhe individë nga diaspora.
Sponsorues media: TVBoiN

Për Këshillin organizues
K r y e t a r i
Fran Camaj