Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës 1911 – Përpjekjet përçarëse të xhonturqve (2)

Pjesë nga libri i studiuesit Romeo Gurakuqi, “Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës 1911”.

Kryengritja e Malësisë së Madhe, mars – gusht 1911

Përpjekjet përçarëse të xhonturqve

Konsulli Zambaur e vlerëson këtë vendim si “shumë të dëmshëm”. Turqit dërguan misionarët e tyre ndër fshatra për të thirrur popullsinë për të rrokur armët kundër Malësisë. “Kjo armatosje e popullsisë myslimane, e bërë nën aspektin e mbrojtjes së besimit islam, është në kundërshtim me marrëveshjen e arritur vitin e kaluar”.
“Në këto rrethana, – vazhdon ai – katolikët ndjehen në një situatë të rrezikshme dhe kërkojnë mbrojtjen e konsullit të përgjithshëm austro-hungarez në Shkodër”.
Për këtë problem, konsulli i kërkoi shpjegime valiut të Shkodrës, i cili iu përgjigj se njerëzit e armatosur do të dërgohen në Tuz dhe asnjë prej tyre nuk do të qëndrojë në Shkodër. Për këto lloj trupash u përdor termi mustahfiz (batalione me rekrutim në masë) për të shmangur fjalën bashibuzuk, e cila kishte një kuptim të keq.
Më 28 mars nga Shkodra u nisën 800 mustahfizë kundra kryengritësve. Zambaur e cilësoi këtë, si “një përpjekje për të fanatizuar myslimanët në Shkodër dhe përreth saj dhe për të penguar një bashkim të mundshëm të shqiptarëve katolikë të qytetit, me shqiptarët katolikë të Malësisë”. Në të vërtetë kjo ishte një përpjekje tipike xhonturke, për të penguar bashkimin e shqiptarëve pa dallim feje, pikërisht në agimin e epokës së madhe të lirisë për të gjithë shqiptarët. “Kjo ishte shkatërrimi i Shqipërisë, shkruan Durham-i. Katolikët i pritën ata në mënyrë paqësore duke u kujtuar atyre premtimet që kishin dhënë si edhe faktin se edhe ata, gjithashtu ishin shqiptarë”. Për të demaskuar këtë përpjekje përçarëse të autoriteteve turke, fiset e Malësisë iu drejtuan me lutje burrave të Postribës, duke iu kujtuar atyre se ata ishin të gjithë shqiptarë dhe se kishin pasë marrë një zotim së bashku, për të ngritur krye kundër turkut dhe se kjo kryengritje ishte e drejtuar vetëm kundra autoriteteve otomane, me objektivin për ta çliruar Shqipërinë nga zgjedha e huaj. Veprimtaria e mustahfizëve, në fakt, qe e shkurtër dhe u kufizua nga presioni i atdhetarëve më të dëgjuar shqiptarë. 1000 veta prej tyre, së bashku me 500 nizamë, nuk arritën të depërtonin pritën e vendosur në Prronin e Thatë (18 mars kalendari julian) nga Nikoll Mirash Luca, bajraktari i Kastratit Dod Prençi dhe disa shkrelas. Shumë prej tyre edhe reflektuan në këto momente, se kjo ishte një luftë vllaznish dhe 180 vetë së bashku, nën parinë e Myftisë u hodhën në Podgoricë duke dezertuar prej ushtrive të pushtuesit. Ky shembull ishte një tregues i parë se, turqit do ta kishin të pamundur këndej e tutje që të përçanin shqiptarët e besimeve të ndryshme fetare.
Siç duket, këto rezultate të luftës së vullnetarëve kanë parasysh gazetat turke, kur çuditen nga bashkimi i shqiptarëve myslimanë e katolikë. Ndërsa konsulli serb në Prishtinë shkruante se, pohimet zyrtare të pushtetit turk se shqiptarët myslimanë janë hidhëruar kundër kryengritësve katolikë janë plotësisht të pabaza.
Deklaratat telegrafike të shqiptarëve se janë të gatshëm të luftojnë kundër kryengritësve i ka bërë vetë pushteti dhe klubet e oficierëve turq në Ferizaj, Gjilan e në Mitrovicë. Ndërsa gazeta “Liri e Shqipërisë” shkruante se “Tejshkrimet për t’ia dërguar vezirit të madh ia kishin bërë gati dhe pastaj i nënshkruan disa njerëz të poshtër.
Të gjitha këto qeveria turke i bëri pa fare turpi t’i rrejë njerëzit evropianë se shqiptarët nuk janë ngritur për kombëtari, por vetëm disa kusarë të krishterë“.
Lufta në Prronin e Thatë vazhdoi vetëm prej disa individëve vullnetarë, që i qëndruan besnikë turqve edhe të nesërmen, të kryesuar nga Sahit J., Man H., Bimbashi, Tyrqelija Nuhedin Begu. Si u organizuan, këta forca zbarkuan me lundra në Hanin e Hotit dhe në Samobor, por nuk paten sukses, pasi u pritën nga disa Kelmend, Hot e Grudë. Shumë nga këta vullnetarë ranë rob në duart e kryengritësve, të cilët i lëshuan mbasi ua morën armët. Njerëzit që mundën të mbledhin turqit kundër malësorëve ishin individë “të dejun nga fanatizmi”. Ata së bashku me ushtarët turq plaçkitnin e digjnin katundet malësore, sikurse bënë kur hynë në Vuksanlekaj. Këtë e pohon vetë gazeta turke “Sabah”.
Masë tjetër e rëndësishme ushtarake e qeverisë turke ishte dërgimi i Xhavit Pashës me dy batalione dhe dy bateri artilerie nga Gucia në Selcë dhe dërgimi i Turgut Pashës me një mision të ri për në Shkodër. Njoftimi konfirmohet edhe nga korrespondenti i gazetës “The Times” nga Vjena, i cili raporton gjithashtu se “kryengritësit, të cilët numërojnë 2000-3000 vetë, qëndrojnë duke mbajtur të rrethuar qytetin kryesor të distriktit, Tuzin”.
Deri më datën 28 mars kryengritësit, nga raportimet që zotërojmë, kishin marrë karakollet e Omaboshit, Dinoshit, Pikalës, Selishtit, Traboinit, Humit, Rapshës, Deçiqit, dhe disa pozicione të tjera që nuk përmendën në raportin e Giesl-it. Ata gjithashtu arritën të vihen në zotërim të tre topave
dhe rreth 300 pushkëve mauzer. Të gjithë turqit u lanë të lirë, me përjashtim të disave që luftuan ashpërsisht kundër malësorëve, të cilët u vranë.
“Fortesa e Shipshanikut, sipas Giesl, mund të merrej shumë shpejt, atëherë sigurisht edhe Tuzi, gjë kjo e mundur madje, sipas gjykimit të tij, edhe më datën 28 mars”.
Në Tuz kishte një numër të konsiderueshëm armësh, topash e municion, dhe të gjitha këto rrezikoheshin të merreshin nga malësorët në orët vijuese. Në fakt ushtria turke, mbas përpjekjesh të gjata, me një pjesë të saj, mundi t’i afrohej Tuzit. U duk sikur kryengritja ra. Atëherë malësorët mblodhën forcat dhe me 2000 vetë i ranë Tuzit.
Më 30 mars kryengritësit morën qytetin, shtinë në dorë kazermat, depot ushtarake, ndërtesat qeveritare, garnizonin dhe qeveritarët i detyruan të ndryhen në kalanë, që ndodhej në krye të qytetit dhe që quhej Shipshanik. Shumë ushtarë u vranë ose ranë rob të kryengritësve. Këta të fundit çliriuan edhe lokalitetin e Kastratit. Kundër tyre, sipas ambasadorit Giesl, luftuan edhe rreth 1000 mustahfizë. Malësorët nuk arritën që të marrin kështjellën e Shipshanikut në Tuz, e cila mbrohej prej 1000 mustahfizësh dhe një batalioni nga Shkodra.
Arsyeja kryesore thuhej se kishte qenë mosuniteti në luftime në mes shqiptarëve në lidhje me problemin e shpërndarjes së armëve trofe. Kështu Kelmendi mblodhi malësorët së bashku me Selcën, dhe u kthye në shtëpi. Hoti, Gruda dhe Kastrati vetëm, qenë aq pak për të bërë një betejë efektive për marrjen e fortesës.
A e kishte parashikuar Porta e Lartë një rrokullisje të tillë të situatës dhe a kishte bërë përgatitjet paraprake për këtë?
Duhet të ishte e natyrshme, që në kushtet e eksperiencës së vitit 1910, dhe vijimin e ngjarjeve në veriun e Shqipërisë pas ekspeditës së Turgut Pashës, Porta të parashikonte një rrokullisje të ngjashme të ngjarjeve. Për rrjedhim ajo duhet të kishte bërë një plan parandalues për këtë.
Të dhëna të sigurta na informojnë se qeveria turke e kishte parashikuar për një kohë të gjatë afrimin e trazirave në Shqipëri ndaj dhe kishte bërë sistemin e plotë për shtypjen e lëvizjes kryengritëse. Pesëmbëdhjetë batalione të trupave aziatike ishin dërguar në Shkup, ndërsa në ditët që pasuan fillimin e kryengritjes, 50 batalione të redifëve u mobilizuan në Azi të Vogël.
Gjashtë batalione të këtyre trupave kishin si destinacion Shkodrën, që ashtu sikurse Janina, ishte duke u fortifikuar shumë.


Dedë Gjo’ Luli (Vojvodë i Traboinit të Hotit) , Deli Meta (Bajraktarë i Hotit), Dedë Nika (Bajraktarë i Grudës), Palok Traboini, Ujk Hasani i Grudës, Zenel Shabani e Nikoll Doda të Kastratit, Tom Nikolla, Luk Muçia, Ismail Mustafa, Gjon Ujk Çeku, Martin Ujka e të tjerë.