Pjesë nga libri i studiuesit Romeo Gurakuqi, “Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës 1911”.
Kryengritja e Malësisë së Madhe, mars – gusht 1911
Kryengritësit, Memorandum drejtuar Fuqive të Mëdha
Më 27 mars, Ministria e Luftës e Perandorisë, i telegrafoi urgjentisht Shkodrës, se “Turgut Pasha, bashkë me 4 batalione po nisej sa më parë për në Shkodër”. Ministria e Luftës autorizoi njëkohësisht korp-komandën në Shkup, që garnizoni i kufirit pranë Gucisë të përforcohej urgjentisht me dy batalione prej Peje.
Më 29 mars Ministria e Luftës i bëri të ditur divizionit të Shkodrës se Turgut Pasha me 4 batalionet e njoftuar ishte nisur dhe se veç asaj nga krahina e Trapezunit dhe Samsunit ishin mobilizuar dhe 9 batalione redifësh, dërgimi i të cilëve do të bëhej pa humbur kohë, në qoftë se Turgut Pasha pas arritjes së tij në Shkodër do ta shikonte këtë të nevojshme.
Më 30 mars, Mahmut Shefqet Pasha telegrafoi në Shkodër, se “brigada e redifëve të Kastamunit u mobilizua dhe ndodhej në udhë për në Konstantinopojë”. Për dërgimin e tyre u mbajtën në gatishmëri vaporë të transportit, me qëllim që këto trupa të niseshin sa më shpejt për në Shkodër. Veç asaj, më 29 u njoftua korpus-komanda në Selanik për të mobilizuar divizionin e Strumicës. Ndërsa pritej arritja e Turgut Pashës në Shëngjin, situata sa vinte e acarohej më shumë. Luftimet në mes forcave të parregullta nga Shkodra dhe malësorëve në territorin e Kastratit, vazhduan edhe në ditët në vijim, me humbje të rënda nga të dyja palët.
Dy pika kufitare turke, kishin qenë kapur dhe shkatërruar prej shqiptarëve katolikë të Selishtës dhe shkëmbime zjarri ishin dëgjuar gjatë natës mes 1 dhe 2 prillit, në të gjithë kufirin në mes Malit të Zi dhe Turkisë.
Më 30 mars në Cetinë u bë mbledhja e udhëheqësve të kryengritjes e cila aprovoi një memorandum drejtuar Fuqive të Mëdha ku kërkohej: paprekshmëria e tokave shqiptare, gjuha shqipe si gjuhë zyrtare në të katër vilajetet në zyra e gjyqe dhe si gjuhë mësimi ndër shkolla, të gjithë nëpunësit në Shqipëri të ishin shqiptarë me kombësi dhe kjo kombësi të njihej zyrtarisht, të ardhurat buxhetore të shpenzoheshin për dobi të vendit, ushtarët shqiptarë të mos kalonin kufinjtë, me përjashtim të rasteve të luftës.
Memorandumi ishte nënshkruar nga Muharrem Bushati, Isa Boletini, Sokol Baci, Dedë Gjo’ Luli, Abdulla Aga, Preng Marka Kola dhe Mehmet Shpendi. Sipas këtij programi na rezulton se, megjithëse kryengritja zhvillohej në një krahinë katolike të Shqipërisë, kryengritësit dolën me kërkesa të rrafshit kombëtar. Nga ana tjetër ngjarjet në mallet e Mbishkodrës ndikuan mbi gjendjen në qytet, nga shkaku i armatimit të njëanshëm të një pjese të popullsisë.
Situata u bë me të vërtetë kritike, kur mbas luftimeve të para me kryengritësit, u soll në Shkodër një numër prej 28 të vdekurish e të plagosurish. Kjo gjë rriti rrezikun e një hakmarrjeje të përgjithshme ndaj populates së pambrojtur të krishterë. Në këto kushte, përfaqësitë konsullore në Shkodër, shfaqen mendimin për një veprim të mundshëm kolektiv. Veçanërisht dëshirë për këtë shfaqi konsulli malazez, i cili e ndjente të kërcënuar sigurimin e tij. Në të tilla rrethana, përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha të pranishme në qytetin e madh të veriut, d.m.th. Italisë, Austro-Hungarisë, Francës, Anglisë si dhe të Malit të Zi, e quajtën të nevojshme të këshilloheshin për të bërë një përçapje tek autoritetet lokale, për mbrojtjen e kolonive të tyre e të institucioneve e të krishterëve
vendës që vareshin prej tyre.
Konferenca u mbajt më datën 2 prill në konsullatën e përgjithshme italiane dhe aty u vendos hartimi i një note verbale dhe dorëzimi i saj me ndihmën e një delegacioni të të pesë përfaqësuesve (i cili përbëhej nga përfaqësuesi italian Konti Mancinelli-Scotti, dhe zëvendës konsulli i nderit anglez, më i
riu nga mosha, Nikollë Suma), pranë guvernatorit të përgjithshëm, Bedri Pasha. Nota përmbante propozimet vijuese:
1. Të mbahej në Shkodër një pjesë e trupave që priteshin të vinin sa më shpejt;
2. Armatosje, me garancinë e myftarëve dhe të koçobashëve, e të të gjithë të krishterëve të aftë për luftë, por me kusht, që të mos dërgohen kundër kryengritësve dhe të mos u kërkohen pushkët dhe municionet, deri ditën kur edhe myslimanët do të ftohen për t’i dorëzuar ato. Duke paraqitur këtë propozim, trupi konsullor parashtronte dëshirat e shprehura nga gjithë popullsia e krishterë;
3. Të mëshiroheshin gjatë operacioneve ushtarake: gratë, fëmijët dhe pleqtë, të cilët nuk do të jenë të bashkuar me kryengritësit;
4. Të ndalohej djegia dhe rrënimi me goditje topi i shtëpive të fshatarëve, në të cilat ose rreth të cilave do të mund të ndodheshin përleshjet.
Nota në fund ritheksonte vullnetin e këtyre përfaqësuesve, për sigurimin e popullsisë së krishterë, që ishte e alarmuar dhe ta mbronte atë nga pasojat e dënueshme të çdo reprezaljeje të mundshme. Valiu e mori njoftimin e dokumentit të sipërpërmendur dhe i deklaroi përfaqësisë, se ndaj propozimeve të paraqitura nuk ka kundërshtime, me përjashtim të atij të pajisjes së të krishterëve me armë, për të cilën gjë, ai më parë duhet të merrte autorizimin e qeverisë së tij. Por Bedri Pasha, pasi i armatosi njëherë, s’mund t’i çarmatoste me të shpejtë, kështu që me këtë politikë fatale të vënies së shqiptarëve kundër shqiptarëve, ai në fakt zhdrejtas shpejtoi rënien e pushtimit osman në Shqipëri, sepse thirri mendjet e kthjellta të patriotëve shqiptarë mbi qëndrimin që duhej mbajtur ndaj armikut pesëshekullor.
Ndërkohë, më 1 dhe 2 prill, u zhvilluan luftime të ashpra në mes trupave turke të shoqëruara prej një reparti të mustahfizëve të armatosur, që po marshonin në drejtim të Tuzit dhe malësorëve. Luftimet u zhvilluan të përgjakshme dhe të gjata, dhe vetëm pasi tri batalione nizamësh shkuan në ndihmë të ushtarëve, mundën që pas një luftimi të ashpër prej 24 orësh, t’i detyronin malësorët të merrnin malet duke ikur prej Tuzit, ndërsa forcat e bashkuara të mustahfizëve dhe turqëve morën Deçiqin dhe Dinoshën.
Në ditën e parë të luftimit, trupat turke patën 25 të vdekur dhe po aq të plagosur.
Në ditën e dytë, 25 të vdekur. Ndërkohë që njoftimi i komandantit të trupave turke, se kryengritësit lanë në fushë afërsisht 200 të vdekur, na duket tejet i ekzagjeruar. Po me datën 2 prill, arritën në portin e Shëngjinit forcat e para të caktuara për Shefqet Turgut Pashën, me tri vaporre transporti. Pas datës 3 prill kemi një rënie të valës kryengritëse, lidhur kjo me suksesin e qeverisë në operacionin e fundit ushtarak. Por, siç duket, në këtë rënie vetëm të përkohshme kanë ndikuar edhe mungesa e mbështetjes nga ana e fisit të Kelmendit, i cili, pas pjesëmarrjes në ditët e para në shkatërrimin e karakolleve kufitare, u tërhoq, nga rreziku sepse Selca, qendra e saj kryesore, po kërcënohej nga marshimi i trupave nga Gucia. Gjithashtu Shala e Shoshi po përgatiteshin t’i rezistonin ushtrisë turke, që eventualisht do të mund të hynte në vendin e tyre.
Qëndrimi disi pasiv i Mirditës, e cila do të mund të mbante të gozhduara forca të mëdha ushtarake turke, ishte një shkak tjetër i kësaj rënie të intensitetit të lëvizjes kryengritëse.
Pra mund të themi me të drejtë, se mungon një ndjenjë e solidaritetit në mes shqiptarëve në këtë moment. Megjithatë, raportuesit e kohës njoftojnë se, m
egjithë kthimin e përgjakshëm të ngjarjeve, pas betejës, me rimarrjen e Tuzit, kryengritësit shqiptarë nuk e kishin humbur shpirtin kryengritës.
Shkëmbimet e zjarrit filluan në pasditen e së hënës 3 prill 1911, përgjatë gjithë vijës kufitare nga Tuzi në Kastrat dhe secila palë ruante pozicionet e veta. Përveç Tuzit, turqit raportohet të kishin rimarrë Hotin dhe Grudën, por qenë zmbrapsur afër Kastratit. Në disa zona kryengritësit u përforcuan nga brendësia e prapavijave të tyre, por, nga ana tjetër, vazhdimi i mëtejshëm nga ana e trupave të parregullta me djegien e shtëpive dhe fshatrave shqiptare, do të zgjeronin më tej zemërimin e tyre. Ata ishin duke rigrupuar forcat dhe njoftimet më të para të datës 6 prill, e përcaktojnë qëndrimin e malësorëve, si më kryeneç dhe më të vendosur se sa në ditët fill pas rimarrjes së Tuzit. Një sulm më I fundit nga forcat kryengritëse malësore mbi Tuz, i bërë këto ditë, ishte zmbrapsur me një humbje në njerëz nga ana e turqve prej 15 të vrarësh dhe të plagosurish, e më pas malësorët kishin kaluar në Mal të Zi.
Më datën 6 prill në agim luftime të ashpra filluan afër Vranes në jug të Tuzit dhe në orën 8 të mëngjesit afër Dinoshës, në veri të Tuzit. Malësorët në këtë kohë ishin duke përcaktuar një lloj planifikimi, për një veprim të përbashkët të të 6 apo 7 fiseve të Malësisë, të përfshira në kryengritje.
Djegia e tre fshatrave të mëdha, disa fshatrave më të vegjël dhe djegia e kishës katolike në një nga këto fshatra, e ashpërsoi edhe më tepër zemërimin e malësorëve dhe njëkohësisht rriti fluksin e emigrantëve në Mal të Zi.