6 Prilli na përkujton: Të jemi të vetvetes është sa nderë aq dhe obligim – Nikollë Camaj

6 Prilli është dita kur malësorët, përmes sakrificave mbinjerëzore, triumfalisht u futen në portën e historisë, duke i dhuruar flamurit kombëtar dhe vetes, lavdinë dhe pavdekësinë, kurse Shtetit shqiptar, gur-themelin.

Lidhja demokratike në Mal të Zi, ishte partia e vetme që, në formë të organizuar, e në mënyra të ndryshme, tash 20 vite me radhë ka shënuar këtë festë kombëtare, e që një prej detyrimeve ka qenë qe në këtë ditë, të bëhet homazh në vendngjarje, pra në Bratilën legjendare. Detyrë jonë ishte që festat kombëtare të ruhen e të shënohen edhe në këto treva, dhe në këtë drejtim ne ia arritëm qëllimit, pasi që sivjet, me rastin e 100 vjetorit janë paraparë aktivitete të shumta, akademi e koncerte, homazhe e zbulim pllakash përkujtimore dhe, ne si ruajtës të atij pishtari kombëtar, tash 20 vite, e që në këtë 100 vjetor po shpërthen me një flakadan festiv, jemi më se të kënaqur që

Malësia po feston, shpresojmë, ashtu siç i ka hije një jubileu të këtillë.
Ishim pothuaj të vetmuar këto 20 vite, sa ruanim qiriun ndezur, i cili sot po i jep flakën festës së madhe mbarëkombëtare. Gjatë gjithë këtyre viteve, kur na mohohej e minohej kjo e drejtë, iniciativë dhe aktivitet, madje edhe nga ata që sot janë në ballë të sofrës, apo që deklaronin se Kryengritjen nuk e përjetojmë të gjithë njësoj, ne ishim te vetmuar, por sot, kur shohim se edhe ata e hetuan se të jemi të vetvetes është nderë dhe është obligim, si për ata që u sakrifikuan në altar të kombit, si për ata që do të vijnë pas, ne jemi më se të kënaqur.

Andaj ftojmë anëtarët, simpatizantit dhe qytetarët e tjerë që në mënyrë sa më masovike dhe më dinjitoze t’i bashkëngjiten shënimit të 100 vjetorit të kësaj ngjarje të shënuar të kombit shqiptar, që sivjet, si edhe disa herë më parë, po organizohet me përkujdesjen financiare të diasporës sonë, e siç paralajmërohet edhe me organizimi të Komunës urbane. Kjo e dyta, si pasojë e kërkesës së këshilltarëve opozitar-konkretisht, e këshilltarit të LDnëMZ..

Apelojmë që të respektohet mesazhi se për këtë festë nuk ka nevojë ftese, sepse që të gjithë ata që i bashkon kombi e flamuri, janë të ftuar. Ne kështu vepruam tash 20 vite të plota.

Jemi të mendimit se edhe solemniteti institucional i paraparë nga Komuna Urbane vetëm i rritet madhështia kësaj feste. Me futjen e kësaj Dite të madhe në institucione, shpresojmë se një ditë 6 Prilli do të shpallet festë zyrtare për trevën e Malësisë, prandaj përshëndesim edhe aktivitetin e KU të Tuzit. Për aq më tepër kur ne, kuvendarët e sotëm, propozues të aktit që Kuvendi i KU të Tuzit të organizojë solemnitet, si pasardhës legjitim të atyre kuvendarëve që në Greçë miratuan Librin e kuq, po ashtu, shumica si pasardhës biologjik të atyre që e lanë me gjakun e vet truallin shqiptar, jemi të mendimit se e kemi boç që të jemi së bashku sot.

Kemi obligim që të mundohemi të kapërcejmë çdo dallim ideologjik, dhe kjo festë e madhe të na bashkojë, por jo vetëm për festën, por edhe për ditët që vijnë, për të mirë tonë të përgjithshme.

Ndërkaq, ne si parti ndiejmë obligim ndaj aktivistëve që tash 20 vite me radhë ngjiteshin në Bratilë, me shpresë se një gjë të tillë do ta bëjnë edhe në të ardhmen dhe, pa bërë aktivitete paralel në këtë vit jubilar, do t’i bashkëngjitmi këtij manifestimi, së bashku me banorët e tjerë të Malësisë.

Nikollë Camaj

KOMENTOJE