Vendosja e luleve në varrezën e Tringë Smajles me rastin e 100-vjetorit të Kryengritjes së Malësisë së Madhe (FOTO+VIDEO)

Kshevë (Grudë), Malësi (3 prill) – Në kuadrin e aktiviteteve të shënimit të 100-vjetorit të Kryengritjes së Malësisë së Madhe, sot në Kshevë të Grudës u vendosen lule në varrezën e heroinës shqiptare Tringës së Smajl Martinit Ivezaj.
Nën organizimin e Këshillit organizativ, në praninë e një numri të madh të bashkatdhetarëve nga Malësia dhe diaspora, në emër të Këshillit organizativ Smajl-Maliq Çunmulaj dhe në emër të familjarëve të Tringës, Robert Gjeloshi Ivezaj vendosen lulet në varrezën e Tringë Smajles.
Në emër të Këshillit, të pranishmëve me disa fjalë u drejtua Smajl-Maliq Çunmulaj kurse në emër të familjarëve Martin Nikolla Ivezaj.
Ceremoniali u zhvillua nën përcjelljen e anëtarëve të SHKA Gruda.
Sot më herët, poashtu u vendosen lule në varrin e Dedë Nikës Ivezaj (Bajraktarë i Grudës) nga pasardhësit e tij.

Tringa lindi në fshatin Kshevë në vitin 1870 në një familje fshatare patriotike. Ajo vdiq në vitin 1917 në moshën 47 vjeçare.
Tringa, e bija e patriotit dhe luftëtarit të shquar, Bajraktarit dhe kryekreut të Grudës Smajl Martinit Ivezaj, udhëheqës i forcave mbrojtëse të degës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për Grudë, dhe udhëheqës i shumë betejave kundër ushtrive malazeze dhe turke.
Vëllezërit e Tringës, Zefi dhe Gjoni mbetën në luftë kundër malazezëve gjatë mbrojtjes së Hotit dhe Grudës.
Tringa mbas humbjes së vëllezërve i jep fjalën babës së vet Smajlit se do të rrijë me të e nuk do të martohet kurrë.
Smajl Martini në vitin 1883 dënohet për çështje patriotike nga gjyqi ushtarak turk dhe në vitin 1886 transferohet në Diari Bekir (Kurdistan) me burgim të përjetshëm, ku mbas disa vitesh vdiq.
Tringa e mbajti fjalën dhe e vazhdoj traditën e luftës për liri të cilën e trashëgoj nga Smajli. Ajo në luftën e Deçiqit dhe gjetiu, gjatë Kryengritjes së Malësisë së Madhe të 1911, luftoj krah për krah me kushëririn e parë (djalin e axhës), udhëheqës i luftëtarëve të Grudës, Dedë Nikën Ivezaj (Bajraktarë i Grudës, trashëguar nga Smajli). /Malesia.Org/

FOTOGRAFITË KOMENTOJE

VIDEO