Tuz, Malësi (5prill) – Në vazhdim të aktiviteteve për shënimin e 100-vjetorit të Kryengritjes së Malësisë së Madhe, të organizuara nga Këshilli organizativ (OJQ Illyricum dhe SHKA Dedë Gjon Luli), të martën me 5 prill në QIK Malësia në Tuz u zhvillua Akademia solemne kushtuar Kryengritjes.
Programin e drejtuan Nikollë Berishaj dhe Flora Camaj, kurse fjalën e rastit e pati Fran Camaj.
Në akademinë solemne morën pjesë Kori polifonik “Prenkë Jakova” nga Shkodra, këngëtari i mirënjohur shkodran Bik Ndoja, i cili edhe pse në moshën 86 vjeçare, shkëlqeu me këngën “Dedë Gjon Luli”, artisti nga Tirana Llesh Nikolla, i cili interpretoi vargje nga “Lahuta e Malësisë” kushtuar Kryengritjes së Malësisë dhe udhëheqësit të saj Dedë Gjon Lulit, si dhe Ansambli “Shqiponja” me “Vallen e Flamurit”, që ngriti në këmbë të gjithë të pranishmit.
Në fund u shfaq edhe një dokumentar kushtuar Kryengritjes së Malësisë, i përgatitur nga regjisori i njohur shqiptar Ilir Buçpapaj.
Fjala e rastit nga Fran Camaj
“Të nderuar vëllezër e motra,
Të nderuar studiues e mysafirë nga të gjitha trojet shqiptare,
Të nderuar vëllezër e motra nga diaspora
E gjithë Malësia e Madhe, andej dhe këndej kufirit, edhe përkundër problemeve me të cilat përballet, këto ditë feston. Feston edhe i tërë shqiptarizmi. Malësia këto ditë, për herë të parë së bashku, shënon jubileun më të rëndësishëm në historinë e vet mijëvjeçare, kurse i tërë populli shqiptar, pa marrë parasysh se ku ndodhet, njërën prej ngjarjeve me rëndësi të veçantë të tij. Jemi tubuar, pra, për të shënuar 100-vjetorin e Kryengritjes së Malësisë së Madhe të vitit 1911, ngjarje kjo me rëndësi të shumëfishtë dhe për shumë shkaqe:
Para 100 vjetësh malësorët, në krye me trimin dhe prijësin e tyre, heroin Dedë Gjon Lulin, rrokën armët për t’i thënë përgjithmonë JO sunduesit barbar aziatik; Për t’u thënë JO edhe atyre fqinjëve, që pritnin gojëhapur të kafshonin ndonjë copë nga trojet shqiptare pas largimit të osmanlinjve; Për të ngritur Flamurin kombëtar, më 6 prill të vitit 1911, në majë të Bratilës legjendare, pranë Deçiqit, Olimpit të Malësisë, i cili sa herë e herë është larë me gjakun e trimave malësorë, “që për atme e atdhe, e kanë dhânë jetën si me lé”.
Valëviti pra, më 6 prill të vitit 1911, pikërisht në ditën e sotme, Flamuri me shqiponjën dykrerëshe në majë të Bratilës, në atë vend ku deri në atë moment ndodhej flamuri i Turqisë. Valëviti për herë të parë pas vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në një territor të çliruar shqiptar, edhe pse vetëm përkohësisht. Do të jenë të përjetshëm emrat e atyre që patën nderin të kryejnë urdhrin e Dedë Gjon Lulit dhe ta ngrisin Flamurin kombëtar në Bratilë, pasi edhe Deçiqi kishte kaluar në duart e kryengritësve. Ata ishin: Nikë Gjelosh Luli, Gjon Ujkë Miculi dhe Pjeter Zefi. U qoftë nderi e lavdia atyre, si dhe Çun Mules së Hotit, Baca Kurtit të Grudës, Mehmet Shpendit të Shalës dhe të gjithë të tjerëve, gjaku i të cilëve është murosur në themelet e atdheut!
Në ballë të frontit, në krye të kryengritësve, ishte burri atëherë 71 vjeçar, Dedë Gjon Luli, “Pushkë e krehur e shqiptarisë”, siç e quante Ismajl Qemajli, dhe shtizë e Flamurit kombëtar, siç e quajti presidenti i Shqipërisë Bamir Topi para disa ditësh në Shkodër. Plak, por atdhedashës, i urtë, trim e guximtar. U flijua 4 vjet më vonë, u flijuan edhe të dy djemtë që i kishte, u flijuan edhe shumë kushërinj e të afërm të tij gjatë kryengritjes dhe më vonë, për Malësinë e shqiptarizmin, ashtu si u flijua pas 78 vjetësh komandanti legjendar i Kosovës, Adem Jashari, bashkë me familjen e tij mbi 50- anëtarëshe, e cila vuri gurët e parë të themeleve të Kosovës së lirë e të pavarur.
E gëzofsh Kosovë lirinë dhe pavarësinë për jetë e mot!- të uron Malësia. Dhe dua të them nga ky vend se Malësia askurrë nuk do ta harrojë mirësinë që u ke bërë bijve dhe bijave të saj. Na e ke shtrirë dorën, na i ke hapur dritaret e diturisë, dyert e shkollave dhe të universitetit, kur nuk kishe as banka për fëmijët tu. Kur mungonte çdo gjë, por jo vullneti dhe solidariteti vëllazëror. Por edhe ne malësorët dhe shqiptarët e tjerë në Mal të Zi, jemi munduar t’ia kthejnë Kosovës, me aq mundësi sa patëm, në ato ditë të vështira, kur kosovarët luftonin për jetë a vdekje. Jemi të bindur se bashkë do të jemi përgjithmonë, me ju dhe me Shqipërinë, shtetin tonë amë, në universitetet e të cilit sot me qindra të rinj e të reja nga trojet tona, ndjekin studimet e larta. Për këtë u jemi mirënjohës dhe gjithmonë do të kemi shpresë në mbështetjen tuaj.
“Dedë Gjon Luli bëri shumë flijime e dha shumë gjak për Shqipërinë. Dhe këto i bëri pa kurrfarë ambicie dhe pa ëndërrim për ndonjë karrierë politike, pa kurrfarë pikësynimi për të marrë ndonjë post, pa kurrfarë synimi për të përfituar, për të pasur një privilegj, një nderim, një shtatore apo një medalje. Ai e bëri këtë në mënyrë të vetvetishme, ashtu siç e bën njeriu jetesën e përditshme. Ai është madhështor, pikërisht në këtë natyrshmëri e thjeshtësi”, shkruan i madhi i letrave shqipe, Ismail Kadare për heroin tonë, Dedë Gjon Lulin.
Por Deda nuk ishte vétëm në ato ditë të vështira. Krah të djathtë kishte lekët e Hotit, Tringën e Smajlit dhe djemtë e Grudës, Gjel Çakun me shumë trieshjanë të tjerë, që 4 vjet më parë bënë namin te Ura e Lemajës, trimat e Kojës, 7 prej të cilëve u flijuan një ditë në Deçiqin legjendar, burrat trima të Kastratit, të Shkrelit e të Kelmendit, që ngjeshën armët dhe iu qepën maleve, posa dëgjuan kushtrimin e kryengritësve.
Zëri i kryengritësve malësorë mori dhenë dhe atyre iu bashkuan edhe shumë shkodranë, dukagjinas, mirditorë e kosovarë, dikush me pushkë e dikush me pendë, e disa me të dyja, si: Luigj Gurakuqi, Hilë Mosi, Risto Siliqi e shumë të tjerë, që i thurën himne epopesë malësore, kurse Atë Gjergj Fishta, kryetrimit Dedë Gjon Lulit dhe kryengritjes së Malësisë, i kushtoi njërën prej vjershave më të bukura të kryeveprës së tij “Lahuta e Malësisë”.
Të nderuar zonja e zotërinj,
Nuk do të flas më shumë për Kryengritjen e Malësisë, sepse për të kanë folur gjerësisht gjatë dy ditëve të kaluara studiuesit e nderuar në simpoziumin shkencor “100 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe 1911-2011”. As nuk dua të prish gëzimin e festës me kritika të ashpra. Megjithatë dua të them se sot, pas 100 vjetësh të Kryengritjes së Malësisë, na shkelet e drejta më elementare, që të kemi një komunë si të gjitha komunat në Mal të Zi, në vend të një komune cubele, siç e kemi. Kemi votuar me shumicë absolute për Malin e Zi të pavarur, në përqindje më të lartë edhe se vetë malazezët, e ai na e kthen në këtë mënyrë. Nga ky vend u bëj apel, edhe në emrin e të gjithë juve, në radhë të parë pushtetarëve shqiptarë, pa marrë parasysh se cilave parti u takojnë, që më në fund të angazhohen dhe të respektojnë vullnetin e popullit për jetësimin e kësaj kërkese të kamotshme, të them plebishitare, të banorëve të Malësisë për një komunë të plotë e jo gjysmake.
Sa rast i volitshëm do të kishte qenë ky qindvjetor, që nesër Komuna cubele e Tuzit, të shpallet komunë e plotë, kurse 6 prilli ditë e komunës! Por me keqardhje më duhet të them, se nuk ka gjasa që kjo edhe t
ë ndodhë.
Në fund një porosi që e përsëris kurdo që më shtrihet rasti.
Ata që nuk na e kanë dashtë ose nuk na e duan të mirën, gjithmonë janë munduar, mundohen dhe do të mundohen të na përçajnë. Dhe për t’ia arritur këtij qëllimi të mallkuar, mundohen të prekin në pikën më të ndjeshme,- në marrëdhëniet ndërfetare, për të cilat shqiptarët, pra edhe malësorët, gjithmonë kanë qenë e janë edhe sot e kësaj dite shembull për krejt rajonin.
Ta ruajmë si sytë e ballit këtë begati të madhe dhe këtë porosi që na e kanë lënë të parët. Të mos biem viktimë e intrigave të qëllimkëqijve, që për një plesht e djegin jorganin. Të kujtojmë vitin 1913, kur Atë Gjergj Fishta, me rastin e kremtimit të Ditës së Flamurit, e shpalosi atë te Kisha e Gjuhadollit, të cilën e lidhi me kandila të ndezur me Xhaminë e qytetit të Shkodrës për të treguar unitetin mes shqiptarëve, për t’u thënë pushtuesve se pavarësisht feje, të gjithë jemi të një gjaku.
Dhe nuk do të zgjas më shumë, meqë e di se nuk jeni të etur për fjalime, por po e mbyll këtë fjalë të rastit, duke ju falënderuar të gjithë juve mysafirë të nderuar dhe ju vëllezër e motra, që keni ardhur nga Amerika e largët dhe na keni mundësuar realizimin e këtij projekti të madh.
Ju falënderoj edhe Ju përfaqësues të institucioneve të larta shkencore e arsimore dhe të institucioneve tjera të Shqipërisë dhe të Kosovës, që me ardhjen tuaj i keni dhënë madhështi shënimit të këtij jubileu. Edhe juve pjesëtarë të familjes Jashari, që e mbijetuat masakrën më të madhe që mbahet mend në një familje shqiptare.
Në veçanti dua të ju falënderoj ju studiues të nderuar, që me punën tuaj të palodhshme keni dhënë ndihmesë të paçmueshme për të qitur edhe më shumë në dritë të vërtetën mbi këtë ngjarje me rëndësi të madhe për Malësinë dhe tërë popullin shqiptar kudo që ndodhet. Heshtja dhe lënia në harresë e ngjarjeve madhore dhe e personaliteteve historike, që kanë flijuar çdo gjë për popullin, gjuhën dhe vendin e vet, është krim i madh, e në veçanti kur e vërteta shtrembërohet qëllimisht. Me punën tuaj të palodhshme, në këtë mënyrë ju bëheni mbrojtës i kësaj dhe të vërtetave tjera.
Ju faleminderit edhe të gjithë juve, vëllezër e motra, që keni ardhur ta shënojmë bashkë këtë jubile të madh!”
/Malesia.Org/