Zbulimi i Pllakës përkujtimore në Bratilë, ku 100 vjet më parë u ngrit flamuri Shqiptarë (FOTO+VIDEO)

Bratilë, Malësi (6 prill) – Me 6 prill 2011, në 100-vjetorin e Kryengritjes së Malësisë së Madhe të vitit 1911, kur 100 vite më parë, sipas urdhrit të Dedë Gjon Lulit, Nikë Gjelosh Luli në vend të flamurit Turk vendosi Flamurin Shqiptar kuq e zi, sot 100 vite më vonë u zbulua pllaka përkujtimore në majën e Bratilës, në afërsi të Deçiqit, vepër e skulptorit shqiptar Pjerin Kolnikaj
Në ditën e 100-vjetorit të ngritjes së Flamurit, Bratila legjendare ishte përplot bashkatdhetarë nga Malësia, diaspora dhe mysafir nga Shqipëria e Kosova.
Të pranishëm të dalluar ishin edhe Gjeneral Agim Çeku si dhe anëtarë i familjes së Adem Jasharit, Murat Jashari.
Fjala e rastit i takoj kryetarit të shoqatës atdhetare Dedë Gjon Luli nga New York-u, Sander Sinishtaj. Të pranishëmve poashtu ju drejtua edhe Kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Malin e Zi, Tahir Tahiri.

Ngritja e Flamurit Shqiptarë ishte edhe kulminacioni i Kryengritjes dhe treguesi më i qartë se qëllimi e Kryengritjes së Malësisë të vitit 1911 ishte luftë me qëllime të qarta për liri, komb dhe shtet shqiptar.
Për këtë ishin përbetuar prijësit e 7 bajraqeve të Malësisë, Hot, Grudë, Kastrat, Këlmend, Shkrel, Triesh, Kojë por edhe fiset tjera jashtë Malësisë së Madhe.
Për këtë flamur luftuan malësorët me prijësit e fiseve që udhëhoqën Kryengritjen e Malësisë në krye me kryeprisin e Kryengritjes, heroin Dedë Gjon Lulin, vojvodë i Traboinit-Hotit, Nikë Gjelosh Lulin, Gjekë Marash Gjeloshin, Gjon Nikë Pllucin, Lulash Zekën, Zef Lan Ulën, Kolë Marash Vatën, Dedë Gjonin, të gjithë nga bajraku i Traboinit.
Nga Rapsha e Hotit, Gjeto Marku, Lucë Muça, Zef Marashi, Luc Marku, Tomë Nikolla (vojvodë) dhe Gjon Pllumi.
Grudës i prinë: Dedë Nika, bajraktarë i Grudës, Sokol Baci (vojvodë), Kolë Zefi, Tomë Zoli, Marash Dashi, Marash Ujka, Lucë Gjeloshi, Kolë Deda (vojvodë), Tomë Gjoni si dhe Prenk Ujka e në disa dokumente përmendet edhe e bija e Smajl Martinit (bajraktarë i parë i Grudës), Tringë Smajlja.
Kastratit (Selcës) i prinë: Dodë Prëçi, bajraktarë i Kastratit, Nikollë Doda, Mark Dashi, Mirash Luca, Gjelosh Gjoka (vojvodë), Pjetër Gjoka, Dedush Marashi dhe Lulash Dashi.
Këlmendit i prinë: Palë Luca (vojvodë), Lucë Marku, Vocërr Preçi, Lucë Gjoni dhe bajraktari Gjon Voci.
Vuklit i prinë: Gjon Uci, bajraktarë, Dosh Prenka, Zef Uci (vojvodë) dhe Lul Rapuka.
Nga Nikçi: Gjon Sokoli dhe Lulash Kolë Shyti.
Nga Shkreli: Tomë Nika, Prelë Prëka dhe Zef Mali.
Nga Shala: Mehmet Shpendi (vojvodë), Marash Delia, Mark Alia.
Në Kryengrtije morën pjesë edhe Trieshi e Koja edhe pse në atë kohë ishin nën Mal të Zi.
Kojën e udhëhoqi bajraktari Prëtash Zeka.

Sqarim:
Të nderuar vizitorë, që sidomos këtyre ditëve gjatë festimit të Kryengritjes, portali ynë ishte si asnjëherë më parë i vizituar (me më shumë se 5000 vizita në ditë), kemi obligim të ju sqarojmë së aktivitetin e zbulimit të pllakës përkujtimore në Bratilë nuk patëm mundësi ta përcjellim tërësisht ashtu siç e kishim planifikuar, pasi gjatë krejt kohës ishim të penguar nga kujdestarët organizativ, dhe ishim të detyruar të largohemi nga një kënd në tjetrin, dhe kjo na pengoj në përcjelljen e aktivitetit.
Ne u përpoqëm, sipas mundësive tona e që janë minimale, që këtë aktivitet disa ditorë, kaq me rëndësi ta përcjellim sa më mirë, dhe nuk u kursyem. Morëm më shumë se 2000 fotografi, disa orë video dhe audio incizime, publikuam shkrime për ti përshkruar aktivitetet, ashtu siç mundem pasi nuk kemi gazetarë profesionist.
Ne punojmë se kemi vullnetin dhe detyre morale, e këtë e bëjmë tash më shumë se 10 vite, pa edhe asnjë përfitim, por kjo nuk do të na pengoj që të vazhdojmë punën tonë e cila vlerësohet shumë, nga ata të cilët dinë të vlerësojnë.
Portali Malesia.Org nuk ka nevojë për falënderime e mirënjohje, por së pakut meritojmë të na lejojnë që punën tonë ta kryejmë ashtu siç duhet.
Nuk do të ishte e tepërt që Këshilli Organizativ në mes të shumë falënderimeve që përmenden gjatë këtyre ditëve, që edhe emri e portalit tonë ta përmendet, jo për të na falënderuar por së paku ta cekin se ku në internet mund të përcjellën aktivitetet e 100-vjetorit të Kryengritjes, duke e ditur se në ditët e sodit interneti është mënyra më e shpejtë e marrjes së informacionit, e të cilat materiale mbesin aty për një kohë të pacaktuar.
Më këtë shkrim nuk patëm qëllimin të kritikojmë askënd, pasi besojmë se këto nuk u bënë me qellim por ishte obligim yni ndaj vizitorëve tonë që ndoshta do të presin më shumë materiale.
Në fund, të nderuar vizitorë nga mbarë shqiptaria dhe diaspora, ju përshëndesim dhe falënderojmë në mbështetjen tuaj.

Lavdi burrave e burrneshave të Kryengritjes së Malësisë së Madhe të vitit 1911!

/Malesia.Org/

FOTOGRAFITË KOMENTOJE

VIDEO 1VIDEO 2