Nuk ke si të mos i respektosh Duetin e madh shqiptarë Kolë e Hana Nikprelaj

I kishim dëgjuar në Kosovë me mijëra herë këngët e Hanës e Kolës dhe ishim krenuar pse i kemi. Krenoheshim duke thënë se është bijë e Kosovës Hana dhe një malësor i vërtetë Kola dhe ashtu edhe doli. Ju lumtë e u priftë e mbara në familje, në punë e në jetë se nuk ke si të mos i respektosh këta dy njerëz të fjalës, këngës e besës. Ata i ftuam , ashtu thjeshtë e vëllazërisht në Manifestimin “Zëri i Vëllazërisë për 100 vjetorin e Kryengritjes në Malësinë e Madhe dhe erdhën. Kënduan nga zemra dhe me zemër dhe kishin ardhur vullnetarisht pa kërkuar kushte e as edhe një centë. Janë duet i madh e i njohur në gjithë kombin tonë dhe u ulen pas programeve në Deçan e Istog dhe drekuan, ashtu thjeshtë bashkë me ne. Ju lumtë dhe i paçim për jetë e mot. Shoqata “Martin Dreshaj” u ndau një mirënjohje dhe e pranuan me gjithë atë respekt . Prapë, Ju lumtë o Kolë e Hanë.
Duke parë këtë modesti e këto sjellje kaq të thjeshta, duke parë gjithë atë publik që ngrihej në këmbë kur këndonin Hana e Kola në “Zëri i Vëllazërisë” mu kujtuan momente nga viti 1998 në Sukruq, kur veprimtarë të Malësisë po përgatisnin një program kulturor e për të mbledhur ca para nga shikuesit për shqiptarët e Kosovës që kishin gjetur bukë e kripë e zemër në Malësinë e Dedë Gjo Lulit. Atë kohë kisha qëlluar në takimin e Këshillit Organizativ atje dhe me kishte lënduar pak një reagim i një malësori. Ai nuk kishte pasur faj se një aktor, që në Kosovë rrah gjoksin e tregohet si shumë atdhetar, më kishin thënë atëherë se paska kërkuar 1000 marka për të dalë për 5 minuta në programin humanitar. Këngëtarë e artistë , më thanë atë botë malësorët, kishin ardhur pa as edhe një centë kompensim për të marrë pjesë në koncertin humanitar në Sukruq.
Historia e njëjtë më është përsëritur në vitin 2011. Disa malësor me telefon e me internet po më thoshin se i njëjti aktor “i madh” nga Kosova paska kërkuar para , dhe jo pak, për të marrë pjesë e për të thënë diçka “artistike” gjatë shënimit të 100 vjetorit të Kryengritjes në Malësinë e Madhe. Bile, njëri nga malësorët plot inat më tha se këtij farë aktori nga Kosova, i kishin ofruar 600 euro për të thënë pallavrat e tij, por ishte hamendur. Por, nuk ishte hamendur kur “ kreu” i Tuzit, ky farë Nikollë Gegaj, i paska ofruar 1000 euro. Ka shkuar në programin e organizuar nga Gegaj dhe paska “kuvet” bukur ky aktor e shkuar aktorit.
Malësi e nderuar e hapa këtë temë në pritje se dikush nga këshilli Organizativ i Manifestime kushtuar Kryengritjes do të thotë të vërtetën duke treguar se kështu paska ndodhur apo duke demantuar deklaratat e ca malësorëve, që i kanë dhënë në Kosovë lidhur me këto për të cilat unë po shkruaj këtu. Nëse është kështu si kam dëgjuar unë se këngëtarët nga Kosova( të mëdhenj, që besa) dhe aktori , po ashtu nga Kosova( i madh , që besa) kanë kërkuar e kanë marrë nga 500 e nga një mijë euro për një a dy paraqitje, atëherë një herë u qoftë turp këtyre këngëtarëve e këtij aktorit e dhjetë herë i qoftë turp Këshillave Organizativ në Malësi pse ua kanë dhënë gjithë ato para.
E tani edhe një herë po i drejtohem duetit të madh shqiptarë Hana e Kolë Nikprelaj. Qofshi të nderuar gjithmonë dhe Zoti e ruajt zërin tuaj. Hana motër Ty të nderoi presidenti shqiptar me atë dekoratë e titull të lartë dhe e meritove. Ne Ju nderuam Juve dhe Kolën me një mirënjohje dhe ndjehemi krenar pse ishit mes nesh. Ju presim edhe në Manifestimet tona të ardhme . Ju presim se jeni vërtetë të mëdhenj dhe jeni nderi i Malësisë dhe i këngës shqipe kudo në trojet etnike dhe kudo ka shqiptarë. JU faleminderit që respektuat Prizrenin, Gllogjanin e historisë, Deçanin, Pejën, Istogun , Kosovën Lindore e gjithë trojet etnike. Ju faleminderit që i dhatë forcë unitetit të kombit tonë në festën e madhe “Zëri i Vëllazërisë për 100 vjetorin e Kryengritjes në Malësinë e Madhe”. Gjithë këto i bëtë krejt nga zemra dhe respekti e pa kërkuar as edhe një centë. Keni respektin tonë sa të jemi gjallë. Me njerëz si Ju do të rroj me dekada e vite ky Manifestim dhe do të mbetet zë i Malësisë e për Malësinë.

Rrahman Jasharaj , gazetar i malësia.org dhe koordinator për trojet etnike i Shoqatës “Martin Dreshaj”

KOMENTOJE