Letër e hapur Qeverisë së Shqipërisë dhe Kryeministrit, z. Sali Berisha

Shoqata e Vëllazërisë Kosovë – Malësi e Madhe “Martin Dreshaj” me seli në Pejë të Kosovës dhe Tuz të Malësisë

APEL, LUTJE APO REAGIM I ASHPËR , E SI TA QUAJMË O KRYEMINISTËR ?!

I nderuari Kryeministër i shtetit shqiptar. Z. Sali Berisha, e nderuara Qeveri e shtetit tonë , u Jemi drejtuar edhe herëve tjera me shkresa në adresën Tuaj , por edhe në media dhe gjithmonë me APELIN që ta respektoni Kushtetutën e shtetit dhe të merrni në mbrojtje shqiptarët jashtë kufirit të Shqipërisë, sepse për këtë edhe Ju obligon ky akti madhor i një shteti. Ju as edhe një herë nuk na jeni përgjigjur, e duke u nisur nga fakti se jeni të zënë me fushatën parazgjedhore, mbase,nuk do të na përgjigjeni as edhe kësaj radhe, por nuk kemi se si e të mos u lodhim edhe me këtë shkresë.
I nderuari Kryeministër i shtetit shqiptar. Z. Sali Berisha, e nderuara Qeveri e shtetit tonë , nuk ka pasur vlerësim nga Institucionet Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut që nuk e ka thënë se me aksionin famëkeq “Fluturimi i shqiponjës” Mali i Zi dhe aparati i saj i dhunës kanë shkelur mbi të drejtat elementare të shqiptarëve në Malësi. Shumë vëzhgues dhe media ndërkombëtare e shqiptare , bashkë me Shoqata të shumta , kanë cekur me argumente se në këtë aksion famëkeq është dhunuar e janë nëpërkëmbur edhe simbolet kombëtare, edhe libri për Nënën Terezë, edhe është sharë nëna shqiptare dhe e gjithë kjo kaloi, disi në heshtje, nga shteti amë , por edhe nga institucionet e Kosovës. Malësorët, i nderuari kryeministër shqiptar, ishin hidhëruar me të drejtë në shtetin amë pse heshti ndaj gjithë këtyre katrahurave që po i bëheshin malësorëve dhe Malësisë, por mundoheshin ta kuptonin këtë heshtje me përpjekjet për nismat e hyrjes në BE dhe NATO. Malësia për këto qëllime edhe u pajtua të vuaj dhe ua bëri “ hallall” heshtjen, Por …
Por, kjo që lexuam në media këtyre ditëve nuk mund t’i falet shtetit shqiptar dhe policisë së saj. “Ndalohet e prangoset Gjon Lucaj, i cili ishte i akuzuar dhe u dënua me 3 vjet e 3 muaj burgim nga Gjyqi i lartë i Podgoricës në kuadër të aksionit famëkeq të 9 shtatorit të vitit 2006, “Fluturimi i Shqiponjës”, lexuam në media e urojmë që të jetë lajm i pasaktë ky.
I nderuari Kryeministër i shtetit shqiptar. Z. Sali Berisha, e nderuara Qeveri e shtetit tonë , kjo që ndodhi dhe duke u lexuar shqip i bie se : “ Nëna po e zë djalin e saj të pafajshëm dhe po ia dërgon xhelatit ”. Qe besa keq e s’ka ku shkon më keq o Sali Berisha. E di se jeni i zënë me fushatën, por sytë e kombit janë të drejtuar drejt shtetit amë dhe nëse edhe kjo tokë e bekuar e policët e saj na zënë e na prangosin pse Mali i Zi po kërkuaka një gjë të tillë keq i kemi punët pasha Besën.
I nderuari Kryeministër i shtetit shqiptar. Z. Sali Berisha, e nderuara Qeveri e shtetit tonë ,
Çfarë bëri Gjoni, apo të themi në shumës, çfarë bënë kundër njerëzimit të 18 të arrestuarit malësorë në atë farë aksionin famëkeq të malazezëve? Nuk kanë bërë asgjë e as edhe krimin më të vogël ata burra përveç që ishin shqiptarë dhe kishin një kërkesë “të rrezikshme” për tërë Ballkanin e botën, që Malësia të fitonte një komunë, si shumë komuna të tjera në Mal të Zi. Këta malësorë dhe, gati gjithë Malësia, shtetit malazez i kishin dhënë votat për t’u bëri i pavarur dhe me këtë e konsideruan, në sytë e botës, si shtetin e tyre. E, ai ua ktheu bukur këtë nder duke i sharë, maltretuar e burgosur. Ani, nuk u habiten njerëzit se pushteti i huaj edhe të burgos, edhe të maltreton, por ta prangos policia shqiptare një njeri të pafajshëm , e që po ndiqej padrejtësisht, për ta dërguar në Shpuz e për ta dhunuar, maltretuar e mbajtur në qeli , vetëm pse është shqiptar dhe vetëm pse kështu po kërkon Podgorica, kjo nuk ka si të vlerësohet ndryshe vetëm si “haj medet e kuku për ne”.
I nderuari Kryeministër i shtetit shqiptar. Z. Sali Berisha, e nderuara Qeveri e shtetit tonë , A do të thotë kjo se gjithë njerëzit që teket të jenë të burgosur sipas dëshirës së Podgoricë e Beogradit Ju do t’i vëni nën pranga”? Nëse po, atëherë ky është një ogur i zi. Serbia nuk po e dorëzon njërin nga kriminelët më të mëdhenj, Mlladiqin, e Ju , nuk dimë pse, po vrapuakeni të prangosni njerëz të pafajshëm, por pse Mali i Zi a Serbia i sheh si kundërshtar të ambicieve antishqiptare. Shqipëri o nënë , te Ti kemi ardhur lirshëm edhe ne që nuk jemi pajtuar me politikat antishqiptare të Podgoricës e Beogradit, tani nuk na paska mbetur vend as edhe në truallin e tokës mëmë sepse na frikëson realiteti se :
“ Nëna po e zë djalin e saj të pafajshëm dhe po ia dërgon xhelatit”

Rrahman Jasharaj, Zëdhënës dhe koordinator për trojet etnike i Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe “Martin Dreshaj “me seli në Pejë të Kosovës dhe Tuz të Malësisë (rraha_j@hotmail.com)

KOMENTOJE