Për herë të parë u festua festa e abetares në Malësi

Festa e abetares vite me rradhë festohet tradicionalisht në trojet shqiptare. Është kjo një festë dominante, që organizohet nëpër shkolla shqipe. Qëllimi i saj është të shënohet mësmimi i të gjitha shkronjave të alfabetit. Shkolla fillore “Mahmut Lekiq” në Tuz, sivjet solemnisht ka shënuar këtë festë me nxënësit e klasëve të dyta. Falë punës së mesuesëve e mesueseve:Leze Gojçaj,Afrodita Gojçaj, Kolë Ivezaj, Gjyste Lulgjuraj Sanije Gjokaj dhe të nxënësve. Ata para prindërve dhe moshatarëve të tyre, në ambientin e shkollës, me një koreografi lirisht mund të themi profesionale, paraqiten program kulturor e argëtues, ku të pranishmit patën rastin të shohin se si mund ët shënohet festa të këtij lloji, me një program cilësor e në nivel të lartë.

Kjo festë përkonte me ditën ndërkombëtare të fëmijëve, gjegjësisht me 1 qershor, gjë që siç dukej u kishte ngjallur emocione edhe më të mëdha nxënësve, të cilët sikur shkëlqenin nga gëzimi dhe hareja, duke interpretuar pikat e tyre në mënyrë të mrekullueshme. Emocionet ishin më të mëdha sepse ata ishin në qendër të vëmendjes, por pa patur frikë para publikut të shfaqin programin e vet, që ata kishin mësuar dhe vërtetë dinin ta tregojnë. Sa bukur dukeshin këta fëmijë, të cilët udhëheqnin programin, këndonin, recitonin e thurnin lavde për shkronjat që me gëzim e mundim i kishin mësuar. Ata në kokë mbanin kapelat me shkronjat e alfabetit të mësuar dhe me një buzëqeshje të rrallë, sikur tregonin krenari sepse tani më ata dinë të shkruajnë e të lexojnë gjuhen e bukur shqipe, sepse siç është e njohur, vetëdijen e nji kombi e mbanë gjallë padyshim gjuha e tij. Nga paraqitja e tyre, të lënin përshtypje se fëmijët nuk dëshironin që kjo festë të mbaronte, sepse ata po përjetonin diçka të veçantë dhe të papërshkruar.

Duke patur parasysh se shkolla në fjalë është me mësim në gjuhen shqipe dhe malazeze, këta nxënës ne festën e tyre kishin edhe bashkëmoshataret e vetë edhe në gjuhën zyrtare, ku edhe ata me pikat e veta, po me të njëjtin karakter, mësimin e shkronjave, sollën çaste të bukura para të pranishmëve.

E gjithë kjo do të ishte e pamundur, pa mbështetjen morale dhe fiansiare të prindërve, të cilët sipas organizatorit, ata e kanë përkrahur idenë dhe kanë dhënë kontributin e vet, në mënyrë që programi të bëhet sa më cilësor.

Në fund të programit, u organizua një koktej modest për këta fëmijë. Urojmë që festa e abetares të jetë fillimi i një tradite të re e të bukur për vendin tonë, pasi nxënësit e meritojnë, që të festojnë mësimin e shkronjave, për të kurorëzuar punën e tyre të palodhur, në mësimin e alfabetit të gjuhës shqipe./Këshilli organizuas/

FOTOGRAFITË KOMENTOJE